“Ndryshimet kushtetuese të miratohen me referendum”

543
Sigal

INTERVISTA/Flet Spartak Braho, juristi dhe politikani i LSI-së:” Heqja e imunitetit të shoqërohen edhe me ndryshime në 10-15 dispozita të Kushtetutës”

Juristi dhe politikani i njohur, Spartak Braho, në intervistën për “Telegraf”, duke prekur debatin për ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit,  jep një opsion politik dhe juridik, që nuk është trajtuar deri tani: “Ndryshimet në Kushtetutë për heqjen e imunitetit  të miratohen në 6 gusht në Parlament, mirëpo të ratifikohen me referendum popullor”! Referendumi popullor, sipas zotit Braho, do të japë transparencën dhe do të rritë edhe besimin e të gjithëve, se heqja e imunitetit, e cila  të shoqërohet edhe me një paketë ndryshimesh të tjera në Kushtetutë, ku të prekin deri në 15 dispozita, do të  bëjë të mundur luftën kundër korrupsionit. Ndryshe, pohon zoti Braho,”emergjenca  të pragmatizmit dhe të qëllimeve partiake përcaktojnë edhe natyrën e ndryshimeve në Kushtetutë”.

– Zoti Braho, cili është mendimi juaj për debatin që është në rendin e ditës, heqja e imunitetit?

– Unë i takoj atij mendimi politik dhe juridik, të cilat kanë vënë në rend të ditës ndryshimet kushtetuese, që lidhen me institucionin e imunitetit. Natyrisht, për shkak të veçanta që ka Shqipëria dhe situata politike specifike që krijohen në zhvillimet e pritshme, por veçanërisht me kërkesën e fortë e problemin që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, marrin prioritet ndryshimet  në Kushtetutë, në kapitullin e dispozitave të imunitetit, të cilat kryesisht parashikojnë  mbrojtje të posaçme nga ndjekja penale deri tani, për deputetët, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, dhe asaj së Lartë. Gjithsesi, unë i përkas atij mendimi që PD-PD, derisa kanë rënë dakord që të bëjnë ndryshime në Kushtetutë, këto, të mos përsëritin “masakrës legjislative” të 2008-s. Nëqoftëse Rama, duke parë që ato ndryshime të Kushtetutës, që miratoi brenda një nate, i ranë në kokë, u detyrua publikisht, që t’i pranojë si “nxitim”, si gabime të rënda dhe të pafalshme, ende nuk kemi dëgjuar Berishën  që të shprehë opinionin e tij për “masakrën legjislative 2008”.

Berisha nuk ka arsye që të pendohet. Ai doli i fituar politikisht, pasi i kontrollon, tashmë të gjitha pushtetet, falë atyre ndryshimeve në Kushtetutë, më 2008.

– Ndoshta, edhe pse Berisha i arriti të gjitha ato që dëshironte. Gjithashtu, unë do të dëshiroja që, krahas përpjekjeve dhe angazhimeve për të përfunduar këto brenda 6 gushtit, kohë që nuk është pak, por 16 ditë.

– Vërejmë që në konsultime, përveç PD-PS, do të ftohen vetëm një grup konstitucionalistësh, të cilët do të parapërcaktohen nga dy partitë. A nuk kemi një rreth të mbyllur bisedimesh për ndryshimet e pritshme në Kushtetutë?

– Këto ndryshime që kërkohen të bëhen në Kushtetutë, të dalin nga tavolina e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit, nga projekt-draftet e dy partive, të cilat do t’i konsideroja të sklerotizuara politikisht dhe paraprakisht këto ndryshime të shkojnë në tavolinat e akademikëve kushtetues, profesoratit të katedrave të drejtësisë, subjekteve dhe shoqërisë civile, që janë më afër, të interesuara për këto tematika, dhe më pas ato të diskutohen në tavolinën e burokratëve të Komisionit të Ligjeve, në të cilën nuk mund të them që përveç 4-5 kokave juristë, të tjerët, anëtarë të këtij Komisioni mund të jenë të aftë profesionalisht të diskutojnë për ndryshimet e kërkuara në Kushtetutë.

– Janë hedhur tre drafte në tavolinë. Ju, mund të na jepni një imazh të përmbajtjes të tyre,  sidomos përparësitë?

