Nasip Naço: Presidenti nuk mund të jetë kryetari i KLD, kur nuk mban përgjegjësi

441
Më shumë se kurrë është kthyer në prioritet politik reforma në Drejtësi, aq sa maxhoranca dhe opozita dhanë konsensusin që do të bashkëpunojnë për të ndërtuar së bashku këtë reformë, natyrisht me prezencën dhe certifikimin e ndërkombëtarëve. Në tryezën e bisedimeve janë hedhur teza të tilla, si ndryshimet kushtetuese, përsa i përket mënyrës së zgjedhjes së Presidentit dhe kompetencave të tij, reformism të plotë të institucioneve të Drejtësisë, sikurse KLD, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Prokuroria e Përgjithshme, në mënyrë të tillë, që politika të ketë sa më pak ndikim në vendimmarrjet e institucioneve të drejtësisë. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço në intervistën e tij, zbardh platformën e reformës në drejtësi. Ministri Naço pohon se do të shqyrtohet roli i Presidentit në sistemin e drejtësisë dhe pse është e nevojshme reformimi i KLD. Sipas ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, do të jenë ekspertët e reformës në drejtësi, ata që do të vendosin se cilat do të jenë ndryshimet përkatëse, duke u bazuar edhe në përvojën më të mirë të vendeve europiane, por kjo e përshtatur me kushtet dhe nevojat tona. 
-Zoti ministër Naço, si do të reformohet KLD?
– “Ka disa formula për KLD-në. Vende të ndryshme kanë modele të ndryshme, do të zgjedhim një prej tyre. Nuk marr dot rolin e ekspertit. Anëtarët e KLD mund të jenë të gjithë gjyqtarë, por modeli i përzgjedhjes i ndryshëm, synimi është të shmangim që KLD të funksionojë si një koorporatë. Synojmë një model të ndryshëm nga ky që është tani, i cili nuk ka funksionuar. Nuk besoj se ka një betejë të humbur me KLD-në. Nuk kam pasur betejë personale me asnjë gjyqtar të veçantë. Beteja jonë ka qenë me ata që nuk zbatonin ligjin”.
– Do bashkëpunohet me KLD-në për reformën, apo do të shkrihet si trup?
– “Unë besoj se nuk është gjithë KLD në bllok, por individë të caktuar që mbajnë peng zbatimin e ligjit, përmes lidhjeve të tyre koorporatiste. Janë atë nuk mbajnë qëndrim ligjor në KLD. Ndaj tani ka lindur domosdoshmëria për ta riformatuar, ky model që është tani nuk është rezultativ. Pra, mund të jenë sërish 9 anëtarë nga konferenca gjyqësore, por që janë me mandat të plotë në mënyrë që të mos kenë një sy në KLD dhe një dorë në gjykatë. Mund të jenë me 11 ose 13 anëtarë”. 
– Pra do të ketë ndërprerje mandatesh?
– “Kemi folur për reformim të KLD dhe Gjykatës së Lartë. Unë kam bërë një propozim që Gjykata e Lartë duhet të përfshihet brenda KLD-së, në mënyrë që ata të mos i zgjedhë Kuvendi por të jenë gjyqtarë karriere, që vijnë në Gjykatën e Lartë për shkak të karrierës së tyre dhe jo për shkak të vullnetit politik. Unë këtë quaj reformim kurse juve shkrirje”.
– Është opsioni që presidenti të jetë kreu i këtij institucioni të ri?
– “Vende të ndryshme kanë modele të ndryshme. Këtu tek ne Presidenti zgjidhet edhe me 71 vota. Qenia e presidentit në krye të KLD-së, ku drejton të gjitha mbledhjet, i ardhur nga një forcë politike, ku dekreton të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, kreun e Prokurorisë, dekreton emërimet dhe shkarkimet e prokurorëve. Pra, gjithë sistemi është në dorë të presidentit por ai nuk mban përgjegjësi, duhet gjetur modeli që kushdo që është në krye të sistemit, të mbajë përgjegjësi”.
