Ndoka: Administrata do siguri. Rama, jo pastrim përmes grupeve të punës

31
Kreu i Demokristianëve, Nard Ndoka analizon situatën në Partinë Demokratike dhe fushatën e nisur nga Kryeministri për pastrimin e administratës
Mbështetjen e tij për kryetarin e ngrirë të Partisë Demokratike Lulzim Basha, kreu i Demokristianëve, Nard Ndoka, e ka shfaqur më herët, qysh në momentin kur mori mandatin në Qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e 25 qershorit dhe mësoi se PD-ja nuk ishte fituese. Pati deklaruar se Basha i duhet PD-së për të çuar përpara kauzat e ngritura gjatë fushatës. Madje menjëherë pas zgjedhjeve ai u ktheu përgjigje edhe kritikëve të Bashës brenda PD-së, të cilët kërkuan largimin e menjëhershëm të tij. Për Ndokën, zërat kundër janë pjesë e demokracisë brenda partisë, por ai nuk ka qenë dakord me mënyrën se si është proceduar nga një pjesë e madhe e qejfmbeturve në PD. Edhe sot ndan të njëjtin qëndrim. I pyetur nga gazeta “Telegraf”, se ç’mendon për situatën e krijuar brenda Partisë Demokratike dhe si e sheh pozicionin e Lulzim Bashës, Ndoka shprehet se nuk sheh asgjë të pazakontë. Për të PD-ja në këto momente është në një proces zgjedhjeje dhe nuk ka ndonjë surprizë të veçantë. Është i bindur se Basha do të jetë lideri i PD-së. Por gjithsesi ka një mesazh për të. Thotë se në këto momente, partia më e madhe opozitare në vend duhet të futet në në proces reformimi të thellë. Ndërkohë që shton se ajo duhet të mundësojë bashkimin me të gjithë spektrin e djathtë. “Partia Demokratike është në procesin e zgjedhjes së kryetarit të saj. Nuk shoh ndonjë problem të brendshëm apo surpriza. Lulzim Basha me shumë gjasë do rizgjidhet kryetar dhe opozita do vazhdojë me kohë të plotë misionin e saj kushtetues. Partia Demokratike ka nevojë për reformë të thellë strukturor në bazë, hapje dhe bashkim me të gjithë spektrin e djathtë”, deklaroi Nard Ndoka për gazetën “Telegraf”. 
Pastrimi i administratës
Ndërsa i pyetur lidhur me nismën e kryeministrit Edi Rama për pastrimin e administratës shtetërore me mënyrën e tij, Ndoka jep mendimin kundër formës që pritet të përdoret. Ai e konsideron një pastrim politik dhe aspak profesional. Për Ndokën, Rama është duke bërë një gabim të madh, kur mendon se me anë të grupeve të punës, do të bëjë të mundur pastrimin e administratës. Ai shprehet se i gjithë ky proces duhet të bëhet në rrugë institucionale dhe aspak politike. “Reforma në administratë nuk bëhet me grupe pune, por në rrugë institucionale. Administrata ka nevojë për siguri dhe sistem meritokracie, ka nevojë për vlerësime dhe jo për spastrime”. Kështu u shpreh deputeti Demokristian, Nard Ndoka. Për Ndokën shefi i qeverisë nuk duhet të përfshihet në fushatën për pastrimin e administratës, sepse ky do të ishte një gabim fatal. Ai shprehet se çdo lëvizje duhet të bëhet përmes një sistemi të sigurt dhe nuk duhet të përdoren deputetët për të bërë presion mbi punonjësit e administratës. Po kështu Ndoka shton se, me shumë gjasë, Edi Rama të gjithë këtë fushatë e bën vetëm për të bërë pastrime politike dhe aspak ligjore dhe profesionale.