Ndalohen në kufi protestuesit e Partisë Demokratike

447
Disa aktivistë të Partisë Demokratike janë ndaluar nga policia në pikat e kalimit të kufirit gjatë ditëve të festës së Vitit të Ri, duke u akuzuar për pjesëmarrje në mitingun e opozitës përpara Kuvendit më 18 dhjetor. Një aktiviste e opozitës, pjesëmarrëse në protestën përpara parlamentit, është ndaluar në pikën kufitare të Morinës. Fiqirije Nezaj, mosha 50 vjeç, mësohet se ishte shpallur në kërkim, ndërkohë që ajo vetë ka thënë se nuk ka pasur asnjë dijeni mbi urdhrin e ndalimit. Nezaj, pasi është dërguar në Komisariatin e Policisë Kukës dhe ka thënë deklarimet e saj, është lënë e lirë. Ajo ishte personi i dytë që u ndalua në pikat kufitare, pasi më 31 janar u ndalua edhe ish-shefi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Osman Levanaku, në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës, ndërsa po udhëtonte drejt Strugës. Edhe ai rezultonte person në kërkim policor për shkak të pjesëmarrjes në protestën e 18 dhjetorit. Gjithashtu një numër tjetër protestuesish u ndaluan nga policia menjëherë pas protestës kundër zgjedhjes së kryeprokurores së re, ndërsa janë nën hetim edhe disa deputetë për veprimet brenda sallës së Kuvendit. Është hera e parë që protestuesit nuk kërkohen nga policia, por ata bllokohen gjatë kalimit të kufirit. Edhe më parë, në rastin e protestave të dhunshme si ajo e 21 janarit 2011, nuk pati bllokime në kufi të qytetarëve, ndonëse niveli i përleshjeve dhe dhunës ishte shumë herë më i lartë.
Sigal