Nastradini dhe Xhindi i shqiptarëve

723
Sigal

Fejton nga Edmond Shallvari

XhindNastradini shqiptar vazhdon takimet, gallatat dhe çuditë me hallexhinjtë. Të jesh në të njëjtën kohë Nastradin dhe Xhind, këtë zor se e gjen edhe në përrallat e 1001 netëve. E veçanta është se brenda pak ditëve ia kaloi Nastradinit në anekdota dhe humor. Thonë që kjo aftësi mbinastradinore është e vetmja pasojë pozitive që krijon tërmeti një herë në një mijë vjet vetëm tek një person me tipare e të dhëna specifike të ngjashme me Nastradinin shqiptar. Vetëm ky lloj Nastradini ka aftësinë t’i bëjë njerëzit e tërmetuar të gajasen së qeshuri. Kurse tjetërsimi në Xhind nuk kushtëzohet nga tërmeti natyral por nga tërmeti në qelizat e trurit. Mendoni dhjetra mijra trure shqiptarësh në formën e llambës magjike. Vjen një çast që Xhindi i mbyllur brenda e shikon veten jashtë mes turmës që e pret si Perëndi. Nuk ju beson dot syve, veshëve, hundës, për gjithçka i përcjellin në trup e shpirt. E mbledh veten dhe kujton përrallën me Xhind. Dhe i thotë turmës të shprehë vetëm tre dëshira. Dhe turma bashkon zërin në një dhe i kërkon tre gjëra: 1. T’i japë fuqi turmës për ta zgjedhur vetëm atë të parin e vendit 2. T’i plotësojë gjithë kërkesat trupore e shpirtërore turmës përmes bërjes falas të hipnozës dhe psikoanalizës. 3. Të ribëjë dy të parat. -U tha, u bë!- buçiti zëri i Xhindit. Dhe kështu në qitapin e përrallave të 1001 u shtua kjo përrallë e re shqiptare me të vetmin ndryshim nga të tjerat, se është përrallë e vërtetë.