Nasip Naço: Ndërmjetësim dhe arbitrazh, dy metoda për zgjidhje miqësore të mosmarrëveshjeve

423
Sigal

Nasip Naço takim me Belohlavek dhe Flogaitis: Ndërmjetësim dhe arbitrazh, dy metoda për zgjidhje miqësore të mosmarrëveshjeve

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka pritur dje në një takim, z. Aleksandër Belohlavek, President i Organizatës Botërore të Juristëve. Ndërmjetësimi dhe arbitrazhi, si dy metoda efikase që sigurojnë një zgjidhje miqësore të mosmarrëveshjeve, ishin në qendër të bisedës mes z. Naço dhe z. Belohlavek. Për këtë, Ministri Naço kërkoi ndihmën e Organizatës Botërore të Juristëve, e cila përmes eksperiencës së saj të gjatë, mund të asistojë Ministrinë e Drejtësisë dhe ekspertët e fushës, që ta shndërrojnë në një instrument më funksional dhe efektiv ligjin nr. 10385, “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”. Ministri Naço është shprehur optimist për mirë-zbatimin e këtij ligji, i cili përbën një risi në kulturën legjislative shqiptare, në rast se do të ishte i mundur shkëmbimi i eksperiencave dhe mundësia e trajnimeve nga ekspertë të kësaj organizate. Gjithashtu, z. Naço dhe z. Belohlavek kanë rënë parimisht dakord për një takim të mundshëm konsultativ rreth projektligjit për arbitrazhin, i cili pritet të propozohet së shpejti në parlamentin shqiptar. Gjithashtu, po dje, Ministri Naço ka zhvilluar një takim me z.Spyridonas Flogaitis, Drejtorin e Organizatës Europiane per Legjislacionin Publik (EPLO). Gjatë takimit është diskutuar në lidhje me hapësirat institucionale në fushën e së drejtës publike, zhvillimin e programeve të trajnimit, hartimin e studimeve dhe bashkëpunimin me institucione të tjera ndërkombëtare në fushën e të drejtës publike. Gjithashtu, gjatë bisedës, palët vlerësuan krijimin e një komuniteti shkencor, ku Shqipëria të sjellë kontributet e saj, dhe nëse kjo gjë do të mundësohej, atëherë do të realizohej ngritja e një instituti të rëndësishëm për të mbështetur nismat ligjore të vendit tonë.