‘Ndoshta bimë kjo tokë s’do të lindë, por do të rrisë partizanë’, Presidenti Meta kujton 75-vjetorin e Konferencës së Pezës

540
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar për 75-vjetorin e Konferencës së Pezës. Për të kujtuar këtë krahinë martire dhe patriotin Myslym Peza dhe kontributin e pakrahasueshëm në Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare, kreu i shtetit përdori disa vargje.
“Konfereca e Pezës e vendosi Shqipërinë në rrugën e duhur dhe në aleancën e duhur, në aleancën e lirisë të asaj kohe. Dhe në atë traditë të mrekullueshme edhe sot Shqipëria është në aleancën më të madhe të lirisë, në Evropë dhe në botë, që është ajo e NATO-s”,- tha Meta.
FJALA E PLOTE
E nderuara zonja Hysi, Nënkryetare e Kuvendit,
Të nderuar përfaqësues të Kuvendit dhe pushtetit vendor,
Të dashur veteranë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare,
Është një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua të marr pjesë në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm, në 75-vjetorin e Konferencës së Pezës, ngjarje e jashtëzakonshme e cila hodhi themelet e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe e cila bashkoi forcat më pozitive, më patriotike të Shqipërisë në një front të vetëm antifashist, që më pas përgatiti 29 nëntorin e vitit 1944. Ndaj, jemi këtu për të shprehur mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata përfaqësues që lanë dallimet politike dhe idetë e ndryshme dhe u bashkuan këtu në Pezë për një qëllim të përbashkët dhe madhor për çlirimin e vendit nga pushtuesi. Jemi këtu për të shprehur mirënjohjen edhe ndaj popullit të Pezës dhe ndaj patriotit të jashtëzakonshëm Myslym Pezës, i cili falë patriotizmit të tij, burrërisë së tij, besës së tij, ndihmoi që të bashkoheshin këtu forcat më patriotike të kohës, nacionalistët, antifashistët, komunistët me një platformë të vetme dhe një platformë të përbashkët.
Peza e pagoi shtrenjtë Konferencën që u mblodh këtu. Peza u gjakos dhe u dogj si asnjë krahinë tjetër në Shqipëri sepse ajo sfidoi pushtuesin pikërisht nën hundët e tij. Ajo i hodhi themelet e bashkimit të luftës për liri pikërisht kaq pranë kryeqytetit të vendit dhe mesazhi i saj u shpërnda anembanë Shqipërisë në një kohë shumë të shpejtë.
Nëse do të përsërisja dhe një herë ato vargjet ‘ndoshta bimë kjo tokë s’do të lindë, por do të rrisë partizanë’, këto janë vargje të cilat janë shkruar në radhë të parë për krahinën e Pezës e cila është vërtetë një krahinë martire, e cila është një krahinë me kontribute të jashtëzakonshme dhe të pakrahasueshme në Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare.
Sot, pikërisht 75 vjet pas Konferencës së Pezës kemi dhe një koiçidencë kuptimplotë, mblidhen Shefat e Shtabeve e të gjithë vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë sepse Konfereca e Pezës e vendosi Shqipërinë në rrugën e duhur dhe në aleancën e duhur, në aleancën e lirisë të asaj kohe. Dhe në atë traditë të mrekullueshme edhe sot Shqipëria është në aleancën më të madhe të lirisë, në Evropë dhe në botë, që është ajo e NATO-s.
Pezën jo vetëm ta kujtojmë dhe gjithashtu këtë Konferencë të lavdishme, por mesazhet e saj duhet gjithmonë t’ja përshtasim të tashmes dhe të ardhmes duke gjetur gjithmonë forca dhe vetëdije për t’u bashkuar dhe për të bashkëpunuar për të mirën e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve.
Lavdi Konferencës së Pezës!
Lavdi popullit të Pezës!
Lavdi Myslym Pezës!
Lavdi dëshmorëve të atdheut dhe jetë të gjatë veteranëve që i kemi këtu dhe kudo ku ndodhen!
Sigal