Ndregjoni: Situata ku ndodhemi, nuk do një opozitë të fjetur dhe pa alternativa

501
“Ndodhemi në një situatë ku shteti nuk funksionon, ku drejtues të lartë të shtetit janë nën urdhrat e krimit dhe kur kreu i SHISH u detyrua të largohet”
Presidenti i Unionit Mbarëkombëtar të të Përndjekurve, Besim Ndregjoni, ndërsa e konsideron situatën në vend, të paprecedent dhe një qeverisje të rënë moralisht dhe politikisht, shprehet se përmbysja e këtij sistemi nuk mund të bëhet nga një opozitë, e cila deri në këto momente po tregon se është e fjetur. Ai i bën thirrje partive politike por dhe intelektualëve e mediave të kontribuojnë për të ruajtur demokracinë e vendit, që sipas tij si sot nuk është gjendur në asnjë situatë në 27 vite. Për Ndregjonin, kryeministri Edi Rama është kthyer në një diktator dhe shumë shpejt ai do të gllabërojë të gjitha kompetencat e shtetit. Pra, sipas tij, pushteti është duke marrë të gjithë kompetencat e shtetit, ndërsa krimi ka zaptuar gjithë strukturat e kësaj qeverisjeje. Ai flet edhe për situatën në Elbasan, ndërsa jep, mendimin e tij për rrugët që duhen përdorur për të rrëzuar qeverinë Rama. 
Zoti Ndregjoni, opozita e bashkuar është shprehur se do të nisë shumë shpejt protestat për të rrëzuar qeverinë. Mendon se e ka forcën e duhur në këtë moment?
Për mendimin tim, opozita në këtë situatë aspak të mirë të zhvillimit të demokracisë nuk duhet të jetë kaq e fjetur. Duhet të marrë menjëherë masa për ta çuar popullin drejt një zgjidhjeje politike, situatën të cilën kjo mazhorancë dhe ky kryeministër e dërgoi në këtë pikë kulminante pas një mosqeverisjeje të mirë dhe të një rritjeje në përmasat më të larta të krimit të organizuar. Sot ka ardhur koha që opozita të marrë menjëherë stafetën të bëjë ndryshimin. Ndryshe, nëse ajo hesht, atëherë demokracia në Shqipëri nuk është në funksion të plotë. 

Si mendon se do të arrihet një ndryshim për të cilin Ju flisni?
Sot dëgjova konventën e LSI kam dëgjuar dhe deklaratat e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha dhe unë mendoj që opozita nuk duhet të mbetet në planin deklarativ, duhet të jetë në aksione politike. Por ka diçka, duhet që opozita të kthejë një besim tjetër te shoqëria, se nuk krijohet besimi me deklarata, me Facebook, me daljen para medieve, duhet plan konkret kombëtar që shoqëria të bindet në planin opozitar që duhet të bëhet ky ndryshim me çdo kusht. Realisht, politikisht dhe moralisht kjo qeverisje ka rënë, domethënë, shoqëria ndodhet përballë mosqeverisjes. 

A do jetë në gjendje opozita t’i kthejë shpresën popullit që të dënojë krimin e organizuar, trafiqet dhe të japë shpresën e qeverisjes së mirë ?
Ndodhemi në një situatë ku shteti nuk funksionon, ku drejtues të lartë të shtetit janë nën urdhrat e krimit dhe kur kreu i SHISH u detyrua të largohet. Kemi situata kaotike kur kryeministri po merr të gjitha kompetencat e shtetit me qëndrimin e tij dhe një opozite që nuk po qëndron. Dhe që të bësh këtë, duhet të paraqesësh alternativat e një qeverisjeje që dënon krimin që ndan pushtetet. Demokracia i ka pushtetet e ndara. Ky kryeministër po shkon drejt një diktature. Tani po përgatitet të marrë dhe prokurorin e përgjithshëm. Demokracia nuk po zhvillohet. Jemi në një situatë ku pushteti po merr kompetencat e shtetit. Mendoj që nuk duhet të ngelemi vetëm në lëvizjen e ndërkombëtarëve e të ambasadorëve. Opozita të dalë dhe të paraqesë alternativën dhe besueshmërinë ndaj popullit. Por që të bëhet kjo, duhet të kesh një moral shumë të lartë, në të kundërt të kësaj qeverisjeje, e cila është amorale. Duhet të dënojmë korrupsionin galopant që ka përfshirë pushtetin vendor dhe qendror. Jemi në në një pikë kritike që kurrë demokracia nuk ka qenë në 27 vite. Në një pikë, ku media kërkohet të përbuzet nga kryeministri. Ku shumë analistë dhe intelektualë janë duke u bërë njësh me kryeministrin. Një media aspak e vetëdijshme për të keqen që po i kanoset Shqipërisë. Përveç opozitës edhe intelektualët nuk duhet të jenë të fjetur si në vitet ‘90. Duhet të çohen të mbrojnë kombin, demokracinë, lirinë. Ne si komb shquhemi për një ndërgjegjësim të ulët. Ne duhet t’i dalim zot fateve tona, lirisë dhe demokracisë. Prandaj nuk është problemi vetëm i opozitës, por edhe i gjithë shqiptarëve që duhet të mendojnë si të dalin nga kjo situatë kur e ka mbërthyer krimi i rrugës, kanabisit. Jemi në një situatë ku Shqipëria nga një vend NATO-s po kthehet në një shesh beteje mes krimit dhe të pafajshmëve. Unë shpresoj tek intelektualët, tek reflektimi i opozitës dhe forca progresive e shqiptarëve të dalin në pah. 

