Ndryshimet në kodin penal/ Forumi në “Telegaf”: Mazhoranca ashpërson dënimet në KP, për të goditur opozitën dhe kundërshtarët politikë. Flasin Prof. Shefqet Muçi, Kujtim Cakrani dhe Zaçe Islami: Kjo qeveri i ka rrëzuar të gjitha të drejtat kushtetutese

666
Sigal

Forumi në “Telegraf”: Drafti i mazhorancës “Për ndryshimet në Kodin Penal”. Flasin juristët: Prof. Shefqet Muçi, Kujtim Cakrani, Zaçe Islami

Mazhoranca ashpërson dënime në Kodin Penal, për të goditur opozitën dhe kundërshtarët politikë

Jakup B. GJOÇA

Qeveria ka hartuar një draft për ndryshime në Kodin Penal, të cilat parashikojnë ashpërsime të dënimeve me burg, për disa vepra penale, ndër më kryesoret janë; bllokimi i rrugëve nga protestuesit dhe pengimi i zgjedhjeve. Gazeta “Telegraf” iu drejtua juristëve për të marrë mendimin e tyre. Prof. Shefqet Muçi, ish-ministër i Drejtësisë, pohon se ende nuk janë zbatuar ndryshimet penale që u bënë së fundi, ku u ndryshua 40 % e Kodit Penal, ndërsa ndryshimet e propozuara nuk sjellin asgjë të re. Ashpërsimi i Kodit Penal mund të prishë edhe balancimin e Legjislacionit me Demokracinë. Avokat Kujtim Cakrani përmend se deri tani janë bërë 20 ndryshime në Kodin Penal dhe asnjëherë nuk kemi pasur rezultat, sepse ligji nuk zbatohet, edhe pse kemi ligje të mira. Avokat Zaçe Islami pohon se kjo qeveri ka rrëzuar të gjitha të drejtat kushtetuese të qytetarëve.

Prof. Shefqet Muçi, Ish-ministër i Drejtësisë: Ndryshimet e parashikuara në Kodin Penal nuk sjellin asgjë të re

-Prof. Muçi, a janë të domosdoshme ato ndryshime në Kodin Penal, që ka paraqitur kryeministri Rama në Kuvend?

– Ne sapo i kemi miratuar këto ndryshime në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, ndryshime thelbësore të bëra në vitin 2017 në kuadrin e Reformës në Drejtësi dhe që zënë pothuaj 40 për qind të këtij legjislacioni. Nëse janë bërë gabime apo ka ende mangësi, ato duhen ndrequr ose plotësuar, por ne jemi ende në fillimin e implementimit të këtyre ndryshimeve. Nuk kemi as praktikë gjyqësore dhe as studime në këtë fushë, sepse nuk kemi Gjykatë të Lartë funksionale, e cila është ngarkuar me Kushtetutë të bëjë njësimin e praktikës gjyqësore nëpërmjet vendimeve unifikuese dhe të orientojë gjykatat e shkallëve më të ulëta për një politikë të drejtë penale. Ende gjykatat tona nuk e kanë thënë fjalën e tyre, nëse këto ndryshime janë të mjaftueshme apo ka edhe mangësi. Për më tepër, këto ndryshime, po të krahasohen me dispozitat ekzistuese që janë në Kodin Penal, mund të themi se janë të karakterit formal, ndryshime në formulim, nuk sjellin asgjë të rëndësishme në përmirësimin e Kodit Penal, as në thelbin e fenomenit dhe as në masat e dënimit, sepse janë pothuajse identike me ato ekzistuese. Rregullimet nuk kanë asnjë vlerë, për sa i përket luftës kundër kriminalitetit.

– A janë pyetur grupet e interesit për hartimin e draftit të ndryshimeve që propozon qeveria në Kodin Penal?

– Ndryshimet në Kodin Penal duhet të bazohen në studime, madje studime serioze, të thelluara dhe afatgjata, ku merren edhe mendime e specialistëve, të pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë, të organeve që i zbatojnë këtë ligje dhe të strukturave që janë të angazhuara në luftën kundër kriminalitetit në këto fusha. Nxitimi sjell mangësi, pasaktësi, gabime dhe mungesë standardesh në zbatimin e teknikës legjislative. Për shembull, po të krahasojmë ndryshimet që kërkohen për t’u bërë në dispozitën penale për neglizhencën në trajtimin e të sëmurëve, me dispozitën ekzistuese në Kodin Penal, konstatohet lehtësisht se formulimi në dispozitën ekzistuese është i saktë, shkencor dhe i plotë, ndërsa ndryshimet e propozuara janë me mangësi të dukshme, madje u është hequr thelbi i veprimit kriminal, sepse përjashtohet neglizhenca e personelit mjekësor në përcaktimin e diagnozës dhe të terapisë. Ndryshimet që propozohen kanë si prioritet ashpërsimin e dënimit me burgim. Unë kam mendimin se ky është një koncept i vjetruar, që bie ndesh me standardet bashkëkohore të së drejtës penale, ku kërkohet pluralizmi dhe alternativat e dënimit, qëllimi kryesor i të cilit nuk është dhuna dhe frikësimi, por parandalimi, edukimi, rehabilitimi dhe integrimi i personave që kryejnë vepra penale.

