Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama në mars të këtij viti, kur hapi fushatën joelektorale të llogaridhënies të qeverisë, premtoi se do të dëgjojë nga populli të gjitha ankesat, shqetësime dhe problemet dhe në fund do të bëjë analizën, ndërsa në shtator do të largojë edhe ministrat, të cilët nuk i kanë përmbushur detyrat dhe detyrimet.

Dështimi i reformave integruese. Ja ministrat kandidatë për t’u larguar

Në qershor, Këshilli i Evropës nuk i hapi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë, për shkaqet e ditura tashmë, që në thelb përmbajnë një të vërtetë: Shqipëria nuk mundi që të kryejë e zbatojë reformat integruese. Shumë kritika u adresuan edhe në mënyrën jo të duhur të lobimit të Shqipërisë. Kjo përgjegjësi më shumë bie drejtpërdrejt mbi ministrin për Çështjet e Evropës, Ditmir Bushatin, prandaj, kryeministri Rama mendon që të bëjë ndryshime rrënjësore, duke ndryshuar edhe vetë ministrin. Skandali i shumëpërfolur me ministrin e Brendshëm, i shkaktoi qeverisë një kosto shumë të madhe morale dhe politike, sa edhe në kushtet e reja të BE për Shqipërinë është edhe lufta kundër krimit. Kjo do të thotë, që vetë vendi i ministrit të Brendshëm Xhafaj nuk është më i garantuar. Kryeministri Rama nuk e largoi kur e kërkoi opozita, por, me ndryshimet e reja në qeverisje, të paralajmëruara me kohë, i jepet mundësia që ta largojë, jo për motivet politike që kërkoi opozita, por me pretendimin e një rilindjeje të re. Edhe ministrja e Kulturës Kumbaro nuk e fitoi dot besimin e madh që i ridha kryeministri Rama, ku në çështjen e Teatrit Kombëtar, ministrja Kumbaro u dëftua krejtësisht e paaftë edhe për të debatuar me artistët. Ministrja e Drejtësisë nuk mundi të kryejë rolin e saj dhe është një nga kandidatet për t’u larguar pa zhurmë, ashtu siç edhe u emërua.

Problemet e mëdha të qeverisë dhe …qeveria teknike

Një nga problemet më të mëdha të qeverisë është të zgjidhë ngërçin që është krijuar në zbatimin e reformës në Drejtësi. Projektligji “Për Magjistraturën” nuk mund të sigurojë dot 84 vota, opozita i ka kushtëzuar kryeministrit 7 kushte, për të dhënë konsensusin. Kryeministri deri tani ka deklaruar, që nuk pranon kushtet e Opozitës, por ka deklaruar se do të gjendet zgjidhja, e cila është shumë urgjente, pasi nuk ka më kohë, sepse deri në qershor duhet të jenë ngritur të gjitha institucionet e drejtësisë, nëse do që Shqipëria të ketë dritën jeshile të hapjes së negociatave. Ka zëra, që kryeministri Rama mund të pranojë edhe një qeveri teknike, për të marrë konsensusin e opozitës për të zgjidhur kolapsin e drejtësisë. Mbase kjo zgjidhje politike e qeverisë teknike është mundësia e fundit që kryeministri Rama do të përdorë për të siguruar konsensusin e opozitës, në të kundërt e ka të qartë se dështimi i hapjes së negociatave edhe në qershorin e 2019, do të jetë një kosto e pariparueshme politike për qeverinë dhe vetë kryeministrin Rama.