Nasip Naço: Objektivi ynë është lufta kundër korrupsionit, politikë e re kundër kriminalitetit

500
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço në zbatim të nenit 54/1 të ligjit nr. 8737 datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i përcjell Prokurorit të Përgjithshëm, rekomandimet që duhet të mbahen parasysh për vitin në vazhdim, në luftën kundër kriminalitetit. Këto rekomandime kanë për qëllim dhe synojnë përmirësimin e efektivitetit të masave për parandalimin dhe luftën kundër kriminalitetit. Rekomandimet që paraqiten nga ana e Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço janë të orientuara drejt respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, dhe drejt parandalimit të shkeljeve të ligjit, si premisa bazë për zhvillimin demokratik dhe integrimin europian të Republikës së Shqipërisë. Përgatitja e këtyre rekomandimeve, është mbështetur në analizën e dokumenteve strategjikë qeveritarë dhe në raportet e organizmave ndërkombëtarë (sidomos të Komisionit Evropian), që lidhen me çështjet e krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafikut të lëndëve narkotike. Gjithashtu, në përgatitjen e këtyre rekomandimeve është shfrytëzuar edhe kontributi i paraqitur nga strukturat e pushtetit ekzekutiv, të cilat kanë në përbërje të tyre personel, që me ligj i është njohur cilësia e policisë gjyqësore . Qeveria ka në programin e saj angazhimin maksimal për të rikthyer besimin e publikut në një Shqipëri më të sigurt, ku forca e ligjit vlen për të gjithë në mënyrë të barabartë, në përmbushje dhe respekt të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Qeveria ka vullnet të palëkundur politik për luftimin e korrupsionit, për të çmontuar murin e paprekshmërisë e pandëshkueshmërisë. Për vitin 2015, pikësynim strategjik dhe objektiv kombëtar për Shqipërinë përbën hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 
Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë
Forcimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë lidhet ngushtësisht me reformën në sistemin gjyqësor në Shqipëri. Forcimi i sistemit të drejtësisë realizohet nëpërmjet ndërmarrjes së reformave funksionale dhe strukturore të sistemit shqiptar të drejtësisë. Objektivat bazë të reformës në sistemin e drejtësisë vazhdojnë të jenë: forcimi i pavarësisë, paanësisë, profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë, krijimi i të gjitha kushteve të domosdoshme për funksionimin efikas, përmirësimi i transparencës dhe digjitalizimi i plotë. Qeveria angazhohet të mobilizojë të gjitha burimet e duhura njerëzore, teknike e financiare që ajo ka në dispozicion, 
1.për të ndërmarrë të gjitha nismat ligjore për të forcuar pavarësinë, paanshmërinë, profesionalizmin dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor;
2. për të ndërmarrë reforma rrënjësore, afatgjata dhe gjithëpërfshirëse për të rivendosur integritetin e pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë;
3. për të krijuar të gjitha kushtet e domosdoshme për funksionimin efikas të sistemit të drejtësisë shqiptare në përputhje me standardet e BE-së; 
4. për të siguruar respektimin e standardeve më të larta ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, duke përfshirë aksesin e plotë dhe të barabratë në drejtësi për të gjithë;
5. për të garantuar bashkëpunimin e plotë dhe efektiv me institucionet ndërkombëtare të drejtësisë;
Nga monitorimet që organizmat ndërkombëtar i kanë bërë gjëndjes në Shqipëri , evidentohet se, Shqipëria ka demonstruar përkushtim ndaj reformës në drejtësi, kryesisht duke bashkëpunuar me Komisionin e Venecias për të përmirësuar pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e sistemit. Janë marrë masa për të rritur llogaridhënien e gjyqtarëve, prokurorëve dhe deputetëve, si edhe zyrtarëve të tjerë të lartë, përmes miratimit të legjislacionin që rregullon imunitetin e tyre. Funksionimi i sistemit gjyqësor vazhdon të cenohet nga politizimi, llogaridhënia e kufizuar, bashkëpunimi i dobët ndërinstitucional, burimet e pamjaftueshme dhe akumulimi i çështjeve të prapambetura. Mungesa e llogaridhënies së Prokurorisë së Përgjithshme mbetet shqetësuese. Procedurat për emërimin dhe shkarkimin e personelit kyç në këtë institucion duhet të jenë transparente dhe të paanshme, dhe roli i Këshillit të Prokurorëve duhet të forcohet. Korrupsioni në gjyqësor mbetet një shqetësim serioz. Ky fenomen cenon funksionimin normal të sistemit të drejtësisë dhe minon besimin e publikut në shtetin e së drejtës.
