Ndërprerjet e energjisë, CEZ rrezikon gjobë

440
Sigal

ERE gati të gjobisë kompaninë e shpërndarjes së energjisë në vend, “CEZ”

Kompania e shpërndarjes së energjisë në vend, “CEZ”, rrezikon të marrë një tjetër gjobë nga Enti Rregullator i Energjisë, dhe këtë herë nuk ka lidhje me importet, por me ndërprerjet masive të energjisë në disa zona në vend. Kompania prej kohësh ka ndërmarrë një fushatë duke ndërprerë energjinë për klientët debitorë, por duke hasur në rilidhje të jashtëligjshme, kompania ka gjetur si zgjidhje stakimet e linjave, duke përfshirë gjithë zonën. Edhe pse kompania “CEZ Shpërndarje” ka argumentuar disa herë se ndërprerjet janë bërë në zona ku arkëtimet janë vetëm një për qind, nga ana e Entit Rregullator të Energjisë janë ngritur dyshime se ka edhe “abuzim” në këtë aspekt. Burime nga ERE thanë dje për “Panorama” se është ngritur një grup pune, i cili do të japë edhe versionin e tij pas verifikimeve në terren dhe të dokumentacioneve, pasi dyshohet që CEZ ka bërë ndërprerje masive të energjisë edhe në zonat ku arkëtimet janë 40 për qind. Nëse kjo rezulton e vërtetë, atëherë kompania çeke rrezikon që të marrë gjobën e dytë nga Enti Rregullator i Energjisë dhe të tretën nëse përfshijmë këtu edhe gjobën e “majme” të Tatimeve. ERE do të diskutojë në bordin e komsionerëve të hënën që vjen detajet që mund të jenë konstatuar nga grupi i punës, si dhe do të vendosë nëse CEZ do të marrë një tjetër gjobë dhe masën e saj, sipas hapësirave që përcakton ligji.

Ahmetaj: Qeveria dhe ERE përgjegjëse për abuzimet e CEZ!

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj vijoi edhe dje akuzat për abuzime ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje. “Sot do ju tregoj shqiptarëve se si transferohen paratë nga CEZ tek kompanitë e tjera.  CEZ Albania ka faturuar mbi 30 mln $ nga CEZ Shpërndarje për shërbime konsulence”, tha ai, duke shtuar se këto janë abuzime që iu faturohen qytetarëve shqiptarë. Ahmetaj bëri publike edhe faturën e energjisë së një shtëpie të pabanuar, që sipas tij ishte faturuar 1 milion lekë të vjetra. Ai tha se ky ishte një abuzim i drejtpërdrejtë, ndërsa bëri përgjegjës edhe njëherë Qeverinë dhe Entin Rregullator të Energjisë për këtë. “Kjo është një piramidë e re, rëndon mbi familjet shqiptare. Përgjegjëse për gjendjen alarmante të sistemit elektro-energjetik shqiptar është Qeveria dhe ERE”, tha ai.