– Lidhur me idetë e hedhura për ndryshimet në Kushtetutë, ashtu sikundër u shpreh edhe LSI-ja me draftin e saj, jam i mendimit se politikanët e veshur me imunitet, duhet të zhvishen plotësisht. Manteli i imunitetit nuk bën mirë as vetë atyre, por as zhvillimit politik e kërkesave të kohës, ndërkohë, ndaj  një pjese të madhe të politikanëve u janë ngritur akuza të shumta dhe, për shkak të imunitetit, pengohet të hetohen nga prokurorët. Ju jap një shembull. Kemi një ish-ministër të Ekonomisë, deputet, që ka pranuar me gojën e tij, ka ndarë paratë e paligjshme me zëvendësin e tij, dhe çështja e tij penale po zvarritet, që nga zyra e prokurorisë, e të Gjykatës së Lartë. Ndërkohë, ai nuk duhet të ishte në këtë kohë me pushime në Kanada, por në një vend tjetër. Shkaku i këtij qëndrimi zvarritës nga organet e akuzës e të gjykatës, është padyshim, edhe pse i është hequr imuniteti formal, e është dhënë leja e hetimi, ndërkohë prokurorët kanë qenë të penguar për kontrollet që duhet t’i ishin bërë atij, veçanërisht, ana e financimeve bankare, e pse jo, është penguar edhe arrestimi. Ndërsa, përsa i përket imuniteti i gjyqtarëve, jam i mendimit që gjyqtarët duhet të kenë imunitet, me përjashtim të rasteve kur ata akuzohen për vepër penale që lidhen me ushtrimin e detyrës dhe akuza për korrupsion. Në këtë sens, imuniteti i tyre të jetë më specifik dhe me kufizime. Ky është edhe drafti i LSI-së.

– Diktimi i afatit  të 6 gushtit, qoftë nga PD-ja, qoftë edhe nga disa ambasadorë në Tiranë aka të bëjë me esencën e reformës të imunitetit?

– Lidhur me një ngutje, që reforma e imunitetit të miratohet  patjetër në 6 gusht, unë do të thosha që ka kohë të mjaftueshme nëqoftëse deputetët dhe strukturat parlamentare që po organizojnë diskutimet për ndryshimet kushtetuese, punojnë pa ndërprerje. Ndërkohë, që duhet respektuar edhe rekomandimet e faktorit ndërkombëtarë, të cilët kanë rekomanduar datën e mësipërme, për të patur garanci. Muajt e vjeshtës priten ngjarje e vlerësime të tjera, mjaft të rëndësishme për ecurinë e Shqipërisë.

– Në aktualitetin tonë politik, ku politizimi i gjykatave dhe organeve të drejtësisë e të akuzës, është një vullnet politik i diktuar, heqja e imunitetit a ka ndonjë rrezik, qoftë edhe potencial, kundër një pakice, qoftë opozitare, qoftë gjyqtarë?

– Lidhur me pyetjen tuaj, teoricienët konstitucionalistë me imunitetin kanë kaptur parasysh mbrojtjen e individëve politikë, kryesisht të opozitës si edhe të institucioneve të pavarura, ku përfshihen edhe gjyqtarët e të gjitha niveleve, si edhe prokurorët, nga trysnia e kërcënimit politik. Epërsia që institucioni i imunitetit vazhdon të jetë prezent ne shumicën e vendeve evropiane dhe më tej, ashtu sikurse ka edhe shumë vende që kanë bërë kufizime drastike të institucionit të imunitetit. Pra, imuniteti është dhe parashikohet të jetë mbrojtësi i opozitës, kudo dhe nëqoftëse opozita dhe mazhoranca jonë nuk e kanë ndjerë të rezervuar veten ndaj njëra-tjetrës politikisht, ideja për të vënë valvulën e sigurimit ndaj këtij rreziku, duke reformuar organet e drejtësisë, aq më tepër pavarësinë reale të tyre, me duket e arsyeshme dhe racionale.

– Një nga kërkesat e PS-së për të dhënë konsensusin e saj për heqjen e imunitetit, është që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, si edhe Prokurori i Përgjithshëm, të zgjidhen me 84 votë. Është e drejtë kjo kërkesë që të lidhet me heqjen e imunitetit?

Unë e pranoj këtë logjikë. Ruajtja e pavarësisë dhe e ndikimeve të politikanëve, si në zgjedhjen ashtu edhe në veprimtarinë e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, të kryhen me 84 vota.

Ndryshimet kushtetuese, për heqjen e imunitetit duhen parë të veçanta, apo duhen shoqëruar me një tërësi ndryshimesh, që do të rregullojnë mirëfunksionimin e Kushtetutës?

