Nasip Naço: Reforma  në Drejtësi është emëruesi i përbashkët që na lidh të gjithëve, ndaj dhe duhet të dëshmojmë vullnet

413
Sigal

INTERVISTA/ Nasip Naço, ministër i Drejtësisë

Reformat do të jenë gjithëpërfshirëse dhe në bashkëpunim të ngushtë më partnerët ndërkombëtarë dhe prania e tyre besoj se është një garanci e shtuar për procesin dhe tregues se reforma do të eci në drejtim të pavarësisë së sistemit gjyqësor, integritetit dhe përgjegjshmërisë të këtij sistemi.

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf”, jep një skaner të plotë të punës që është bërë deri tani në realizimin e Reformës në Drejtësi, e cila është edhe një nga prioritetet që ka vënë BE-ja ndaj Shqipërisë, për nisjen e negociatave për anëtarësim. Zoti ministër shpjegon se maxhoranca e kaluar,  nuk mund të bënte reforma, pasi kishte votëbesim të ulët në Kuvend, por edhe tani, opozita nuk është pjesë e reformës, pasi kërkon  të përfitojë kapital politik. Por, megjithëkëtë, zoti Naço shprehet se reforma do të jetë gjithëpërfshirëse, dhe prania e faktorëve ndërkombëtarë është garanci e shtuar për procesin. Zoti Naço pohon se pjesë e reformës do të jenë edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë dhe se kjo reformë e këtyre institucioneve, sipas ministrit, “ka të bëjë me çështje emrash apo mandatesh, por lidhet me çështje thelbësore që do të kenë një impakt të drejtpërdrejtë”. Ministri Naço pohon se maxhoranca pret zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin “Për KLD-në” dhe se ata do ta zbatojnë atë. Duke iu referuar konfliktit të institucionit të Presidentit me Kuvendin, ministri Naço përgjigjet se “luajaliteti dhe bashkëpunimi kushtetues midis institucioneve nuk ka vend për përdorimin e lenteve zmadhuese”. Edhe një herë ministri Naço shprehet se është skandal qëndrimi i 2 anëtarëve të  KLD-së, të zgjedhur nga Kuvendi, të cilët  nuk mbështetën ministrin e Drejtësisë. Lidhur me mangësitë e punës në burgje, ministri Naço pohon se është reflektuar dhe është përmirësuar ndjeshëm gjendja, ndërsa për shërbimin në hipoteka, ministri Naço thotë që  ky sektor ka probleme, por kjo nuk do të  më ndalojë,  që  këto reforma të  nisura nga Ministria e Drejtësisë, të ngelen në  mes të  rrugës, për shkak të  atyre presioneve”.

 

– I nderuar ministër, Naço, perceptimi i shqiptarëve është se politikanët duan të ketë një drejtësi të varur nga interesat e tyre. Si mund t’i bindni ju sot që ju keni vullnetin politik, i jepni drejtësisë pavarësinë politike?

– Së pari, gjej rastin t’ju falënderoj për intervistën dhe shpreh kënaqësinë për të folur rreth disa çështjeve më rëndësi në këtë gazetë, që mendoj se e ka krijuar profilin e duhur në drejtim të medias së lirë dhe të pavarur. Ajo që dua të them është se me marrjen e detyrës si Ministër i Drejtësisë kam prezantuar një sërë reformash të parashikuara në programin e qeverisë dhe në çdo rast e kam cilësuar se reformat do të jenë gjithë përfshirëse dhe në bashkëpunim të ngushtë më partnerët ndërkombëtarë. Prania e partnerëve ndërkombëtarë besoj se është një garanci e shtuar për procesin dhe tregues se reforma do të eci në drejtim të pavarësisë së sistemit gjyqësor, integritetit dhe përgjegjshmërisë të këtij sistemi.

– Ju si e perceptoni një drejtësi të pavarur?

