Nasip Naço: Reformë në drejtësi nga KLD deri tek sistemi gjyqësor

411
Sigal

Ministri i Drejtësisë pasqyron problematikën e Drejtësisë në Komisionin e Integrimit

 Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, dje ishte në seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar të Integrimit  për të pasqyruar problematikën dhe arritjet në këtë sektor theksoi se ka ardhur koha të ketë një reformë të gjerë në drejtësi.

Naço: Duhet reformë e gjerë në sistemin e drejtësisë

Ministri Naço theksoi se, duhet një reformë e gjerë në sistemin e drejtësisë, duke nisur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë e deri tek sistemi gjyqësor. Ministri Naço pohoi se brenda muajit maj do të jetë gati Paketa e re e Procedurës Penale, ndryshime dhe në Procedurën Civile dhe Administrative.

 

KLD-ja është nën presionin e kryetarëve të gjykatave

Gjatë fjalës së tij, ministri Naço tha se, KLD-ja mban nën presion kryetarët e gjykatave, duke mos i emëruar, por duke i lënë të komanduar. “KLD-ja ka emëruar vetëm 7 kryetarë gjykatash. Pjesa tjetër është e komanduar dhe ka qenë nën presion të këtij institucioni”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

KLD-ja pengesë për emërimin e gjyqtarëve të rinj

Sipas ministrit të Drejtësisë, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë bërë pengesë për emërimin e gjyqtarëve të rinj. “Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë bërë pengesë për emërimin e gjyqtarëve të rinj. Me gjyqtarët e rinj do të luftojmë korrupsionin në drejtësi, pasi gjyqtarët e vjetër janë në radhët e të korruptuarve”, deklaroi Naço. Lidhur me sa më lartë Kreu i Drejtësisë denoncoi faktin se në mbledhjen e fundit të KLD-së u mor vendimi për të emëruar katër gjyqtarë në Gjykatën e Apelit rrethi Durrës, ku nga 61 kandidatë vetëm katër prej tyre morën 11 vota të tjerët nuk morën asnjë votë, çka nënvizoi Naço, “tregon se mbledhja ishte bërë më parë diku gjetkë”.

Maxhoranca ka vullnetin politik për të luftuar korrupsionin

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço,  në fjalën e tij theksoi vullnetin e maxhorancës qeverisëse për të luftuar korrupsionin, si një nga plagët e shoqërisë shqiptare. Duke theksuar se kjo qeveri ka një vullnet të hekurt për ta luftuar këtë fenomen theksoi se tashmë në parlament është dorëzuar strategjia dhe paketa antikorrupsion, që i hapin rrugë luftës efektive të këtij fenomeni negativ për Shqipërinë. Ministri i Drejtësisë tha se, për të luftuar korrupsionin duhen sekuestruar pasuritë e paligjshme. “Duhen sekuestruar pasuritë e atyre që kryejnë evazion e prandaj korrupsioni duhet të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda”, tha ministri Naço gjatë fjalës së tij.

Lufta kundër korrupsionit, pasaporta e Shqipërisë për në BE

Ministri Naço pohoi se vullneti politik do ta bëjë luftën ndaj korrupsionit më efektive dhe kjo do të jetë pasaporta për në BE e Shqipërisë. Sipas ministrit të Drejtësisë, edhe qytetarët duhet të bëhen pjesë e luftës kundër korrupsionit në drejtësi. Pasi sipas tij, gjatë një ankete të zhvilluar nga Ministria e Drejtësisë dhe Partnerë të huaj rezultoi se 80% të shqiptarëve e vlerësojnë sistemin e drejtësisë si një nga sektorët me korrupsionin më të lartë.

Reforma edhe në Kodin Pena, të Procedurës Civile, Kodin Administrativ

Po ashtu Ministri Naço bëri të ditur se po punohet edhe për të reformuar Kodin Penal, Kodin e Procedurës Civile si dhe Kodin Administrativ, ndërsa shtoi se këto reforma janë thelbësore duke parë se këto ligje janë miratuar në vitin 1995 për herë të parë, modifikuar në 1998 kur u miratua Kushtetuta, më pas nuk janë prekur përveç disa ndërhyrjeve të vogla. “Sa i takon ndryshimeve në Kodin Penal, ne kemi shtuar korrupsionin si vepër penale, pasi lufta ndaj tij i hap rrugën zhvillimit të vendit. Objektivi ynë është që korrupsionin ta kthejmë nga një vepër me risk të ulët e fitim të madh në një vepër me risk të madh e fitimi të ulët, pasi kështu do ta godisnim në zemër dhe për këtë kemi marrë vendimin për të konfiskuar pasuritë e personave, të cilët akuzohen për korrupsion deri në momentin që gjykata do të marri vendimin final”, nënvizoi Naço.

Ambasada Amerikane: Komisioni i Ligjeve nuk është konsultuar me ekspertët amerikanë për 2 p/ligje

Ambasada Amerikane i ka drejtuar  një letër Komisionit të Ligjeve lidhur me pr/ligjin e procedurës penale dhe atë kundër krimit të organizuar. Përmes letrës OPDAT tërheq vëmendjen se Komisioni i Ligjeve nuk është konsultuar me ekspertët amerikanë lidhur me 2 pr/ligjet. Sipas Ambasadës Amerikane, ndryshimet janë propozuar pa konsultim publik dhe pa këshillimin e ekspertëve të ambasadës, ndërsa i kanë mundësi agjencive të interesuara që të shprehnin argumentet e tyre pro ose kundër këtyre ndryshimeve. “Nuk jemi konsultuar për këto 2 projektligje. Janë ndryshuar disa herë, duhet të ishit këshilluar. Ndryshimet u propozuan pa konsultim publik. Diskutimi ne KLD dhe prokurori, i nevojshëm”,- thuhet në letrën e Ambasadës Amerikane.