Më lart the se kjo qeveri është duke u përgatitur të kap edhe institucionin e hetimit. Pse mendoni kështu?
Vet deklarata kryetarit të komisionit të ligjeve që tha, se në 3 dhjetor duhet të pregatisim kryeprokurorin e ri dhe të mos presin organet e vetingut të lë të kuptosh një gjë të tillë. Opozita nuk duhet të bjerë pre e kësaj loje të mazhorancës, por të kërkojë me çdo kusht vendosjen e organeve të vetingut. Atherë ne nuk i lëmë hapësirë mazhorancës të marrë forcën e shtetit, por të rrinë në të drejtën që i kanë dhënë qytetarët për të qeverisur. 

Ditët e fundit kemi një situatë e cila mund të konsiderohet jo normale në Elbasan, ku shumë persona janë nën hetim dhe të tjerëve po u verifikohet pasuria. Si e keni parë?
Elbasani si qytet në mesin e Shqipërisë, është kthyer në një qytet në Sicili, ku krimi i organizuar ka kap gjithë qeverisjen qendrore që nga Bashkia e Elbasanit, organet e tjera drejtuese vendore, shumë politikanë, shumë institucione në Elbasan kanë dalë zbuluar para popullit me krimin e organizuar. Doli dhe çështja që ka lidhje me ish- ministrin e drogës. Në asnjë vend të botës nuk mund të mendohet se kur një biznesmen që paraqitet me dy patentat e ish-ministrit dhe më shumë se 800 mijë eurot në makinë, mazhoranca e cila e mbrojti me forcë këtë ish-ministër tani ka vetëm heshtje. Habitem që dhe policia merr rolin e organeve të drejtësisë që përcakton se kush është vepër penale. Këtë denoncim nuk e bëri policia por kryetari i opozitës, Vetëm pas kësaj doli që policia ndaloi keqbërësin. Jemi në një situatë shumë të keqe. Ndjeva një kënaqësi që prokuroria më në fund ka hapur kartat për kontrollin e këtyre personave. Elbasani nuk e meriton që të drejtohet nga oligark mafioz.

Cili do të jetë roli juaj si Union mbarëkombëtar i të përndjekurve në këtë situatë?
Ne si Union kemi bërë një prononcim mediatik para një muaji. Ne i bëjmë thirrje gjithë shqiptarëve, jo vetëm opozitës. Unioni Mbarëkombëtar është shumë sensibël dhe shumë i vëmendshëm ndaj kësaj situate. Unioni e ka mësuar nga diktatura se kur pushteti kap shtetin. Do të jemi në sheshe në protesta. Do të jemi duke dhënë mendimet tona sesi të luftohet krimi, kemi kapacitete që të japim ndihmë. Do bashkohemi të gjithë ne shqiptarët, të ndalim krimin ta luftojmë atë, ndryshe do të jemi fajtor ndaj të ardhmes dhe fëmijëve tanë. Aksioni kundër krimeve të mos njoh ngjyrime. Jemi dakord për aksione politike dhe besueshmëri ndaj ndryshimit të kësaj qeverisjeje. 
Sigal