Nasip Naço: Të zhbllokohet urgjentisht buxheti i Bashkisë së Skraparit. Po ndëshkohen qytetarët

491
Sigal

Fjala e deputetit të LSI-së, Nasip Naço në Kuvend

Të nderuar kolegë deputetë!

Sigurisht që projektligji për peshkimin është i rëndësishëm për ata qytetarë që merren  me këtë veprimtari. Unë e dëgjova ministrin që foli për sukseset e vitit të kaluar , por nuk na ndau se cilat ishin këto suksese. Importet që bëhen dhe përpunimi, të cilat zënë pjesët kryesore apo ndihma që u jepet peshkatarëve për të ushtruar këtë veprimtari? Duke qenë se dhe parafolësit folën për historinë e partisë së tyre, folën për historinë 30 vjeçare, mua më duhet që të flas për çështjet aktuale. Ato që janë jetike për qytetarët. Dhe sigurisht që ka të bëjë me Bashkinë e Skraparit, ku prej një muaji të nderuar kolegë deputetë në mënyrë kriminale, nga dega e Thesarit Skrapar, të urdhëruar dhe orkestruar nga Ministria e Financave nuk lejohet që të bëhet asnjë pagesë, qoftë për furnizimin me ushqim të konvikteve, qoftë për furnizimin me ushqim të çerdheve, qendrës së fëmijëve me aftësi të kufizuara, për pagat e punonjësve dhe çdo veprimtari tjetër të këtij komuniteti.

Të nderuar kolegë, për ditën e sotme kisha kërkuar një interpelancë urgjente me Ministren e Financave nuk ndodhet, por jeni ju të nderuar kolegë. Dhe unë dua t’iu sensibilizoj juve, qytetarët, por edhe ata qytetarë të cilët janë brenda territorit të Bashkisë Skrapar. Sigurisht që çështja ka interes publik. Ka dhe interes politik. Dhe duke qenë se i ka të dyja këto interesa, as më shumë e as më pak i kam kërkuar Ministres së Financave sipas nenit 8 që i jepen në lidhje me financat vendore që të marri pjesë dhe të rregullojë një orë e më parë gjendjen kriminale që është në degën e Thesarit Skrapar.

Unë nuk dua të merrem me Këshillin Bashkiak, nuk dua të merrem me partizanët socialistë brenda këtij këshilli, me numër amze apo pa numër amze. Ata kanë të drejtën e tyre të votojnë ose të mos e miratojnë buxhetin. Dhe sigurisht që nuk dua të merrem me çfarë ka ndodhur me këta këshilltarë. Po për njërin prej tyre dua të flas hapur. Sepse i kanë bërë presion për t’i hequr djalin nga puna. Dhe në ditët më të vështira kur bashkëshorti i saj ishte në gjendje kome në spital i bënin presion në vend që ta ndihmonin, që t’i merrnin votën për të krijuar këtë situatë në Bashkinë Skrapar. Është shumë e rëndë dhe nuk dua të merrem me këshilltarët e tjerë.

Më duhet që t’iu them që ligji është i qartë. Është i qartë sesi kalon buxheti, si përgatitet dhe kush e propozon. Është shumë i qartë sepse këtu në këtë sallë ka deputetë të cilët dikur kanë drejtuar bashkitë e mëdha. E dinë të gjithë, por në këtë sallë nuk është sot dhe mungon edhe kryeministri, i cili ka qenë dikur kryetar i Bashkisë së Tiranës. Nëse ju më thoni të nderuar kolegë deputetë, nëse më thoni që këto 4 letra quhet miratim i buxhetit të Bashkisë Skrapar, nga partizanët socialistë në atë Këshill, besoj që ne në mënyrë inovative po vazhdojmë të themi që është shumë e thjeshtë për të bërë buxhetin, qoftë të qeverisë qoftë të bashkive. Këto 4 letra duhen. Ky quhet miratim i buxhetit nga këshilltarët socialistë në Bashkinë Skrapar. Dhe ky, një material voluminoz me rreth 400 faqe, ky është projekt buxheti i propozuar nga Kryetari i Bashkisë pranë Këshillit Bashkiak Skrapar. Pra atë çfarë parashikon ligji dhe udhëzimi i ministrit, çfarë parashikon çdo akt ligjor dhe nënligjor është në këtë akt.

Nuk është miratuar për arsyen e vetme sepse ju mendoni se duke mos miratuar buxhetin LSI-ja nuk do arrijë dot të marri përsëri Kryetarin e Bashkisë në Skrapar. Sot që ne flasim, rezultati në ditët më të mira tuaj është mbi 30%. Në ditët më të mira tuajat. Pra një kryetar bashkie i votuar nga 80% e qytetarëve, ju besoni se me këto forma partizançe do tronditni qytetarët e Skraparit për t’i tunduar dhe për t’i bërë presion siç thashë pak më parë për një nga ata këshilltarët. Unë besoj që e keni gabim.

