NATO përgënjeshtron qeverinë për Meçollarin: Nuk lëshojmë certifikata sigurie. Si u vodh batanija pa dashje

659
Habit Xhaçka: Meçollari vodhi një batanije se kishte ftohtë
Debate të ndezura në Komisionin parlamentar të Sigurisë. Ministrja e Mbrojtjes pranon problemet e të zgjedhurit si negociator në marrëveshjen me Greqinë
Integriteti i kapiten Artur Meçollarit, një prej ekspertëve detarë në grupin e negociatorëve për marrëveshjen e detit me Greqinë, ka ngjallur për më shumë se 2 orë e gjysmë debate në Komisionin parlamentar të Sigurisë mes anëtarëve të opozitës dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Ministrja e Mbrojtjes, gjatë gjithë debatit, deklaroi pastërtinë e figurës dhe personalitetit të Meçollarit, fakt të cilin sipas saj, e ka vërtetuar edhe gjykata. “Në gjykatë asnjëherë nuk është çuar asnjë provë kundër Meçollarit, nuk ka, dhe certifikatën e sigurisë ia ka dhënë ai që sot ju jep këto thashetheme për të”, tha ministrja Xhaçka. Ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë dhe deputeti aktual i PD-së, gjeneral Xhemal Gjunkshi ka qenë i drejtpërdrejtë me pyetjet ndaj ministres Xhaçka. “A ka dosje spiunazhi për Meçollarin dhe vendim për përgjim nga prokurori i përgjithshëm?”, ngriti pyetjen Gjunkshi. “Nuk ekziston asnjë dosje për Meçollarin, nuk ka dosje. Ju zoti Noka dihet ta dini më mirë ketë si spiun i serbëve që jeni. Ai është marrë vetëm një herë në përgjim dhe duhet ta dini se thashethemet nuk janë prova”, tha ministrja. Përveç akuzave për spiunazh, ish-shefi i Shtabit aludoi edhe për përjashtim të Meçollari gjatë kohës që ishte student në shkollën “Skënderbej” për vjedhje. Gjunkshi e pyeti ministren nëse kishte dijeni për përjashtimin 1 vit të Meçollarit për vjedhje. “Është për të ardhur keq që degraduat nga spiunazhi, tek akuzat e vjedhjes për një batanije kur ishte student se kishte ftohtë”, tha Xhaçka, duke e pranuar këtë fakt. Ndërkohë, anëtarët e opozitës në Komisionin e Sigurisë deklaruar se për çështjen e Meçollarit do të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor.
Deputeti demokrat, Myslim Murrizi u përfshi në debat me Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, gjatë raportimit të kësaj të fundit mbi pastërtinë e figurës së kapitenit të rangut të parë Artur Meçollari, i cili është pjesë e ekipit negociator me Greqinë. Murrizi i tërhoqi vëmendjen ministres të mos sillet me deputetët sikur i ka vartës të saj si dhe të mos ngatërrojë Komisionin me zyrat e Gjallicës. Nga ana e saj ministrja Xhaçka i tha deputetit se goditjet nën brez nuk impresionojnë askënd, teksa e përgëzoi për kryerjen me sukses të detyrës si emisar politik. Gjithashtu, deputeti i PD-së Flamur Noka i ka kërkuar Xhaçkës që të bëhen transparente rrethanat që kanë çuar Ministren e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm për të bërë pjesë të grupit negociator një individ të tillë të dyshimtë si Artur Meçollarin. Deputetët e opozitës kanë kërkuar edhe largimin e Meçollarit nga grupi negociator për marrëveshjen me Greqinë dhe zëvendësimin me një ushtarak tjetër. Ndërkohë, ministrja e Mbrojtjes, tha se ai është një nga ekspertët e paktë që vendi ynë ka në fushën e së drejtës së detit. Ajo shtoi se largimi i tij nga Forcat e Armatosura në vitin 2012 ishte i padrejtë dhe një hakmarrje personale e ish-kryeministrit Berisha. “Artur Meçollari është larguar padrejtësisht nga detyra në vitin 2012, sepse nuk pranoi të firmoste për heqjen e disa bazave detare nga plani i përhapjes, nuk pranoi t’ua jepte miqve të doktorit kryeministër dhe familjarëve të vet. Sulmi i stisur ndaj Meçollarit në kohën kur shtypi i kohës fliste për mega-aferën me bazën ushtarake të Bisht Pallës, shitblerjen e pronave në Porto Romano mes familjarëve të Berishës me Damir Fazlliç dhe gjithë sa vijoi i kushtoi shtrenjtë Artur Meçollarit dhe vazhdon ta përndjekë dhe sot. E gjitha ishte thjesht një hakmarrje personale që nuk kishte asgjë të bënte me përmbushjen e detyrave të tij apo me agjenturat në kurriz të sigurisë kombëtare”, u shpreh Xhaçka. Ministrja e Mbrojtjes vuri në pah edhe ndryshimin sipas saj mes marrëveshjes së vitit 2009 dhe asaj që do të bëhet tani, duke veçuar se tani po bëhet konform rregullave, ndërsa në 2009 nuk u mor miratimi i presidentit. Në të njëjtën kohë, ministrja Xhaçka përmendi disa herë faktin se Meçollari është i pajisur me certifikatat e sigurisë, që janë dhënë nga autoritetet shqiptare, sipas standardeve të NATO-s. Një deklaratë e kundërt me atë të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili deklaroi se Meçollari ishte pajisur me deklarata sigurie nga NATO. 

