Ndërpritet Mbledhja e Këshillit Bashkiak, pas debateve të ashpra

443
Mbledhja e këshillit Bashkiak të Tiranës është ndërprerë pas debateve. Këshilltari i djathtë, Leonard Olli deklaroi se mbledhja u ndërpre pasi opozitarët kërkojnë informacione nga bashkia në lidhje me dëbimin e romëve nga zona e liqenit si dhe për mungesën e regjisë qendrore gjatë mbledhjes. Olli akuzoi Bashkinë se i ka lënë në terr informativ, i cili sipas tij është i papranueshëm. Sipas Ollit, Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi ka shkelur kompetencat kur ka nisur të lexojë një letër të bashkisë.

Shqetësimi i parë ishte fakti se nuk ishte regjia qendrore që përcjell live çdo gjë që ndodh, kjo sepse moderatori, ai që ia ka kaluar kujtdo me prezencë televizive, nuk ishte prezent. Pra edhe nga pikëpamja e procedurës ndodhi diçka e shëmtuar kur në kërkesën për informacion me debat nga ana e kryebashkiakut Veliaj lidhur me dëbimin e komunitetit rom nga zona e Liqenit, për të cilën ka një replikë shumë të fortë të të gjitha institucioneve shqiptare, për fat të keq edhe pse në mungesë u ra dakord që debati për këtë çështje do zhvillohej brenda disa ditëve, u lexua një deklaratë e turpshme për shtyp.. nga zoti Dalipi duke shkelur kompetencat. Këtu janë shkrirë komplet elementët, kërkuam diskutime të lira, këshilltarët kishin problematika si rasti i përmbytjeve, dëbimi i romëve, i bërë në shpërfillje të konventave ndërkombëtare, gjë të cilën e bëri në emër të një masterplani që para 1 muaji e mohoi se ekzistonte. Pra ne jemi në një terr informativ për atë që ndodh në këtë bashki, marrim vesh vetëm nga mediat”,- tha ai.

Olli më tej e cilësoi Veliajn një zgjatim i Ramës, i cili nuk merr mundimin të informojë për atë që ndodh në bashki. “Këtë gjë mund ta kishte bërë nënkryetarja. Jemi përtej çdo minimumi demokratik. Ne donim të zhvillohej brenda javës, nuk kishte arsye pse zoti Dalipi të lexonte deklaratën e bashkisë. Kryetari i Këshillit Bashkiak shkeli kompetencat”.
Në lidhje me romët, Olli tha se ata janë dëbuar me forcë, janë marrë natën në kamione dhe janë dërguar jashtë Tirane.

MBLIDHET KESHILLI BASHKIAK, PD KERKON INTERPELANCE ME VELIAJN
Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur sot, ndërsa të djathtët kanë kërkuar interpelancë me kryebashkiakun Erion Veliaj për çështjen e romëve. Kreu i Këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli ka kërkuar që kjo interpelancë të futet jashtë rendit të ditës. “Kërkesa për interpelancë të futet jashtë rendit të ditës. Interpelanca për çështjen e zhvendosjes së romëve”, tha Olli. Por nga ana tjetër, Kreu i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi tha se kërkesa i ka kaluar Bashkisë. “Kërkesën tuaj ia kemi kaluar bashkisë dhe besoj se mbledhjen e ardhshme pas një jave të mundësojmë një interpelancë me kryebashkiakun”, tha Dalipi. “Jemi dakord po jo më shumë se një javë pasi çështja është shumë e mprehtë dhe nuk pret”, u shpreh Olli. Më tej kreu i Këshilltarëve të djathtë, kërkoi që në çdo mbledhje të kishte hapësirë jashtë rendit të ditës ku këshilltarët të diskutojnë problematike që i hasin në zonat ku janë zgjedhur. “Duam që në çdo mbledhje jashtë rendit të ditës këshilltarët të diskutojnë problematika që i hasin në zonat ku banojnë dhe janë të zgjedhur”, tha Olli. Ndërsa Dalipi u përgjigj se referuar ligjit kërkesat duhet të depozitohen para se të prezantohet rendi i ditës.
Sigal