NATO do të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri

530
Sigal

Intervista/ Deputetit socialist për Vlorën, Koço Kokëdhima hedh parashikimin e tij në rast të prekjes së votës

Sipas parashikimeve të mia, nëse do të vidheshin votat, NATO do ndërhynte ushtarakisht”. Kështu u shpreh dje, deputeti i Partisë Socialiste për Vlorën, Koço Kokëdhima, në një intervistë që dha për gazetaren e njohur Ilva Tare, së cilës i deklaroi se, prekja e votës, nënkuptonte fillimin e një operacioni ushtarak nga ana e Aleancës Atlantike, në Shqipëri. Gjithmonë, kjo gjë ishte pjesë e parashikimeve të tij personale, të cilat parakuptojnë se sipas tij, Shqipëria ndodhej në prag lufte, ose nën rrezikun e luftës. Ky panik i Kokëdhimës nuk është fare as në akorde minimale me situatën paqësore dhe atmosferën normale të vendit tonë, si para ashtu edhe pas zgjedhjeve. Dhe padyshim, përfytyrimi i tij ka tronditur shikuesit dhe ka çuditur, ndofta edhe  përfaqësuesit e NATO-s. Më tej, midis të tjerave, gjatë kësaj interviste, Kokëdhima përsëriti disa herë përkushtimin e tij personal dhe familjar për arritjen e standardeve të demokracisë. Ai tha se, pjesëmarrja e tij në politikë nuk ka të bëjë aspak me marrëdhëniet e tij miqësore ndaj Edi Ramës. “Në biznes dhe politikë jam marrë para se të njihesha me Edi Ramën”,- tha ndër të tjera Kokëdhima, duke përsëritur edhe njëherë shprehjen se lidhjet e tij familjare “me të Majtën janë lidhje historike”. Ai shtoi se, këto lidhje nuk bëhen për interesa biznesi, apo për para. Madje, Kokëdhima, vuri në dukje refuzimin e tij kategorik, për çdo post ministror, që mund t’i heqë atij mandatin e deputetit. Më tej, ai e vlerësoi figurën e kryesocialistit shqiptar, duke mos shprehur asnjë rezervë, në lidhje me lëvizjet e lidershipit aktual të PS-së. Ndërsa për figurën e Fatos Nanos dhe ish- deputetit Arben Malaj, Kokëdhima shprehu një sërë rezervash, duke thënë se, “kandimimi i Malajt si i pavarur, ishte i pamatur”. Ndërsa për Nanon, tha, se ka bërë lëvizje politike të gabuara.  “Sulmi që Nano i ka bërë Edi Ramës dhe Partisë Socialiste tregon më së miri se çfarë socialisti është Nano”. Ndërsa për dorëheqjen e Berishës, Kokëdhima tha se, nuk e besonte që lideri demokrat mund ta lërë të lirë PD-në. Sipas tij, Berisha do përpiqet ta kontrollojë Partinë Demokratike edhe pas dorëheqjes së deklaruar. Ndërkaq, i pyetur se cili ka fituar në këto zgjedhje, Rama apo Meta, ai u përgjigj: “Kanë fituar shqiptarët dhe ka fituar e Majta e Bashkuar, e cila do të drejtojë vendin për shumë vjet me radhë”. Më tej, Kokëdhima foli për drejtësinë e grekëve ndaj çështjes çame, duke fajësuar në këtë rast edhe Kryeministrin Sali Berisha, i cili sipas tij, nuk  e mori asnjëherë seriozisht Çështjen Çame. “Gjatë kohës së qeverisjes së tij, Berisha nuk bëri asnjë akt të vetëm serioz në favor të çështjes çame”, tha Kokëdhima. Në këtë mënyrë Kokëdhima saktësoi se problemi çam është në konflikt me qeverinë aktuale greke dhe nuk është në konflikt me komunitetin grek, apo me ndonjë komunitet tjetër në vendin tonë. Megjithatë, nga të gjitha gjykimet e djeshme të deputetit Kokëdhima, parashikimi i tij për mundësinë e ndërhyrjes së forcave ushtarake të NATO-s,  ka bërë një përshtypje tek shikuesit.