Nasip Naço: Të gjithë ata që korruptojnë, tani do të ndjejnë frikë!

520
Sigal

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, në këtë intervistë te “Top-Story” shpjegon, ku ndryshon thelbi i ligjit kundër korrupsionit nga ai i mëparshmi. Sipas ministrit Naço, tani qytetarët duke patur më shumë besim te kjo qeveri se do ta luftojë korrupsionin, po denoncojnë, në portalin on-line, “ Stop- denonco korrupsionin”. Por, me reformat ligjore,- thotë ministri Naço,- tani të gjitha ata që korruptojnë do të dekurajohen, sepse, krahas dënimeve, do t’u konfiskohet edhe pasuria e vënë në mënyrë të paligjshme.

–  Zoti Naço, pse ka ndodhur që Shqipëria ka humbur vende në renditjen botërore të luftës kundër korrupsionit?

– Sepse ne kaluam një vit elektoral. Zakonisht momentet elektorale, qoftë të pushtetit vendor, qoftë edhe të pushtetit qendror, bie vullneti i qeverisë për ta luftuar korrupsionin dhe krimin. Përqendrimi i qeverisë është te fushata elektorale dhe marrja e votave. Ne nuk kemi një administratë të konsoliduar, që të zbatojë ligjin, pavarësisht se çfarë ndodh  dhe çfarë bën politika dhe sigurisht, ne kemi një rënie të luftës ndaj korrupsionit edhe të perceptimit të  publikut, i tillë që, 80 % mendojnë që sistemi është i korruptuar. Unë nuk e kam pranuar lehtë detyrën e ministrit të Drejtësisë, është një nga detyrat më të vështira, për shkak të perceptimit të publikut. Unë mund të them, që nëse një qytetar vete te mjeku dhe ky i kërkon lekë, sigurisht që, qytetari do t’i kthejë sytë edhe nga ministri i Drejtësisë. Nëse një prokuror, apo një gjyqtar i merr lekë një qytetari,  ai do t’i kthejë sytë edhe nga qeveria, por edhe nga ministri i Drejtësisë. Ndaj ministri i Drejtësisë është në qendër të vëmendjes. Pikërisht, kur më besuan detyrën e ministrit të Drejtësisë, kërkova të bëja disa reforma të shpejta dhe afatshkurtër, për të kapur kohën  e humbur, përsa i përket korrupsionit, qoftë edhe si perceptim. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen, t’u binden të gjitha masave, që të parandalohet krimi dhe korrupsioni, duhet dekurajohen të gjitha ata që bëjnë korrupsionin dhe në fund duhet të zbatohet ligji.

– Ndryshimet që ju doni, ku do të përqendrohen?

– Në ndryshimin dhe perceptimin e fenomenit të korrupsionit, i cili është fenomen i përhapur. Në paketën ligjore që kemi propozuar, së pari të bëhen ndryshime në Kodin e Procedurës Penale,  përkatësisht nenet 288 dhe 289, që kanë të bëjnë me autorizimet përkatëse, qoftë për kontrollin, qoftë për arrestimet, por edhe për hetimet përkatëse, sepse vitin e kaluar u bënë ndryshimet në Kushtetutë, por duhen shoqëruar edhe me ndryshime përkatëse në Kodin e Procedurës Penale dhe gati për një vit, Prokuroria nuk pati asnjë rast që të hetonte edhe pse u bënë kufizimet të imunitetit që kishin zyrtarët e lartë dhe politikanët. Pas këtyre ndryshimeve, ne kemi propozuar edhe ndryshime të tjera, për shaka edhe të perceptimit. Kemi kërkuar që të gjitha rastet e  korrupsionit të hetohen nga Prokuroria e Hetimeve të Rënda dhe të gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda, se kemi bindjen që është një prokurori dhe një gjykatë që i ka dhënë provat, që nga viti 2004 që ka luftuar organizatat kriminale. Është një gjykatë më efektive. Ne këtë nuk e pamë si një marrë të rritjes së dënimit, por për shkak të perceptimit, të luftojë korrupsionin, sikundër ka luftuar edhe krimin e organizuar, sepse të njëjtin dëm i shkakton Shqipërisë, edhe korrupsioni. Sot korrupsioni ka risk të vogël dhe fitim të madh në Shqipëri. Me masat e mara, ne kërkojmë që risku të jetë i madh dhe fitimi të jetë zero. Ne kërkojmë që t’i ndërgjegjësojmë, sigurisht që do të marrim masat parandaluese, t’i  dekurajojmë, dhe në fund, sigurisht, do të zbatojmë ligjin. Vitin e kaluar janë bërë edhe ndryshimet përkatëse në Kodin Penal, për rastet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, në rastet e korrupsionit, një sukses, do ta quaja për maxhorancën e kaluar, por ishte gjysmake. Marrja e masave të tjera do të bëjë të mundur që ne të luftojmë realisht korrupsionin. Sigurisht, ne nuk jemi ndalur këtu, por kemi kërkuar që rastet e korrupsionit të përfshihen në rastet e krimit të organizuar, që siç njihet në Shqipëri, ligji i Antimafies. Një ligj ky i hartuar në vitin 2004, i ndryshuar me goxha debate në vitin 2009. Një shoqëri demokratike nga diktatura i ndan perceptimi që bën qoftë edhe ndaj korrupsionit, por edhe nga mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Ne kërkojmë që të dekurajojmë  korrupsionin në çdo rast, sepse çdo zyrtar kërkon të shtojë pasurinë në mënyrë të paligjshme. Dhe në këtë rast ne kombinojmë, përveç ndjekjes penale, përveç masave të dënimit, t’i sekuestrojmë edhe pasurinë, në ato raste që parashikohen nga ligji, sigurisht, do të dekurajohet  dhe do të luftohet realisht edhe korrupsioni në Shqipëri. Në këto vite, më shumë ka patur propagandë, se sa është luftuar realisht korrupsioni. Disa vite më parë unë kam qenë drejtues prokurorie  dhe në më pak se një muaj unë kam çuar 50 komisionerë të zgjedhjeve në gjyq, të cilët janë dënuar me më pak se një muaj. Këtu ka patur mungesë vullneti nga ata që janë ngarkuar të zbatojnë ligjin. Ligji ka qenë, por nuk është zbatuar. Po të shikosh statistikat nga 2008-ta e deri në 20012-n, ka një kurbaturë ngjitje -rënie, nga 84 të dënuar, në 104 të dënuar në 2010 dhe në 2012-n sërish ka 84 të dënuar për korrupsion. Kjo ka ardhur edhe për shkak të luftës politike, sepse të gjitha kanë menduar për të marrë pushtetin, apo për ta mbajtur atë. Unë besoj, që të luftosh korrupsionin, së pari, duhet të kesh vullnet politik, sepse është vullneti politik ai që bën të mundur për të luftuar realisht korrupsionin. Dhe e dyta, përshtatja dhe marrja e masave organizative dhe ndryshimi i ligjit për ta luftuar realisht korrupsionin.