– Në këtë drejtim nuk është e nevojshme të bëhen “shpikje”. Mjafton t’i referohemi eksperiencës së vendeve me demokraci të konsoliduar, ku ka një traditë të një drejtësie të pavarur dhe mundet që edhe ne të zgjedhim për të zbatuar një nga modelet më të mira. Unë besoj se është kaluar periudha e tranzicionit në sistemin e drejtësisë dhe sistemi në këto 20 vite ka treguar një lloj evoluimi, ka dëshmuar integritet ashtu sikundër në raste të veçanta ka pasur devijim nga zbatimi i ligjit, duke cenuar parimet që ne kërkojmë të zbatojmë, ato parime që gëzon drejtësia evropiane.

– Reforma e shumëpërfolur në drejtësi përse zvarritet, në kohë kur është edhe një ndër prioritetet e BE për hapjen e negociatave për anëtarësim?

– Unë nuk besoj se termi zvarritje është i përshtatshëm për t’u cilësuar në këtë rast. Besoj se kjo maxhorancë ka treguar pjekuri, maturi, vizion si dhe vendosmëri në drejtim të ndërmarrjes së reformave. Sikurse e përmenda, reformat do të jenë gjithëpërfshirëse, pa lënë mënjanë opozitën apo shoqërinë civile, institucionin e Presidentit apo edhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare që duan të japin asistencën për një drejtësi të pavarur.

– Në varësi të pëlqimit të një apo disa vendimmarrjeve, varet edhe karriera profesionale e gjyqtarëve dhe prokurorëve në drejtësi. Kjo praktikë e deritanishme, si do të jetë e pavarur (nga politika) në të ardhmen?

– Më lejoni të bëj një parantezë lidhur me këtë çështje. Për të kuptuar sistemin duhet të bëjë disa sqarime të nevojshme. Është Gjykata e Lartë, shkalla më e lartë në sistemin gjyqësor dhe të gjithë anëtarët e saj zgjidhen me propozim të Presidentit dhe më pas jep pëlqimin Kuvendi. Ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit sigurisht që janë gjykata karriere, ku emërimi, transferimi apo largimi nga detyra bëhet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në përbërje të të cilit janë 15 anëtarë. 9 anëtarë zgjidhen nga konferenca gjyqësore kombëtare, është kryetari i Gjykatës së Lartë, më pas tre anëtarë që zgjidhen nga parlamenti, Presidenti i Republikës si dhe Ministri i Drejtësisë. Unë besoj se mjaft t’i referohemi kësaj përbërje dhe besoj se është e qartë për të kuptuar se sistemi është i pavarur, përsa kohë që politika e ka të pamundur të ndërhyjë në sistemin gjyqësor, konkretisht në shkallën e parë dhe asaj të apelit, pasi pjesën më të madhe të anëtarëve e përzgjedh vetë Konferenca Gjyqësore Kombëtare, pra është vetë sistemi që ka zgjedhur anëtarët më të mirë nga radhët e gjyqësorit.

– Opozita ju ka akuzuar se me reformë ju bëni zëvendësime personash. Pyetja është: A ka sens reforma në drejtësi pa konsensusin e opozitës?

– Në këtë rast ndaj një qëndrim të ndryshëm nga ai i opozitës, por gjithashtu dua të them se e mirëkuptoj qasjen e dikurshme të saj për të mos arritur në realizimin e reformave, pasi nuk mund të realizonte dot reforma të thella në gjyqësor, për shkak të votëbesimit të ulët që mori në 2009, pra iu desh të bënte një koalicion që të siguronte mbi 71 deputetë në mënyrë që të qeveriste. Ndërkohë, në rastin konkret, kemi një maxhorancë tejet të konsoliduar, gjë që na mundëson siguri në ndryshimin dhe reformimin e sistemit të drejtësisë dhe ndonëse vota e opozitën mund të mos na shërbejë, përsëri në çdo rast është kërkuar kontributi dhe jemi shprehur për ta bashkëndarë reformimin e sistemit. Unë besoj se opozita flet për zëvendësim emrash, pasi nuk është bërë pjesë e këtyre reformave. Tashmë është një fakt i njohur bojkoti i opozitës aktuale dhe duke mos marrë pjesë në kuvend, në komisione, por duke zgjedhur pjesën deklarative nga selia qendrore besoj se iu shmangën në momentin e duhur procesit dhe nuk e dhanë kontributin, gjë që mund të nënkuptohet si mungesë vizioni mbi reformimin e sistemit të drejtësisë. Ndërkohë partnerët tanë ndërkombëtarë, shoqëria civile por edhe klasa politike, duhet të kenë një qëndrim unik në këtë drejtim për të evidentuar pjesët e sistemit ku duhet të ndërhyjë reforma. Është evidente se nevoja për reforma është emëruesi i përbashkët që na lidh të gjithëve, ndaj dhe duhet të dëshmojmë vullnet.