– Si do zgjidhen mandatet e KLD-së dhe Gjykatës së Lartë që janë në vazhdim?
– “Është komisioni i posaçëm parlamentar që do të dërgojë produktin final në parlament, ekspertët po punojnë mbi një draft”.
– A do të rikthehet në punë Lulzim Lelcaj, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë?
– Qëndrimi im është publik, Elvis Cefa dhe Lulzim Lelcaj ishin zgjedhur nga Kuvendi, nuk po ushtronin detyrën e tyre, për shkeljet që gjeti edhe Komisioni Hetimor Parlamentar. Gjykata Kushtetuese thotë që duhet riformatuar neni për shkarkimin e anëtarëve të KLD-së. Ky nen i veçantë është pjesë e reformës, do të riformatojmë dhe kështu do zbatojmë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në asnjë rast gjykata dhe vetë zotërinjtë nuk kërkojnë të rikthehen në punë. Nëse lexoni procesverbalin e mbledhjes së KLD-së, edhe Presidenti tha që t’i kërkojë Parlamentit të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të kërkojmë një gjë që është pa objekt, në asnjë rast nuk detyrohet Kuvendi që të kthehen ata në punë. Të presim dhe vendimin e Gjykatës Administrative. Kur të merret vendimi do ta shohim. I thashë Presidentit mos kërko, që unë si ministër të dal në Kuvend dhe të kërkoj diçka që nuk ekziston. Nuk mund të ndodhë që Presidenti në çdo takim i merr këta të dy nga prapa dhe thotë këtu i kam unë gati. Nuk ndodh në asnjë vend, që Presidenti nuk emëron zv.kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dhe pse ka kaluar një vit. Nuk ka dashur, nuk do dhe gjendja është kjo që është. Presidenti duhet të ishte pjesë e reformës. Ky lloj sistemi ku Presidenti është në krye të gjithçkaje dhe nuk mban përgjegjësi, nuk ka funksionuar. Do shkojmë te ndryshimet kushtetuese.
– A parashikon varianti i mazhorancës që Presidenti do të jetë në krye të KLD?
– Nuk kemi ende propozime, ja kemi lenë ekspertëve. Fatmirësisht tashmë është edhe opozita dhe kur të hapen letrat do të shikohen edhe variantet.
– Po flasim për reformë kushtetuese, cilat mandate do të ndërpriten? 
– Komisioni i posaçëm ka disa nënkomisione, sigurisht që do të ketë propozime konkrete. Kemi pasur votat për të bërë ndryshimet. Duam ta bëjmë këtë në mënyrë konsensuale, dhe reformat të jenë gjithëpërfshirëse. Unë kam thënë që në fillim që Gjykata e Lartë të përfshihet te KLD që të kemi një gjykatë karriere, jashtë ndikimit politik.
– Për procedimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve ka akuza të ndërsjella, ju akuzoni KLD por kjo e fundit ju akuzon juve për pengesë?
– “Një nga ndryshimet e bëra vitin e kaluar ishte që kërkesat e ministrit të shqyrtohen brenda një muaji. Dy kërkesa të bëra nga ministri në nëntor të 2014 u shqyrtuan vetëm javën e kaluar”.
– Akuzat janë që ju nuk keni çuar kërkesat dhe keni djegur afatet?
– “Për tre dosje që kanë humbur, kam bërë denoncim. Mora një ministri pa inventar. Bëra inventar dhe më rezultoi që tre dosje nuk janë. Kjo nuk është përgjegjësia ime. Në rastet e tjera kam vepruar sipas kërkesave të ligjit”. 
– Çfarë do ndodhë me KLD-në do na e thoni saktë?
– “Do e reformojmë, do përfshijmë gjykatën e Lartë në KLD. Sot quhet KLD, në vende të tjera Këshilli i Magjistraturës. Ju e quani shkrirje, unë e quaj reformim”.
– Përsa kohë do përfshihet Gjykata e Lartë, do të thotë që ka dhe ndërprerje mandatesh?
– “Unë thashë, do ta reformojmë”.
Sigal