Prioritet i Qeverisë do të vazhdojë të jetë edhe forcimi i pavarësisë dhe integritetit të prokurorëve në procesin e hetimit, si dhe përmirësimi i efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale.
Rekomandimet e qeverisë Prokurorit të Përgjithshëm
-Forcimin e integritetit dhe autonomisë së prokurorisë në hetimin paraprak; 
– Rritjen e hetimeve pro aktive; 
– Zbatimin e kuadrit ligjor; 
– Rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, si një premisë bazë për suksesin e veprimtarisë së organit të prokurorisë; 
– Forcimin e kompetencave dhe të transparencës së Këshillit të Prokurorisë, në raport me emërimin, promovimin, transferimin dhe procedimin disiplinor të prokurorëve.
Lufta kundër korrupsionit 
Lufta kundër korrupsionit është një detyrim që rrjedh nga aderimi i Shqipërisë në instrumentat ndërkombëtarë për luftën kundër korrupsionit si Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, Konventa Penale e Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit, Konventa Civile e Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit etj. Me qëllim zbatimin e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2012, për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë të cilat nuk ishin realizuar në praktikë, gjatë vitit 2014 u miratua paketa antikorrupsion. Monitorimet ndërkombëtare lidhur me luftën kundër korrupsionit përmendin se, Numri i hetimeve të çështjeve të korrupsionit aktiv dhe pasiv, përfshi korrupsionin e zyrtarëve shtetërorë, është rritur. …. Megjithatë, hetimet vazhdojnë të jenë më shumë të nxitura sesa kryesisht, dhe numri i dënimeve të formës së prerë mbetet i ulët në të gjitha nivelet. Hetimet efiçente vazhdojnë të pengohen nga pengesa ligjore, si dispozitat për përgjimin dhe mbikëqyrjen, afatet e hetimeve, mungesa e regjistrave për llogaritë bankare dhe abonentët telefonikë, si edhe çështje të pranimit të provave nga gjykata. Në tërësi, institucionet e përfshira në luftën kundër korrupsionit mbeten vulnerabël ndaj presioneve politike dhe ndikimit të paligjshëm. Korrupsioni mbetet i hapur në shumë fusha, përfshi gjyqësorin, dhe mbetet një problem veçanërisht serioz. Sipas të dhënavë statistikore, marrë nga Raporti i Prokurorit të Përgjithshëm në Kuvend, rezulton se organi i prokurorisë për vitin 2014 për këtë lloj veprash penale ka regjistruar 143 procedime, ka dërguar për gjykim 51 procedime me 94 të pandehur dhe janë dënuar 42 të pandehur . Të dhënat statistikore për veprat penale të korrupsionit tregojnë se, ndonëse ka rritje të numrit të çështjeve të regjistruara dhe të dërguara për gjykim, në krahasim me vitin 2013, ende mbetet i vogël treguesi i çështjeve të dërguara për gjykim në krahasim me totalin, dhe akoma më i ulët mbetet numri i personave të dënuar me vendim të formës së prerë, për këtë lloj veprash penale, madje ky i fundit ka pësuar ulje në krahasim me vitin 2013 (65). 
Rekomandimet e qeverisë Prokurorit të Përgjithshëm
-Forcim të koordinimit ndërinstitucional me shërbimet policore, për shkëmbimin e informacionit dhe përdorimin sa më efektiv të metodave speciale të hetimit, për sigurimin e provave dhe goditjen e korrupsionit; 
– Rritje të numrit të çështjeve të hetuara, sidomos i hetimeve pro-aktive, për raste të evidentuara në nivelet e mesme dhe të larta të administratës shtetërore, të sistemit gjyqësor, zyrtarëve pa imunitet, shërbimit tatimor dhe doganor, arsim dhe mjekësi, konfliktin e interesit dhe mashtrimin me deklarimin e pasurisë; 
– Hetime të shpejta, efikase dhe zbatim rigoroz të dispozitave proceduriale penale;
– Ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe atyre të dënimit për të gjitha rastet e evidentuara të korrupsionit; 
– Hetime pasurore për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë veprat penale të korrupsionit;
– Forcim të kapaciteteve njerëzore në prokurori dhe në strukturat e tjera ligjzbatuese, nëpërmjet trajnimit specifik të tyre.
– Përmirësim të track rekordit, me qëllim mbajtjen e statistikave të sakta në vijueshmëri me rezultate të vërtetuara, lidhur me hetimin dhe dënimet e rasteve të korrupsionit në të gjitha nivelet. 