– Prof. Muçi, po ndryshimet në Kodin Penal për dënime më të rënda për protestat, a cenon demokracinë dhe të drejtat e Njeriut?

– Unë mendoj që nuk është koha për të bërë ndryshimet e tilla në Kodin Penal për bllokimin e rrugëve apo për veprime të tjera të protestuesve, veprime që formojnë vepra penale. Në radhë të parë, në Kodin Penal ekzistojnë dispozita për dënimin e këtyre veprimeve dhe dënimet e parashikuara e bëjnë efektin e tyre, në qoftë se zbatohen. Por vështirë se mund të zbatohen në kushtet e tubimeve dhe të protestave masive. Së dyti, në kushtet e krizës politike ku jemi përfshirë, çdo ndryshim që bën në Kodin Penal në drejtim të ashpërsimi të dënimit me burgim duket sikur ka për qëllim që të godasë opozitën, kundërshtarin politik. Pra, nuk është momenti i duhur politik.

– Rritja e veprimtarisë së kriminalitetit në vendin tonë është shkak edhe i boshllëqeve që ekzistojnë në Kodin Penal, sa të justifikohet drafti i ri i propozuar nga qeveria?

– Dënimi është një mjet dhune, ndëshkim, mjet i shtrëngimit shtetëror ndaj atyre që kryejnë vepra dhe vepron pasi është kryer vepra penale, pasi është vërtetuar fajësia nga gjykata. Pra dënimi është pasojat, nuk merret me shkaqet. Vlera e dënimit është edhe parandaluese, në kuptimin që paralajmëron personat me prirje kriminale që, nëse kryejnë vepra penale, do të ndëshkohen. Por masat parandaluese janë të shumta, por nuk është vetëm dënimi. Janë një sërë faktorësh të tjerë. Kodi Penal që nga viti 1996, një vit pasi ka hyrë në fuqi, është ndryshuar 20 herë. Dhe ky do të jetë ndryshimi i 21-të, sepse ligjvënësit kanë konceptin e gabuar, që dënimet e rënda janë masa që do parandalojë krimin. Në fakt nuk është kështu. Kryesorja, është lufta për parandalimin e kryerjes së veprave penale. Duhet të organizohen e të funksionojë të gjitha strukturat dhe organizmat që ka shteti dhe shoqëria që të përmirësojnë, në radhë të parë, gjendjen ekonomike dhe kulturore të njerëzve tanë, sepse sa më i dobët të jetë ekonomikisht vendi, kaq më shumë do të kryhen edhe krime. Njëkohësisht, krimi stimulohet edhe nga një situatë e pasigurt dhe e pa stabilizuar politike.

– A mund të bëhen ndryshimet në Kodin Penal pa opozitën në Parlament, edhe pse numerikisht mazhoranca mund t’i ketë votat për votim të cilësuar?

– Këto janë vlerësime politike, jo profesionale. Kodi Penal është një nga ligjet më të rëndësishme dhe votohet vetëm me votim të cilësuar. Në mungesë të opozitës në parlament nuk është mirë që të bëhet, sepse nuk shprehet vullneti i të gjithëve dhe, në mungesë të konsensusit, legjitimohen ndryshime të të tjera të panevojshme dhe kapricioze me ndryshimin e pushteteve.

– Prof. Muçi, cilat duhet të jenë raportet e ligjit me demokracinë?

