Ndryshime të tjera në qeveri, preken zv/ministra e prefektë

405
Përforcohen dikasteret që do të drejtohen nga të zgjedhurit teknikë, të propozuar nga Partia Demokratike
Ndryshimet në qeverinë “Rama” nuk kanë të sosur. Jo vetëm 7 anëtarë të kabinetit, të cilët ndryshojnë si pjesë e marrëveshjes PS-PD, por edhe disa zëvendësministra e prefektë do të pësojnë lëvizje. Si pasojë e kandidimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare apo forcimit të kontrollit në ministritë ku janë vendosur drejtues teknikë, shefi i qeverisë ka vendosur të bëjë plotësime. Këshilli i Ministrave ka vendosur dje të largojë zv/ministrat Elona Gjebrea, Redi Shtino, Ervin Mete dhe Eridian Salianji. Ata do të zëvendësohen respektivisht nga Rovena Voda (Punët e Brendshme), Gerti Janaqi (Arsimi e Sporti), Irena Beqiraj (Financat) dhe Etilda Saliu Gjonaj (Drejtësia). Të katër këto ministri, ku janë bërë edhe ndryshimet e numrave dy, janë të përfshira në paketën e lëvizjeve politike dhe do të drejtohen nga njerëz teknikë. Në të njëjtën kohë, Mira Kapisyzi është emëruar zëvendësministre e Shëndetësisë, që tashmë do të drejtohet nga një person teknik, pas marrëveshjes Rama-Basha. 

Gjithashtu, kandidimi në zgjedhjet e 25 qershorit i disa prefektëve të qarqeve ka sjellë ndryshime në shumë poste. Qeveria ka bërë dje edhe emërimet për qarqet e Beratit, Durrësit, Elbasanit, Dibrës dhe Fierit. 

Megjithatë këto nuk do të jenë ndryshimet e fundit në postet e larta qeveritare e administrative. Në bazë të marrëveshje të 18 majit mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, ndryshime do të bëhen edhe në drejtimin e disa korporatave dhe drejtorive të rëndësishme. Opozita pritet të propozojë drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ALUIZNI-t, Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Burgjeve dhe Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural. Me mbylljen gjatë ditës së djeshme të fazës së parë të emërimeve, ku përfshihen zv/kryeministri, ministrat dhe krerët e institucioneve të pavarura, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Avokati i Popullit, do të jetë radha pikërisht e 5 drejtorive e institucioneve për të vendosur drejtues teknikë. 

Ndryshimet në qeveri
Elona Gjebrea, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, lirohet nga kjo detyrë.
Rovena Voda emërohet zëvendësministër i Punëve të Brendshme.
Redi Shtino, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit, lirohet nga kjo detyrë.
Gerti Janaqi emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit.
Ervin Mete, zëvendësministër i Financave, lirohet nga kjo detyrë.
Irena Beqiraj emërohet zëvendësministër i Financave.
Eridian Salianji, zëvendësministër i Drejtësisë, lirohet nga kjo detyrë.
Etilda Saliu Gjonaj emërohet zëvendësministër i Drejtësisë.
Mira Kapisyzi emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë.
Valbona Zylyftari emërohet prefekt i Qarkut të Beratit.
Emiljan Jani emërohet prefekt i Qarkut të Durrësit.
Ardit Demiri emërohet prefekt i Qarkut të Elbasanit.
Ardit Kaja emërohet prefekt i Qarkut të Dibrës.
Vasil Bregu emërohet prefekt i Qarkut të Fierit.
Pandi Papando emërohet prefekt i Qarkut të Korçës.
Admir Abrija emërohet prefekt i Qarkut të Tiranës.
Sigal