Lufta kundër krimit të organizuar
Një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare është edhe lufta kundër krimit të organizuar. Qeveria është angazhuar intensivisht dhe në mënyrë të qëndrueshme në goditje të krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore e substancave narkotike, në respekt të plotë të ligjeve të vendit dhe të angazhimeve të saj ndërkombëtare. Monitorimet ndërkombëtare sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, përfshirë pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore dhe drogës theksojnë se, Institucionet ligj zbatuese duhet të përshpejtojnë koordinimin dhe shkëmbimin e informacionit për të maksimizuar kapacitetet e tyre në hetimin e krimeve të rënda dhe krimit të organizuar. Duhet të përmirësohen hetimet proaktive të bazuara në informacion sekret. Teknikat speciale të hetimit dhe hetimet financiare nuk zbatohen në mënyrë sistematike. … Përpjekje të mëtejshme nevojiten për të përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet policisë dhe prokurorisë gjatë hetimeve. Metodat dhe procedurat e brendshme për mbledhjen e provave dhe përgjimin e telekomunikimeve duhet të përmirësohen. Harmonizimi i statistikave të të gjitha institucioneve për historikun e rezultateve (track record) të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve duhet të përmirësohet. Mbledhja e provave, raportimi dhe përdorimi i teknikave speciale të hetimit duhet të përforcohet. Për sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore, hetimet proaktive duhet të konsolidohen më tej. Me gjithë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale në vitin 2013 për të kriminalizuar trafikimin e brendshëm të të rriturve, ende nuk është hetuar asnjë çështje e tillë deri më sot. Numri i dënimeve ende mbetet shumë i ulët dhe deri më sot nuk është filluar asnjë hetim pasuror.
Rekomandimet e qeverisë Prokurorit të Përgjithshëm
-Përmirësim të kapaciteteve njerëzore nëpërmjet trajnimit specifik të tyre dhe kapaciteteve teknike, në prokurori dhe polici, me qëllim hetimin efikas në kohë dhe cilësi; 
– Rritje të bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim shkëmbimin e shpejtë dhe të saktë të informacionit në funksion të rritjes së numrit të çështjeve penale dhe cilësisë së hetimeve të kryera; 
– Rritje të numrit të hetimeve pasurore, duke shfrytëzuar në maksimum mundësitë ligjore për sekuestrimin e aseteve, produkt i krimit të organizuar; 
– Rritje të numrit të hetimeve proaktive, duke rritur përdorimin e teknikave speciale të hetimit dhe hetimet financiare për veprat penale të krimit të organizuar: veprat penale të pastrimit të parave;
– Ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe dënimit, në çështjet penale të krimit të organizuar: trafikimit të narkotikëve, trafikimit të qënieve njerëzore, pastrimit të parave, krimit kibernetik;
– Rritje të bashkëpunimit me mekanzimat ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, sa i përket veprave penale të parandalimit dhe pastrimit të parave, trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake, mjeteve motorike dhe veprave të artit dhe kulturës;
– Forcim të bashkëpunimit me partnerët tanë rajonalë dhe ndërkombëtarë, me qëllim parandalimin e krimeve kompjuterike të përdoruara për pastrimin e të ardhurave nga aktivitete kriminale në përgjithësi, si dhe ato për qëllime të financimit të terrorizmit; 
– Forcim të koordinimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit të organizuar dhe përmirësim të track rekordit për statistikat në fushën e krimit të organizuar, me qëllim krijimin e një platforme të sigurt për shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve.
Të Drejtat e Njeriut
Një ndër prioritetet kyçe të Qeverisë mbetet edhe respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të individëve dhe në mënyrë të veçantë e grupeve vulnerable, si personave të ndaluar apo të dënuar dhe në mënyrë të veçantë e të miturve, në konflikt me ligjin. Nga të dhënat statistikore rezulton se, të miturit dërguar gjyqit në vitin 2014 janë 860, dhe nga gjykata janë dënuar 748 të pandehur të mitur. Për 345 të pandehur të mitur është kërkuar nga prokurorët caktimi i dënimeve alternative, kryesisht pezullimi i vendimit të dënimit me burg dhe vënia në prove. Monitorimet ndërkombëtare për sa i përket drejtësisë për të miturit , theksojnë se mungon ndihma e psikologut kur i mituri merret në pyetje gjatë darkës, në fundjavë apo në ditë pushimi zyrtar. Të miturit vazhdojnë të mbahen të ndaluar më shumë sesa e parashikojnë dispozitat e Kodit të Procedurës Penale për ndalimin dhe paraburgimin për shkelje të vogla…Vazhdon të ketë mungesë koordinimi ndërmjet drejtësisë dhe sistemeve të mbrojtjes së të miturve që dalin nga sistemet e drejtësisë, të cilët kanë nevojë për mbështetje që të ri-integrohen në shoqëri. Gjetja e ekuilibrit të duhur midis dënimit, trajtimit apo ri-integrimit të të dënuarve nga njëra anë, si dhe respektimi i ligjit, mbrojtja e shoqërisë dhe e të dëmtuarve nga ana tjetër, është një proces mjaft kompleks që përbën një sfidë të vazhdueshme për çdo vend civil. Zbatimi i politikës “që burgimi të përdoret si mjet i fundit” është i lidhur ngushtësisht me zhvillimin e politikave të tjera, ku dënimet alternative, vlerësohen si reformë në raport me dënimin penal, e orientuar drejt një drejtësie korrigjuese dhe restauruese shoqërore. Ndërkohë në kuadër të reformimit të sistemit të drejtësisë penale, Ministria e Drejtësisë po përgatit një paketë ligjore, me qëllim adresimin e problematikave të ndeshura në praktikë nga zbatimi i ligjit.