– Derisa drejtësia e Drejtësisë në gjyqësor u takon gjithë shqiptarëve, sipas jush, përse opozita e kundërshton reformën tuaj, derisa pranon edhe ajo që duhet reformë?

– Në këtë aspekt mendoj se ka ndikim fakti se politika që bëhet te ne, është një politikë që priret drejt tiparit bizantin, pra një politikë e mbyllur, pa menduar se si mund t’i shërbejë sa më mirë qytetarit dhe publikut. Shumë shpesh mendohet më tepër për vendosjen e kapitalit politik dhe llogaritjen e përfitimit. Në këtë kuadër, mendoj se votëbesimi që mori maxhoranca aktuale lidhet edhe me besimin e qytetarëve se ajo mund ta reformojë sistemin e drejtësisë, pra maxhoranca e djeshme u ndëshkua për shkak të mungesës së reformave në sistemin e drejtësisë.

– Si mund të arrini konsensusin me opozitën, kur ju keni diametralisht qëndrime të kundërta për reformën në drejtësi? A ka vend që edhe maxhoranca të rishikojë qëndrimin e saj e të jetë më toleruese me opozitën për këtë çështje?

– Sikurse e përmenda edhe më sipër, mungesa e opozitës në komision, apo edhe vendosja e saj në krahun e kundërt, vazhdimisht mohuese, apo kur çdo ligj është bërë e udhës të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese me qëllim pengimin e bërjes në kohë të reformave, sigurisht që bëhet thjeshtë dhe vetëm për kapital politik. Pa diskutim, nuk është pretenduar ndonjëherë se varianti i propozuar nga ana jonë është më i miri, ndaj dhe kemi kërkuar përfshirjen e të gjithë aktorëve, që mund të japin kontribut, përfshirë këtu edhe Presidentin e Republikës.

– Institucionet e Drejtësisë sikurse janë Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë,  a do të preken nga reforma?

– Reformimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë i kam evidentuar si një objektiv të kësaj maxhorance dhe kjo nismë ka qenë pjesë e programit të qeverisë, sikundër i është bërë me dije edhe partnerëve ndërkombëtarë, opinionit publik etj, të cilët kanë pritshmëritë e tyre lidhur me reformimin e sistemit në tërësi. Kur kemi kërkuar reformimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk kemi pasur në mendje ndryshime në emra. Në reformën që kërkojmë të ndërmarrim kemi parasysh që Gjykata Kushtetuese duhet të japi së bashku me shpalljen e vendimit edhe arsyetimin e tij, sikurse me rëndësi është edhe mënyra e përzgjedhjes së gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Të njëjtën gjë do të thosha edhe për Gjykatën e Lartë, e cila aktualisht ka rreth 10 mijë e 500 çështje të cilat presin të shqyrtohen. Pra, reformimi nuk ka të bëjë me çështje emrash apo mandatesh, por lidhet me çështje thelbësore që do të kenë një impakt të drejtpërdrejtë.

– Cilat janë ato ndryshime kushtetuese që duhen ndërmarrë në kuadrin e reformës në drejtësi?

