Ndryshimet në polici, ja emrat që synojnë drejtorinë e Policisë së Tiranës

700
Sigal

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka nisur procesin e ndryshimit të drejtuesve të Policisë së Shtetit. Pritet që brenda pak kohësh të gjithë drejtorët e policisë në qarqe dhe shefat e komisariateve kryesore në vend të ndryshohen. Drejtues i Parë Kastriot Skënderaj pritet të lërë detyrën, ndërsa do të emërohet në një tjetër funksion të rëndësishëm. Skënderaj prej muajit shkurt të 2018, me firmë të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është emëruar në krye të policisë së Tiranës, ndërsa më parë ka mbajtur funksione të rëndësishme, përfshi këtu edhe gjatë kohës së qeverisjes së PD-së. Ndërkohë që ka nisur edhe qarkullimi i emrave që mund të zëvendësojnë kryepolicin aktual të Tiranës. Një prej emrave është ai i drejtorit i Policisë së Lezhës Ferdinand Mara, emëruar në këtë detyrë në të njëjtën kohë me Skënderajn në Tiranë. Mara mund të transferohet nga Lezha drejt Tiranës, ashtu sikundër ndodhi në rastin e drejtorit të Policisë së Beratit që u emërua në krye të asaj të Vlorës. Një tjetër kandidaturë është ajo e Edmond Rizaj, ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, larguar në kohën kur ministria e Brendshme drejtohej nga Sajmir Tahiri. Pas emërimit të Rrumbullakut në krye të SHCBA-së dhe Tonin Vocaj si drejtor i Policisë Kriminale, dy nga emrat që u përfolën se do të riktheheshin në radhët e policisë ishin ato të Ilia Nasit dhe Edmond Rizaj, të dy drejtorë policie gjatë qeverisjes së PD-së, por me një karrierë pothuajse 30 vjeçare në radhët e Policisë së Shtetit. Të dy si Nasi dhe Rizaj konsiderohen si kandidatë për drejtimin e policisë në dy qarqet kryesore, Tiranë dhe Durrës. Një tjetër kandidaturë është ajo e Bledar Çelikut, ish-drejtues i Policisë në Qarqet e Shkodrës dhe Lezhës.