– Patjetër, që duhen shoqëruar me ndryshime të tjera. Megjithëse, ka një nxitim në dukje të ndryshimeve kushtetuese, ne duhet ta pranojmë këtë “sakrificë”, por jam i mendimit se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, tashmë ka nevojë edhe për revizionime të tjera, në thuajse 10-15 dispozita. Nuk po zgjatem në këtë moment, pot dua t’ju sugjeroj grupeve politike parlamentare, dy gjëra, dy çështje.  E para, të bien dakord që ndryshimet e 6 gushtit ( apo kurdo që të ndodhin) të jenë fillimi i një punë për të revizionuar të tjera ndryshime kushtetuese në të ardhmen. E dyta, për nga rëndësia, do të gjykoja që ndryshimet e miratuara në 6 gusht, po të arrihet atëherë, të kalojnë në një proces filtrimi, ratifikimi nëpërmjet shprehjes të vullnetit të gjerë popullor dhe me referendum kombëtar. Ne kështu, jo vetëm respektojmë vullnetin e sovranit, që ta thotë edhe ai fjalën e tij, por jemi korrekt edhe me parashikimet që bën vetë Kushtetuta në nenin 177, pika 4,5, lidhur me detyrimin e procedurave për miratimin e amendamenteve kushtetuese, nëpërmjet referendumit. Nuk ka pse tremben ligjvënësit tanë, të majtë apo edhe të djathtë nga referendumi i miratimit të ndryshimeve të pritshme kushtetuese.

– A duhet që tashmë të debatojmë edhe për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes të Presidentit dhe nga shumatorja e mendimeve të bëhen edhe ndryshimet përkatëse kushtetuese?

–  Ka ardhur koha që të ndryshojmë edhe mënyrën e zgjedhjes të Presidentit. Nuk duhet të krijohen ngërçe politike nga zgjedhja e Presidentit, duke e parë nga interesa partiake. Presidenti duhet të zgjidhet nga populli, dhe jo nga parlamenti. Të bëjmë që tani ndryshimet përkatëse në Kushtetutë, tani që jemi jashtë afateve kohorë të zgjedhjes të Presidentit, duke qenë që edhe gjykimet e qëndrimet do të jenë më gjakftohtë politikisht.

Ndryshimet kushtetuese te ne bëhen kur lindin domosdoshmëria e zhvillimit të shoqërisë apo kur lindin nevojat akute partiake?

Si në 2008-n edhe tani, emergjenca  të pragmatizmit dhe të qëllimeve partiake përcaktojnë edhe natyrën e ndryshimeve në Kushtetutë.

– Pandëshkueshmëria a do të luftohet (vetëm) me heqjen e imunitetit?

Pandëshkueshmërinë nuk është se do ta luftojë heqja e imunitetit. Ajo lidhet me çlirimin e trysnisë të organeve të drejtësisë e gjyqësorit dhe nga depolitizimi i zgjedhjeve të tyre.

E, megjithatë, edhe pse bëjnë kaq propagandë për të luftuar korrupsionin, shikojmë që mungon vullneti politik për të depolitizuar drejtësinë, gjyqësorin e organet e akuzës. Ju pajtoheni me këtë konstatim?

Ata që duhet të bërtasin më shumë, duhet të jenë vetë punonjësit e këtyre organeve. Kanë filluar zëra, të cilët kërkojnë këtë çlirim nga trysnia politike. Dhe kjo është pozitive. Natyrisht, është një proces i gjate, në një vend, ku edhe ku hahet bukë, bëhet politikë, ndaj nuk mund të presim depolitizim të menjëhershëm.

Draftet partiake për heqjen e imunitetit

 Dallimi midis draftit të LSI-së me draftet e partive të mëdha nuk ka në ndryshime parimore, por ka një ndryshim në nuanca dhe që drafti i LSI-së është më radikal. Në qëndrimin ndaj imunitetit të politikanëve. Pra, drafti i LSI-së për heqjen e imunitetit është zero, ndërsa draftet e PD-së dhe PS-së anojnë edhe nga nuanca që kërkojnë diçka  e jo ta bëjnë imunitetin zero. Natyrisht, LSI-ja nuk ka mjete që të plotësojnë parametra kushtetuese për të vënë në lëvizje amendamentet e saj dhe, megjithëse, fryma e amendamenteve të saj është më cilësore dhe e kohës, përsëri do të jemi dëshmitarë të një marrëveshjeje PD-PS për të afruar qëndrimet e tyre.

– Ju faleminderit!