– Unë do të theksoja dhe njëherë që në tryezën e përbashkët në datën 06 tetor, tryezë e organizuar nga Presidenti i Republikës dhe Ministri i Drejtësisë dhe me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të politikës, partnerëve tanë ndërkombëtare, u theksua domosdoshmëria e një reforme në sistemin e drejtësisë. Në të njëjtën linjë edhe konferenca e datës 31 tetor e organizuar nga Ministri i Drejtësisë me ekspert vendas dhe me ekspert të opozitës, të shoqërisë civile, evidentoi mënyrën se si do të zhvilloheshin reformat në sistemin e drejtësisë. Për këtë qëllim Kuvendi ka krijuar një komision të posaçëm për reformën në sistemin e drejtësisë, një komision i cili në përbërje të vet do të ketë përfaqësues nga opozita, nga maxhoranca, do të ketë ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë, do të ketë ekspertë të shoqërisë civile, ekspertë nga partnerët tanë ndërkombëtarë nga Komisioni i Venecias, nga Institucioni i Presidentit të Republikës, pra unë besoj që krijimi i këtij komisioni të posaçëm detyrimisht do të na çojë drejtë ndryshimeve kushtetuese dhe besoj që mbas ndryshimeve kushtetuese do të bëhet edhe reformimi i pjesës tjetër të sistemit gjyqësor.

– Maxhoranca ka miratuar disa ligje që kanë prekur kompetencat kushtetuese të Presidentit, duke u nisur nga qëllimi i kapërcimit të ngërçit me presidentin. Ju si u përgjigjeni akuzave të opozitës që ju me këtë sjellje politike kërkoni të anashkaloni Kushtetutën dhe rolin kushtetues të Presidentit?

– Nuk ndaj të njëjtin mendim me opozitën dhe sikurse e thashë pak më lart, opozita në çdo rast kërkon të përfitojë kapital politik, kërkon të forcojë radhët e veta për shkak dhe të zgjedhjeve të brendshme në parti. Unë besoj se që nga viti 1998 kur është miratuar Kushtetuta, janë ndryshuar kompetencat e disa institucioneve dhe ky reformim vjen në dinamikë dhe në vazhdimësi. Mendoj që opozita çdo reformë të marrë nga maxhoranca nuk do ta shohë në sy dhe rrjedhimisht nuk jep kontribut. Mesa duket, në çdo rast i krijohet bindja se ne po i heqim kompetencat Presidentit të Republikës. Unë besoj që kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës nuk janë prekur nga ligjet e propozuara apo dhe të miratuara, madje besoj se duhet të kemi një bashkëpunim kushtetues më të madh të Presidentit me këtë maxhorancë dhe po të njëjtën gjë do ta kërkoja dhe për opozitën, e cila duhet të japi kontributin e vetë në drejtim të reformimit apo dhe të ndryshimeve ligjore që nuk kanë të bëjnë me emra të veçantë por kanë të bëjnë me modernizimin dhe reformimin e të gjithë sistemit.

– Sipas jush a ka boshllëk në kompetencat kushtetuese të Institucionit të Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë?

– E përmenda edhe pak më lart, se jo gjithçka mund të përcaktohet në Kushtetutë qoftë kompetencat e Presidentit, të Kuvendit, të Qeverisë apo edhe të institucioneve të tjera Kushtetuese, prandaj në çdo rast vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje dhe më marrëdhënien e këtyre institucioneve ka kërkuar bashkëpunim kushtetues. E them këtë për rastin e fundit të ndryshimeve në ligjin për Gjykatën e Lartë, ku ju propozua Presidentit të Republikës që në emërimin e anëtarëve të kësaj gjykate të kishte një komision të pavarur të përbërë nga kryetari i Gjykatës së Lartë, nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Prokurori i Përgjithshëm, Ministri i Drejtësisë, Kryetari i Dhomës së Përgjithshme të Avokatisë, Kryetari i Shkollës së Magjistraturës, pra një elitë zyrtarësh të lartë, që pjesa më e madhe është zgjedhur nga Presidenti i Republikës. Ky komision do të bënte një përzgjedhje, një seleksionim të kandidaturave dhe kritereve për t’ia propozuar Presidentit të Republikës, më pas ai do të përzgjidhte një nga këto dhjetë apo njëzet kandidat për t’ia propozuar Kuvendit për të dhënë pëlqimin e vet. Siç duket, Presidenti e ka cilësuar si shkelje të kompetencave të veta dhe nuk ka dhënë pëlqimin, të paktën nga deklaratat publike. Pra, nuk e vlerëson që të jetë një komision i pavarur, një komision që funksionon të paktën në minimumin e dhjetë vendeve të Europës Perëndimore. Ndonjëherë, ose vendosen lente zmadhuese për të gjetur ndonjë gabim drejtshkrimor, ose zgjidhet teoria nihiliste për të mos pranuar asgjë nga ato që ofrohen.

