Ndahet nga jeta Arbër Xhaferri, prej ditësh ndodhej në koma

586
Sigal

Shuhet një nga personalitetet më të shquara të politikës mbarëshqiptare, Arbër Xhaferri

 

Ish-kryetari i PDSH-së, në Maqedoni dhe njëherazi kryetar nderi i kësaj partie, Arbër Xhaferri është ndarë nga jeta dje pasdite, në moshën 64-vjecare. Lajmi konfirmohet nga zëdhënësi i PDSH, Agon Ferati. Xhaferri ra në gjendje kome para gati 7 ditësh. Shkak u bë një hemorragji cerebrale në tru, që pati mbrëmjen e 8 gushtit, rreth orës 21:00, në banesën e tij në Tetovë. Gjatë këtyre ditëve, Xhaferri u kurua në Klinikën neurokirurgjie në Shkup. Mjekët bënë përpjekje për shpëtimin e tij, ndërsa gjendja shëndetësore e tij sa vinte dhe rëndohej. Edhe pse i ishin vendosur aparate frymëmarrjeje, zemra e Xhaferrit ndali së rrahuri dje pasdite rreth orës 17:00 në spital. Ferati tha se, ceremonia mortore për Arbër Xhaferrin pritet të zhvillohet sot.  Ish- kryetari i PDSH-së, Arbër Xhaferi, vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte edhe shkak për tërheqjen e tij nga aktivitetet partiake. Arbër Xhaferri u lind në qytetin e Tetovës më 24 janar të vitit 1948. Zoti Xhaferi ka punuar në redaksinë e Kulturës të Televizionit të Prishtinës dhe, në fillim të viteve ‘90, u rikthye për të jetuar në Tetovë. Në vitin 1994 themeloi Partinë për Prosperitet Demokratik Shqiptar, e cila më pas ndryshoi emër në Partia Demokratike Shqiptare. Ai e drejtoi këtë parti deri në vitin 2007. Xhaferri ka qenë deputet i Parlamentit të Maqedonisë që nga viti 1994. Ai synonte krijimin e një sistemi dydhomësh në institucionin ligjvënës. Në kohën e konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet. Ai është një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, por me zvarritjen e zbatimit të saj, ai synonte një marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve.  Xhaferri njihej për opinionet filozofike gjatë paraqitjeve në media dhe është autor i shumë eseve dhe artikujve analitikë, pas tërheqjes nga politika aktive.

Partitë politike shprehin ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Arbër Xhaferit

Kryeministri Berisha, në një mesazh që i drejton familjes së të ndjerit shpreh ngushëllimet e tij për humbjen e Arbër Xhaferit. “Ndarja nga jeta e njeriut tuaj më të dashur, udhëheqësit politik, të urtë dhe vizionar, themeluesit dhe Presidentit të Nderit të PDSH-së, avokatit të vendosur të shqiptarëve në Maqedoni, dhe çështjes shqiptare në tërësi, është lajm që sjell pikëllim të thellë dhe trishtim të madh tek ju, por edhe tek miqtë e tij dhe mbarë shqiptarët. Me ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferrit, bota e mendimit dhe elita politike e kombit, humbën njërin prej personaliteteve më të shquara të dekadave të fundit, vlerat dhe kontributi thelbësor i të cilit, në emancipimin kombëtar dhe shoqëror të kombit tonë, janë një trashëgimi tejet e çmuar, që meritojnë mirënjohje të thellë të të gjithë shqiptarëve, për sot dhe brezat që vijnë.

Kryesocialisti Edi Rama nëpërmjet rrjetit social Tvvitter ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferit, duke e vlerësuar si shqiptarin jotipik që hapi rrugë të pashkelura me trimëri të jashtëzakonshme intelektuale. “Arbër Xhaferri ishte një shqiptar jotipik që tha të vërteta të mëdha e hapi rrugë të pashkelura me trimëri të jashtëzakonshme intelektuale. Vdekja e tij një humbje e madhe për botën shqiptare në disa përmasa që veç Arbër Xhaferri i mishëronte në një njeri të vetëm. U prehtë në paqe”, shkruan Rama. Edhe Aleanca Kuq e Zi ka ngushëlluar familjen e Arben Xhaferit. Në mesazhin ngushëllues të saj AK-ja shprehet se sot është ndarë nga jeta dhe nga ne Rilindasi i madh, duke e vlerësuar Xhaferin si mendja më e kthjellët politike në trojet shqiptare. Nga ana tjetër edhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është bashkuar në ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Arben Xhaferit. “Ngushëllime për humbjen e patriotit politikanit e publicistit. Xhaferri një nga udhëheqësit më të palodhur të kombit shqiptar. Humbja e tij përbën një moment zie në historinë moderne të kombit. Të zotohemi të çojmë para idealet e Xhaferrit për bashkim kombëtar” përfundon mesazhi i ngushëllimit të PDIU-së.