Ndihmës sekretari i ri i SHBA-ve Philip Reeker: Shqipëria të luftojë krimin e organizuar. As ministrat dhe kryebashkiakët nuk janë mbi ligjin

428
Sigal

VOA/Philip Reeker: “Shqipëria duhet të luftojë krimin e organizuar dhe të tregojë se askush nuk qëndron mbi ligjin.”

Philip Reeker, Këshilltar i Komandantit të Forcave ushtarake amerikane në Evropë, i cili së shpejti pritet të marrë detyrën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën, në një konferencë shtypi nga Shkupi, midis të tjerave, u ndal edhe tek zhvillimet në Shqipëri, duke thënë se janë bërë shumë përpjekje në rrugën e reformave, por se duhet çrrënjosur korrupsioni, të ristrukturohen institucionet kyçe të sundimit të ligjit, të reformohet gjyqësori: “Shqipëria duhet të luftojë krimin e organizuar dhe të tregojë se askush nuk qëndron mbi ligjin. Në mënyrë që të hapen bisedimet zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian”. Ambasadori Reeker tha se të gjitha partitë duhet të tregojnë se ndajnë synimet e njëjta. “Opozita doli në rrugë dhe i djegur mandatet; duhet bërë shumë punë urgjente brenda proceseve demokratike. U kërkojmë të gjithë drejtuesve politikë që të shfaqin vullnet politik për t’u angazhuar në institucionet demokratike të Shqipërisë për t’i çuar reformat përpara. Dhe nëse palët ushtrojnë të drejtën demokratike për të protestuar, kjo duhet bërë në mënyrë paqësore”.

Philip Reeker: Kosova nuk dorëzon asgjë duke negociuar. Por, rrezikon gjithçka duke mos negociuar

Philip Reeker, i cili së shpejti pritet të marrë detyrën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën e quajti përparësi historike dhe strategjike të Shteteve të Bashkuara arritjen e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nën dialogun e ndihmuar nga BE. “Presidenti Trump u ka bërë thirrje drejtuesve në Kosovë dhe në Serbi që të shikojnë përtej mendimeve për humbjet apo fitoret e së kaluarës dhe të ecin përpara së bashku drejt një të ardhmeje më paqësore dhe në mirëqenie. Për qytetarët e Kosovës, ne e kuptojmë zhgënjimin tuaj, dëshirën për të kontrolluar fatin tuaj dhe për të çuar përpara integrimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar. Nuk vihet në pyetje mbështetja amerikane për sovranitetin dhe pavarësinë tuaj. Amerika ka investuar shumë në drejtësinë për suksesin e Kosovës si një shtet i pavarur, shumetnik dhe sovran. Amerika, mbase mikja dhe partnerja më e afërt strategjike e Kosovës beson se arritja e një marrëveshjeje me Serbinë është rruga e vetme përpara për Kosovën. Ne nuk jemi duke kërkuar të paarritshmen, por vetëm pezullimin e përkohshëm të taksave. Pastaj do të mund të shohim se çfarë mund të arrihet në tryezën e bisedimeve. Nuk nënshkruhet asnjë marrëveshje pa pasur marrëveshje mbi të gjitha aspektet e saj. Kosova nuk dorëzon asgjë duke negociuar. Por, rrezikon gjithçka duke mos negociuar”, u shpreh ambasadori Reeker.