Ndryshime në Departamentin e Shtetit, ja kush mbulon Shqipërinë

634
Administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, ka arritur pas shumë muajsh, të realizojë disa ndryshime në postet drejtuese të Departamentit të Shtetit, që do të prekin edhe Shqipërinë. Senati ka konfirmuar zgjedhjen e presidentit Trump për detyrën e ndihmës sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-Aziatike. A. Wess Mitchell do të marrë detyrën e lënë nga Viktoria Nuland, një emër i njohur në politikën dhe opinionin publik shqiptare. Vetëm një vit më parë, ajo negocioi me krerët e shtetit e politikës në Tiranë lidhur me reformën në drejtësi dhe ndryshimet u pagëzuan si “Paketa Nuland”. Pasuesi i saj, i cili ndër shumë detyra të tjera, do të mbulojë edhe çështjet e Shqipërisë, vjen nga Virxhinia dhe është një ekspert i NATO-s dhe marrëdhënieve transatlantike. Në vitin 2005, ai bashkëthemeloi Qendrën për Analizat e Politikave Evropiane dhe shërbeu si president e drejtues i saj deri në vitin 2009. Mitchell ka shërbyer edhe në shumë borde politikash në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Ai ka ndjekur studimet në “Tech University” në Teksas, në “Georgetown University School of Foreign Service”, si dhe në “Freie Universität” në Berlin. Sipas jetëshkrimit zyrtar, është folës i gjermanishtes dhe ka studiuar edhe gjuhë të tjera. Mitchell u propozua në këtë detyrë në fund të muajit korrik nga shefi i Shtëpisë së Bardhë, por vetëm më 28 shtator 2017 arriti në marrë konfirmimin nga Senati, edhe pas një seance pyetje-përgjigje në Komitetin e Politikës së Jashtme. Në këtë seancë, Mitchell u shpreh se do të nxiste Moskën të ndalonte veprimtaritë destabilizuese në Ukrainë, Gjeorgji, Moldavi dhe Ballkan, si dhe mbështetjen për regjimet në Siri dhe Iran. 

Ndërkohë, në mbyllje të detyrës së tij është edhe Hoyt Brian Yee, zv/ndihmëssekretari i amerikan i Shtetit, i angazhuar intensivisht edhe në zgjidhjen e krizës së fortë politike në Shqipëri përpara zgjedhjeve të qershorit. 
Sigal