Ka një raport midis ligjshmërisë dhe demokracisë, të konsoliduar nga praktika e vendeve me demokraci të zhvilluar. Sa më e fortë të jetë ligjshmëria, këtu kemi parasysh krijimi i ligjeve të plota, interpretimi i drejtë i tyre dhe zbatimi i njëjtë nga të gjithë, pra, sa më harmonik të jetë ky trinom, kaq më e gjerë është edhe demokracia. Dhe, sa më e gjerë të jetë demokracia, kaq më e fortë është edhe ligjshmëria. Raporti mes ligjshmërisë dhe demokracisë është në përpjesëtim të drejtë. E kundërta, sa më shumë të ashpërsohen masat e dënimit, sa më shumë të ashpërsohet dhuna, sepse masat e dënimit janë dhunë shtetërore, sa më i fortë të jetë regjimi shtetëror, kaq më e kufizuar është demokracia. Demokracia dhe dhuna janë në përpjesëtim të zhdrejtë me njëra – tjetrën. Ne duhet të ruajmë standardin, rregullsinë, duhet që të forcojmë demokracinë, që ligji të zbatohet jo nga frika, por me ndërgjegje të plotë nga qytetarët, me vullnetin e tyre të lirë, ta kuptojnë si domosdoshmëri jetike zbatimin e tij. Ligjshmëria nuk forcohet nëpërmjet dënimeve të ashpra, por forcohet nëpërmjet ligjeve të drejta, ligjeve të plota, ligje sipas standardeve të shtetit të së drejtës, që të mos jetë si mjet për kanosjen e përdorimin e dhunës shtetërore kundër qytetarëve, por të jetë si mjet edukimi.. Dënimi duhet ta rehabilitojë atë që shkel ligjin dhe jo ta shkatërrojë. Ligji Dënimi duhet të shërbejë për parandalimin e kriminalitetit dhe jo një dënim që shërben për acarimin e njerëzve.

Av. Kujtim Cakrani: Alibia për ndërhyrje dhe ndryshime në Kodin Penal është, thjesht përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga dështimet

Prej vitit 1996 deri sot Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë qeveritë e ndryshme kanë ndërhyrë rreth 20 herë pra, ka pësuar ndryshime nga çdo qeveri që ka drejtuar vendin. Me ardhjen në pushtet të qeverisë socialiste në vitin 2013 gjashtë muaj më vonë saktësisht në vitin 2014 qeveria ndërhyri në Kodin Penal me qëllimin për të ashpërsuar dënimin e disa veprave penale të cilat ishin, vjedhja e energjisë elektrike, ndërtimet e paligjshme etj. Fillimisht u duk sikur pati rezultat por, në burg u futën vetëm ata që nuk kishin paguar faturat elektrike, apo ndonjë hallexhi tjetër pa mbrojtje dhe përkrahje, sepse të tjerët që vidhnin dhe vazhdojnë të vjedhin energjinë elektrike, por që kanë mbështetje politike nuk i nget kush. Po kështu, edhe me ndërtimet pa leje fillimisht u bënë shembull disa qytetarë hallexhinj, ndërkohë që të tjerët ata të fortët e lidhur me partinë në pushtet vazhdojnë ndërtojnë akoma, madje i fusin edhe për legalizim. Në vitin 2017, përsëri qeveria vendosi të ndërhyjë në Kodin Penal duke bërë disa ndryshime që në fakt nuk kanë sjellë asnjë impakt pozitiv për ndryshimin e gjendjes së kriminalitetit. Referencë kemi “dhunën në familje” nen ky që u ashpërsua por, deri sot nuk ka dhënë rezultatet që priteshin, sepse sipas statistikave dhuna në familje është në rritje dhe tashmë është bërë një shqetësim i madh pasi po shkatërron familjet shqiptare. Së fundi, Kryeministri z. Edi Rama ka hedhur një ide për të ndërhyrë përsëri në Kodin Penal duke përmendur disa vepra penale, tre vjet burg për ata që protestojnë dhe bllokojnë rrugët! Kjo vepër penale me Kodin aktual është dhe madje me burg dhe saktësisht në nenin 293 të Kodit Penal dhe masa e dënimit është e sanksionuar gjobë deri në dënim me burg. Pra nuk dihet çfarë kërkon Kryeministri më shumë, nëse ai bën ligje për të frenuar protestat e opozitës, ky është një problem! Ashpërsimi i Kodit Penal ka dhënë shembuj që nuk e ul kriminalitetin, por gjenden mënyra të tjera për t’i shpëtuar penalizimit, madje eksperienca apo shembujt kanë vërtetuar se, ashpërsimet e masave kanë rritur korrupsionin, si nga organi i akuzës, ashtu edhe nga Gjyqësori. Të gjitha ndryshimet që kërkon të bëjë Kryeministri nuk janë gjë veçse një spostim të vëmendjes nga problemet që ai dhe qeveria e tij ka, jo vetëm me opozitën, por edhe me vetë elektoratin e tij. Ky është momenti më oportun për të spostuar vëmendjen pasi siç dihet në qershor Shqipëria pret një përgjigje nga BE për çeljen e negociatave, duke qenë që kryeministri ka dështuar në çdo fushë të qeverisjes së tij, alibia për ndërhyrje dhe ndryshime në Kodin Penal është një tërheqje vëmendje e publikut nga dështimet e qeverisë. Shqipëria është një vend demokratik dhe republikë parlamentare dhe si e tillë ligjet kalojnë në disa filtra para se të miratohen në parlament! Së pari, ndryshimet në Kodin Penal duhet shqyrtohen nga ekspertët e fushës komisioni parlamentar i ligjeve për të parë nëse këto ndryshime janë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, apo në frymën e Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut, etj. Por nuk do të ishte e drejtë që këto ndryshme në Kodin Penal të bëheshin pa u ngritur Gjykata Kushtetuese, pasi siç e dimë vendi sot është pa Gjykatë Kushtetuese dhe një vend pa Gjykatë Kushtetuese është diktaturë. Shqiptarët kanë një eksperiencë shumë të hidhur për sa i përket kësaj mënyrë të bëri dhe miratuari ligje, për faktin se Kryeministri Rama po ndjek shembullin e diktatorit E. Hoxha në vitin 1945, sepse edhe ai në atë periudhë bënte ligje, ndërkohë që vendi nuk kishte Kushtetutë dhe Gjykatë Kushtetuese! Gjithsesi, çdo ndryshim në Kodin Penal pa Gjykatë Kushtetuese do ishte një marrëzi që vetëm diktatorët e bëjnë. Them këtë duke pasur parasysh faktin se vendi ynë po aspiron të shkojë në BE, dhe kjo rrugë nuk është e duhura për të na çuar atje. Ashpërsimet në Kodin Penal nga Kryeministri nuk janë gjë tjetër, veçse një dëshpërim i kryeministrit dhe dështim i administratës së tij për të menaxhuar shtetin, burgimi i qytetarëve është mjeti i fundit që qeveria duhet t’i shkoj në mendje, më parë duhet të ndëshkojë ministrat, drejtorët, kryetarët e bashkive dhe çdo nëpunës së shtetit.