Debatet
Murrizi: “Është hera e dytë që vini në komision, merreni si të doni. Po ngatërroni komisionin me zyrat e Gjallicës. Më duket se me lekët e Gjallicës ke vajtur në shkollë. Mos e ngatërro këtë komision me zyrat e Gjallicës dhe mos fol me ne sikur jemi vartësit tuaj që ndërtojmë ura me litar në Dërmenas. Merre me qetësi. Këtu jemi në zyrat e Komisionit të Sigurisë dhe jo të Gjallicës. Kam certifikatë sigurie dhe kam pasur kurajë t’i drejtohem Autoritetit të Dosjeve për të marrë vërtetimin për pastërtinë e figurës. Më ke thënë tre herë për spiun. Bëhet fjalë për një drekë që ka ngrënë me atasheun rus ky Meçollari apo ka …? Po të pyes ty, se ti di më shumë. Me të thënë të drejtën këtë pjesën e spiunëve e kam shumë qejf”.
Xhaçka: “Dukesh ti, dukesh”.
Murrizi: “Dukem unë dukem. Sa dosje kam unë do të habitesh ti, po gërmove më shumë mos dal në shtëpi tate. Po pate seancë tjetër dëgjimore mund të gjejmë ndonjë familjar tëndin, po rri rehat”.

Xhaçka: “Goditjet nën brez alla kohës së xhaxhit nuk impresionojnë më askënd. Mesa duket keni mbetur nostalgjik i kohës. E bëtë shumë mirë emisarin politik”.
Noka: “T’u bëjmë transparente shqiptarëve rrethanat që kanë çuar Ministren e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm për të bërë pjesë të grupit negociator një individ të tillë të dyshimtë si Artur Meçollarin. A ka dijeni Ministrja rreth këtyre informacioneve që disponohen dhe që kanë qarkulluar qarkullojnë, a ka pasur dijeni Ministria e Mbrojtjes rreth integritetit të tij të cenuar dhe mbi çfarë rrethana është nisur për të caktuar në një detyrë kaq të lartë një njeri të dyshimtë?”

Xhaçka: “Akuzat janë bërë për të poshtëruar, jo një individ, por një proces të tërë që ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë. Çështja e delimitimit të hapësirave detare është një çështje, sa komplekse dhe delikate. Në përballjet diplomatike me palën greke ka qenë e nevojshme ekspertiza në çështjet detare. Kapiten Meçollari ka dhënë kontributin dhe ka ofruar konsulencën e tij për disa ministra të Mbrojtjes dhe të Jashtëm. Konsulenca e Meçollarit për analizimin e situatës para dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010. Meçollari është larguar padrejtësisht nga FA. Ai nuk pranoi të firmoste heqjen e disa bazave detare. Sulmi ndaj Meçollarit është përplasje personale”.


Sigal