– Mendoni se do ta gjeni këtë vullnet politik edhe te opozita?

– Unë besoj se po dhe besoj se kjo opozitë, si maxhorancë e ka votuar ligjin antimafie dhe do jetë në vazhdën dhe logjikën e gjërave që do t’i bëjnë mirë Shqipërisë.

– Përse tani drejtimi i ligjit të antikorrupsioni t’i është besuar një ministri dhe jo Kryeministrit, siç ishte deri tani?

– Po Kryeministri, me atë ligj, i kishte të gjitha punët e detyrimet. Sot, ne jemi ndryshe. Kemi një këndvështrim tjetër. Ne punojmë si një skuadër. Çdo anëtar i qeverisë ka detyrën e vet. Zoti Çuçi tani është koordinatori i luftës kundër korrupsionit. Unë jam ministër i Drejtësisë dhe të dy koordinojmë detyrat. Ne nuk e përmendim kryeministrin, sepse ai është në krye të çdo detyre, ndërsa të tjerët bëjnë punën e vet. Berisha mori përsipër çdo punë, edhe antikorrupsionin, por nuk e bëri dot. Dhe kjo është çështje këndvështrimi. Kjo qeveri e mendon se do ta luftojë korrupsionin ndryshe. Dhe ne kemi filluar që ditët e para. Dhe çdo ministri ka hapur dhe ka një portal  të denoncojë korrupsionin. Në ministrinë e Drejtësisë tani funksionon ky portal. Vjet ishte zyrë ankesash, ishte parë në një këndvështrim tjetër, ndërsa sot, të gjithë mund ta shikojnë sot portali është antikorrupsion-drejtësi. Ne kërkojmë që qytetarët, Shoqëria Civile të përfshihet, të mos qëndrojnë indiferent, por të denoncojnë korrupsionin, shkeljet e ligjit, shkeljen e etikës të gjyqtarëve, të prokurorëve, të përmbaruesve, të noterëve. Këtë gjë nuk e bëri maxhoranca e djeshme. Mund të them, që brenda vetëm një muaji janë mbi 400 denoncime që kanë ardhur  në portalin, vetëm për sistemin e drejtësisë, sepse çdo ministri do të ketë portalin e vet. Qytetarët kanë filluar të besojnë më shumë te drejtësia. I besojnë qeverisë, i besojnë institucioneve, prandaj edhe denoncojnë, me besimin se maxhoranca do t’i dëgjojë, do t’i verifikojë dhe, sigurisht, që do t’ju japë të drejtë. Në kuadrin e sensibilizimit të Shoqërisë Civile, vetëm në rrjetin social të Facebook-ut  portalit dhe spotit “Stop Korrupsionit”  është parë dhe lexuar nga 137.000 qytetarë.  Kjo i bie, që të gjithë përdoruesit e internetit, 2-3 herë i e kanë lexuar portalin tonë, sepse e shikojnë si një risi, i besojnë shumë dhe, ndaj kanë filluar të denoncojnë rastet e korrupsionit. Kjo na jep të bëjmë edhe ballafaqimin. Kaq janë bërë denoncimet dhe kaq janë dhënë zgjidhje. Diferenca e denoncimit me zgjidhjen e tyre do të thotë, ose do ndryshojmë ligjin, ose do të ndryshojmë ata zyrtarë që nuk kanë vullnetin, dëshirën të zbatojnë ligjin.

Do largojmë drejtorët që kanë abuzuar e korruptuar

 – Largimi nga puna i disa nëpunësve në ministrinë tuaj, mbi ç’kritere është bërë?

Ne nuk do të mbajmë në punë  ata nëpunës që kanë përvetësuar 5 milionë lekë nga tatimet. Ne nuk do të mbajmë në punë drejtorë që i ka dhënë bashkëshortes së vet licencën e noterit. Ne nuk do të mbajmë në punë drejtorë, që i është gjetur në llogarinë private bankare shuma prej 300 milionë lekë të shtetit, duke përvetësuar kështu interesat bankare.