Rekomandimi i qeverisë Prokurorit të Përgjithshëm
-Aplikimin e masave të sigurimit personal, të ndryshme nga e ajo e “arrestit në burg” dhe zbatimin e masave alternative të dënimit, ndaj personave me rrezikshmëri të ulët shoqërore, që kryejnë vepra penale që parashikojnë masë dënimi në maksimum deri 5 vjet burgim;
– Kërkesa për masën e sigurimit “arrest në burg” për të miturit, të jetë rast përjashtimor dhe jo i zakonshëm;
– Hetime të shpejta, me qëllim shkurtimin e kohës së qëndrimit të të miturëve në paraburgim;
– Aplikimin e masës së sigurimit, si rregull “arrest në burg”, ndaj personave me rrezikshmëri të madhe shoqërore, që kryejnë vepra penale që parashikojnë masë dënimi në minimum mbi 5 vjet burgim;
– Ashpërsim të dënimit për veprat penale që parashikojnë masë dënimi në minimum mbi 5 vjet burg, sidomos ndaj personave me rrezikshmëri të madhe shoqërore;
– Ashpërsim të dënimit për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake;
– Ashpërsim të dënimit për veprat penale kundër mjedisit; 
– Ashpërsim të dënimit për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm;
– Ashpërsim të dënimit për veprën penale të vjedhjes së energjisë elektrike;
Bashkëpunimi ndërinstitucional
Qeveria shqiptare angazhohet për vendosjen e bashkëpunimit reciprok mes institucioneve të pavarura kushtetuese që kanë rol kyç në luftën kundër krimit dhe institucioneve ligjzbatuese dhe Policisë së shtetit apo agjencive të tjera ligjzbatuese, duke rishikuar kuadrin e përbashkët të akteve koordinuese dhe bashkëpunimin me njësitë e përbashkëta të luftës kundër trafiqeve, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Qeveria angazhohet gjithashtu për bashkëpunim të hapur, të gjerë dhe në mirëbesim të plotë me partnerët ndërkombëtarë, të vendeve të rajonit dhe BE-së për të rritur efikasitetin në hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Monitorimet ndërkombëtare , lidhur me përpjekjet që duhet të bëjë Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe rolin e agjencive ligjzbatuese në këtë fushë, përmendin midis të tjerave se, duhet të forcohet bashkëpunimi ndërmjet agjencive ligj zbatuese. Institucionet ligj zbatuese duhet të përshpejtojnë koordinimin dhe shkëmbimin e informacionit për të maksimizuar kapacitetet e tyre në hetimin e krimeve të rënda dhe krimit të organizuar. 
Rekomandimet e qeverisë Prokurorit të Përgjithshëm:
-Rritjen e bashkëpunimit për forcimin dhe konsolidimin e Njësive të Përbashkëta Hetimore, si struktura të specializuara për ushtrimin e ndjekjes penale, në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar, krimit ekonomik, pastrimit të parave dhe krimit kibernetik dhe veprave të tjera me pasoja të rënda dhe që cënojnë rendin dhe sigurinë në vend;
– Rritjen e bashkëpunimit për shkëmbimin e informacionit në kohë reale dhe të saktë me qëllim rritjen e efektivitetit të hetimeve, të cilësisë dhe shpejtësisë së hetimeve, të kryera nga seksionet e policive gjyqësore;
– Rritjen e bashkëpunimit në rekrutimin dhe trajnimin e personelit të seksioneve të policisë gjyqësore, me qëllim përcaktimin e procedurave të qarta konkuruese të personelit dhe rritjen e profesionalizmit specifik të tyre;
– Rritjen e bashkëpunimit lidhur me njoftimin e akteve dhe vendimeve përfundimtare, me qëllim edhe vazhdimin e procedurave të mëtejshme administrative për vjeljen e detyrimeve doganore, tatimore;
– Forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional, për përmirësimin e track rekordit për statistikat, me qëllim krijimin e një platforme të sigurt për shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve.
Sigal