– A është normale për mirëfunksionimin e demokracisë që presidenti i zgjedhur me votë të thjeshtë, të ketë kompetenca kushtetuese, të rrëzojë ligje që Kuvendi i voton me votë të cilësuar?

– Unë  besoj që  kompetencat e Presidentit janë  normale, siç janë dhe të institucioneve të  tjera, besoj që Kushtetuta në miratimin e vet në vitin 1998, ka pësuar ndryshime, por kjo nuk do të  thotë që i shkelen kompetencat askujt. Të gjitha ndryshimet janë bërë duke marrë dhe mendimin paraprak të ekspertëve të Komisionit të Venecias. Përsa kohë Presidenti gjykon që ligji sipas tij nuk do të dekretohet, e ka të gjithë tagrin për të mos e dekretuar, por kjo të krijon idenë se njëherë përdor syze të errëta dhe një  herë përdor lupën për të gjetur gabime të njërit apo tjetrit. Unë besoj që sistemi funksionon, ndonëse ka nevojë për rregullime, por e përsëris dhe njëherë se luajaliteti dhe bashkëpunimi kushtetues midis institucioneve nuk ka vend për përdorimin e lenteve zmadhuese.

– A mund të ketë kompetenca kushtetuese Gjykata Kushtetuese, të cilësojë një ligj si antikushtetues, kur këtë ligj Kuvendi e ka votuar me votë të cilësuar?

– Besoj që është praktika më e mirë jo vetëm tek ne, por dhe në vende të tjera. Kuptohet që ndryshimet në ligj nuk bëhen nga juristë, por nga politikanë të fushave të ndryshme, pavarësisht se ka një konsultim paraprak të juristëve dhe besoj që në këtë rast është e nevojshme dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është i nevojshëm që të  bëhet barrierë, për të  mos lejuar miratimin e ligjit antikushtetues.

– Kohët e fundit kanë ndodhur disa ngjarje në burgje të cilat janë pjesë e varësisë së institucionit tuaj. Dy të fundit në harkun e tre ditëve u shoqëruan me varje. A mendoni se është koha për reformë të thellë në Drejtorinë e Burgjeve ?

– Unë  besoj që  reforma në Drejtorinë e Burgjeve ka vazhduar dhe po vazhdon. Siç jeni në  dijeni, në vitin e kaluar janë bërë disa ndryshime në ligjin, qoftë  për të dënuarit, qoftë  për Drejtorinë e Burgjeve, për t’u modernizuar dhe për t’iu përshtatur ndryshimeve të  reja, të  cilat kanë  dalë  dhe po dalin në  harkun ligjor. Po trajnohet i gjithë  stafi i këtij institucioni dhe besoj që janë  raste të  shkëputura ngjarjet që ju citoni dhe nuk kanë  të  bëjnë  me punën e përditshme, që bëhet nga punonjësit e këtij institucioni. Ka pasur dhe raste, të cilat, në pjesën më  të  madhe janë  parandaluar, apo janë  evituar, apo sikurse ka pasur dhe raste, të  cilat ne nuk do të  dëshironim që  asnjëherë  të  ndodhnin. Nuk them që  gjërat janë  të  përsosura, po besoj se janë  në  drejtimin dhe në rrugën e duhur.

– Deklaruat se brenda janarit do përfundojë testi për punonjësit e Hipotekave. A do jeni në gjendje t’i përballoni ndërhyrjet, pasi shumica kanë vlera monetare të fuqishme dhe mbajnë vendin nëpërmjet tyre, dhe një pjesë janë fëmijët dhe të afërmit e pushtetarëve ose biznesmenëve që i kanë emëruar..