Zaçe Islami jurist: Kjo qeveri ka rrëzuar të gjitha të drejtat kushtetuese për shqiptarët

Objektivi strategjik afatgjatë i kësaj qeveria është varfërimi i skajshëm i popullit dhe shtrëngimi i tij për t’u larguar nga Shqipëria nga sytë këmbët. 6 vitet e fundit e vërtetojnë katërçipërisht këtë konstatim të veprimeve politike dhe ekonomike të pushtetit neokomunist të RILINDUR tashmë në favor të strategjisë që theksuam më lart. Në funksion të forcimit të pushtetit dhe për të ligjëruar rivendosjen e diktaturës u veprua sistematikisht. U asgjësua Gjykata e Lartë. U asgjësua Gjykata Kushtetuese që do të thotë se vendi praktikisht është nën thundrën diktatoriale neokomuniste. Praktikisht kjo vërtetohet me faktin që nuk mund të kontestohet apo kundërshtohet asnjë ligj antikushtetues pasi Gjykata Kushtetuese nuk ekziston. Kjo është diktaturë. Tani kërkojnë të ligjërojnë ndalimin e protestave dhe demonstratave me LIGJ. Pra lind pyetja: Ka mbetur më ndonjë e drejtë kushtetuese për shqiptarët? Nëse këto ndryshime të Kodit Penal do të miratohen nga ky parlament jo i ligjshëm, shqiptarët kanë dy rrugë: Ose përmbysjen e neodiktaturës komuniste me të gjitha mjetet që disponon, ose të ulë kokën dhe të nënshtrohet ashtu si deri më sot. Prandaj unë mendoj se Kodi ynë Penal ekzistues nuk ka nevojë për ndryshime të tjera, ca më pak, të ashpërsohen dënimet që qeveria ka përgatitur në draftin e saj. Arsyeja është fare e thjeshtë. Kriminaliteti do vazhdojë ashtu si deri më sot pasi kriminelët janë në drejtësi dhe në politikë. Me këtë veprim që kërkon të bëjë qeveria ka tjetër qëllim. Qeveria i jep vetes të drejtën legjitime që me ligj të godasë kundërshtarët politikë deri në eliminimin total të opozitës. Lidhur me ndryshimet që ka përgatitur qeveria nëse ne do ishim shtet demokratik është e pa mundur dhe e pa pranueshme që të bëhen pa votën e opozitës dhe pa u konsultuar me grupet e interesit. Këtu tek neve ligjet i hartojnë komisionet përkatëse parlamentare dhe direkt miratohen në parlament pa u njohur grupet e interesit me ato projektligje. Sot ndodhemi në diktaturë të plotë dhe kjo vërtetohet më së miri nga ligjet antidemokratike që miratohen ,nga eliminimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.