Në vitin 2010 ka qenë një situatë e ngjashme në Bashkinë e Tiranës. Dhe ish kryetari i Bashkisë i quante ditë të zeza pse nuk u miratua buxheti i asaj kohe. Politikë e mbrapshtë, politika më e poshtër që nuk bënte për qytetarët. Sot si t’i themi? Si t’i themi kësaj politike të mbrapshtë që nuk miraton buxhetin? Nuk doni ta miratoni, që ligji e ka parashikuar, që vazhdon me 1/12, po ju as këtë nuk e doni. Dhe duke ju kthyer kohës, kam një deklarim të Ministrisë së Financave të asaj kohe e cila jepte të gjithë eksesin e nevojshëm, jo se i bënte nder, po i parashikonte ligji degët e thesarit. I porosiste që të zbatonin ligjin me 1 të 12. Këtë ka kërkuar dhe Kryetari i Bashkisë Skrapar. Nuk është miratuar buxheti, të vazhdojë me 1/12. Po ju me 4 fletë e quani buxhet partizançe, besoj që në vitin 2019 është shumë e rëndë për një pjesë të ndërgjegjed suaj, kolegë deputetë që keni drejtuar Bashkitë më të mëdha, që keni qenë anëtarë kabineti, të cilët dhe në këtë sallë disa herë keni kaluar buxhetet e viteve përkatëse. Ne nuk kërkojmë as mëshirë as lëmoshë nga ju por të zbatoni ligjin. Atë që kemi miratuar të gjithë. Nëse doni ta ktheni Bashkinë e Skraparit në referendum, ne gati jemi. Të jeni mëse të bindur që nuk keni për ta fituar, sepse nuk i bëni dot presion qytetarëve të nderuar të kësaj krahine të nderuar. E cila ka plot probleme, që kanë të bëjnë me varfërinë e këtij vendi. Unë besoj se klasa politike, deputetët, duhet të jenë zgjidhja e problemit dhe nuk duhet të jenë ata problemi vetë, por të jenë pranë qytetarëve. Të zgjidhin hallet e tyre. Ju si mendoni që duke bllokuar buxhetin e Skraparit , do shkarkojë 200 punonjës nga Bashkia dhe do ngelen me 80? E zgjidhët ju problemin me të tjerët? Ju kujtoni se në Bashkinë e Skraparit votojnë vetëm ata që janë të punësuar në Bashki? E keni shumë gabim që përdorni këto metoda makiaveliste. Dhe sigurisht që ligji ka përcaktuar dhe kompetencat e këshillit bashkiak. Ligji ka përcaktuar dhe kompetencat e kryetarit të njësisë bashkiake. Por ligji ka përcaktuar qartë sesi përgatitet buxheti. Çfarë  duhet të përfaqësojë ai buxhet. Në rast se ju mendoni që me 4 fletë është miratuar buxheti, është fatkeqësi për ata partizanë që janë atje por dhe për atë partizan të vogël, prefektin e Beratit, i cili nuk e lexon të paktën minimumin e ligjit. Pra partizançe e keni filluar, partizançe do e vazhdoni. Gjendja është shumë  e rëndë por të jeni të bindur që situata ka për tu zgjidhur. Unë do vazhdojë të këmbëngul, të ngre zërin e atyre qytetarëve, nuk do kërkojë mëshirë por të drejtat e tyre sepse nga ata janë votuar. Por këto të drejta nuk i kërkoj vetëm për ata që kanë votuar për LSI. Më duhet që të kërkoj nga ju, nga opinioni publik, të kërkoj dhe të drejtat e atyre qytetarëve të ndershëm socialist, të cilët kanë nevojë për shërbimet më jetike. Atyre qytetarëve të partive dhe forcave të tjera. Por dhe të atyre që janë pa parti që kanë nevojë për shërbimet më jetike. Nëse do mendoni se partizançe pa numër amze apo me numër amze, me apo pa numër protokolli do bëni presion ndaj atyre qytetarëve, ju them se e keni gabim. Ju e kthyet nga sot, çështjen e Bashkisë së Skraparit në një referendum midis forcave politike. Më duhet të them se disa muaj më parë, nga ju nga politika e mbrapshtë e ditës, nga politika e zezë, atë që thoshte kryetari juaj disa vjet më parë, as më shumë as më pak, por ndërpretë ndihmën ekonomike për rreth 600 familje. Për tu vajtur derë më derë dhe për ti detyruar se nëse do tu japin votën ju do ju jepni ndihmën ekonomike. Se deputeti apo deputetët apo vetë PS kishte zgjidhur qesen për ti ndihmuar ato. Në vend të hapë vende të reja pune, në vend të investojë në këtë Bashki të varfër, unë besoj që është politika më e mbrapshtë që mund të ndodhi. Dhe më vjen keq që miku dhe kolegu im Braho, i cili është djali i atij vendi hesht sot dhe nuk është në këtë sallë për të ngritur zërin. Të lexojë ligjin si jurist i shquar që është, çfarë thuhet për buxhetin, çfarë thuhet për kompetencat e kryetarit të njësisë vendore, çfarë thuhet për kompetencat e këshillit bashkiak, ça thuhet për fondet, mënyrën e miratimit. Dhe çfarë duhet të bëjë ai dhe gjithë deputetët e tjerë për të investuar në këtë zonë. Të nderuar kolegë socialistë, keni filluar të njëjtën gjë që bëtë në vitin 2005 për të nënshtruar një krahinë të tërë. E patë dhe ndenjët 8 vjet në opozitë. Mos vazhdoni me këtë rrugë se do rrini 18.