– Unë  kam qenë  i ndërgjegjshëm dhe i vetëdijshëm kur kam bërë me dije se brenda muajit shkurt të gjithë punonjësit e institucioneve të zyrave të regjistrimit të pasurive të  paluajtshme do t’i nënshtrohen një testimi të hollësishëm në ushtrimin e detyrave të tyre. Sigurisht ky sektor ka probleme, por kjo nuk do të  më ndalojë që këto reforma të nisura nga Ministria e Drejtësisë dhe nga kjo maxhorancë, të ngelen në  mes të  rrugës, për shkak të atyre presioneve që thatë  pak më lartë. Jemi të vendosur për ta reformuar, dixhitalizuar dhe modernizuar këtë sistem dhe krahas këtyre proceseve është  e nevojshme që  personat që i aplikojnë në  praktikë, të jenë punonjës të  kualifikuar, sikurse edhe me integritet.

Skandal që 2 anëtarë të KLD-së nuk mbështetën ministrin e Drejtësisë

– A nuk është mosrespektim i Kushtetutës nga maxhoranca, kur nuk respekton mandatet kushtetuese të drejtuesve të institucioneve të pavarura si ILKDP KLD, AMA etj?

– Nuk do të zgjatem shumë në këtë drejtim, por do të them që largimi i një drejtuesi apo i një tjetri nuk ka të bëjë me shkeljen e të drejtave kushtetuese. Në rastin konkret ,vetëm në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, ndryshimi i titullarit në atë institucion dhe ndryshimet ligjore sollën një përmirësim të ndjeshëm në luftën kundra korrupsionit. Realisht janë me dhjetëra e dhjetëra raste për ankim apo kallëzime në prokurori, të gjyqtarëve, të prokurorëve, të kryetarëve të komunave dhe bashkive, të zyrtarëve të tjerë të lartë, të cilët prej vitesh kanë fshehur pasurinë e tyre. Dyshim të arsyeshëm ka pasur edhe në dy rastet e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe është skandaloz, fakti kur dy anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi prej më shumë se një viti nuk e mbështetën Ministrin e Drejtësisë.

Do të respektojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, presim zbardhjen

– Gjykata Kushtetuese ka rrëzuara amendamentin në ligjin për KLD-në, edhe pse ju e votuat me votë të cilësuar. Për ju cila është domethënia e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese?

– Unë bëj pjesë tek ata juristë që mendojnë se Gjykata Kushtetuese i është dashur sistemit tonë gjyqësor, duke pasur një kontribut në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës. Sigurisht, që në miratimin e një ligji ka një qëndrim të caktuar dhe ndaj çdo ankimimi Gjykata Kushtetuese është ajo që gjykon, por kjo nuk do të thotë se, në raste të caktuara, vendimet që merr Qeveria, projektligjet që kalohen në Kuvend, apo edhe nene dhe ligje të veçanta shfuqizohen, është gabim i qeverisë, apo është spekulim i Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk do të thosha as njërën dhe as tjetrën, por ndaj mendimin se është vetë sistemi që funksionon në këtë mënyrë dhe ne jemi të detyruar ta zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse në raste të veçanta pikëpamjet tona mund të jenë të ndryshme.

– Do të respektoni këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese?

– Sigurisht, që në asnjë rast nuk më shkon ndërmend të mos respektoj ndonjë vendim të cilësdo gjykatë. Ne do të presim të dalë i plotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, së bashku me  arsyetimin përkatës dhe sigurisht, që do ta zbatojmë. Në dijeninë time, është kundërshtuar vetëm një nen, që lidhet me rastet e shkarkimit të anëtarëve të KLD-së, qoftë atyre të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, apo edhe atyre të zgjedhur nga Kuvendi por sigurisht që në frymën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të pasqyrohen edhe ndryshimet përkatëse. Ndërkohë, që pjesa tjetër e ligjit është gjetur në pajtim me Kushtetutën dhe ndërsa jemi në pritje të arsyetimit të vendimit, jam i bindur që do të orientohemi për ta ndryshuar këtë nen dhe ne jemi të hapur për të bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme.

– Ju faleminderit!

Jakup B. GJOÇA