Nasip Naço: Krijimi i Bursës së Energjisë, lajm i mirë, por qeveria është e vonuar

588
Fjala në Kuvend e Deputetittë LSI-së, Nasip Naço

Të nderuar kolegë deputetë 
Sigurisht që krijimi i bursës shqiptare të energjisë është një lajm i mirë dhe duhet përshëndetur. Duke qenë se është një lajm i mirë, presupozohet se do krijojë një akses më të gjerë për të gjithë konsumatorët e tregut. Dhe duke qenë se është lajm i mirë unë do ta votoj pro në parim. Por sigurisht që duke e krahasuar me vende të tjera të Rajonit ne jemi shumë mbrapa edhe me afatet që kemi caktuar vetë, ky Kuvend kur ka miratuar ligjin për energjinë. Por edhe me afatet që ka caktuar qeveria që në 1 Janar 2018 sigurisht që duhet të kishte filluar bursa dhe të funksiononte. Është një lajm i vonuar do të thosha pasi nuk u bë hapja e tregut të energjisë për klientët e lidhur me tensionin e mesëm të cilët duhet të kishin dalë tashmë në treg për të bërë blerjen e energjisë. Dhe besoj që janë shkelur të gjitha afatet e vendosura ng qeveria. Të nderuar kolegë deputetë, kemi qenë në këtë sallë në Nëntor të 2011 ku si ministri i ekonomisë, tregtisë dhe energjetikës kam sjellë ligjin për energjinë elektrike të ndryshuar, për të bërë disa ndryshime dhe amendime të cilat kishin të bënin me tregun, me konsumatorët. Dhe ky ligj parashikonte që të gjithë konsumatorët që konsumonin mbi 50 milion kilovat/orë të dilnin nga tregu të liçensoheshin nga ERE dhe sigurisht që filloj ajo era e liberalizimit të tregut. Dhe thashë jemi të vonuar sepse kanë kaluar mbi 7 vjet dhe ne kemi vetëm dëshirën e mirë për të krijuar bursën shqiptare. E them këtë pasi në 2011 ju të nderuar socialistë ishit skeptikë, nuk e votuat ligjin, keni abstenuar në atë kohë kur u kam bërë prezent që vetëm nga ndryshimi i ligjit, duke nxjerrë jashtë sistemit kompanitë e mëdha të cilat në treg operonin me kushtet e tregut dhe energjinë e blinin me çmim të përcaktuar nga ERE. Dhe nuk ishin pak por 50 milion euro. Dhe ju nuk denjuat që ta votoni. Dhe thashë që është lajm i mirë por jemi të vonuar sepse jeni 7 vjet që sillni sot dhe me afate që keni përcaktuar vetë. Dhe sigurisht që liberalizimi i tregut të energjisë është përcaktuar dhe në dispozitat kalimtare të nenit 109 të ligjit 43 të vitit 2015 për sektorin e energjisë elektrike. Ku klientët e lidhur në tension dhe 0.6 kilovolt janë të detyruar të dalin në tregun e liberalizuar jo më vonë se data 31 dhjetor 2017. Prandaj them që është lajm i mirë që e keni sjellë por lajm i vonuar sepse jeni me përcaktimet tuaja akoma jashtë qëllimeve të mira që do sillte ky ligj.

Të nderuar deputetë,
Krijimi i bursës shqiptare të energjisë dhe miratimi i këtij projektligji sigurisht që është lajm i mirë por duhet ti paraprinte një ligji tjetër bazë që rregullon mënyrën e krijimit dhe funksionimit e bursave në Republikën e Shqipërisë.Pra keni sjellë vetëm tre nene dhe tani do ta shisni se ju po krijoni bursën dhe nga nesër do përfitojnë të gjithë. Nuk besoj se neni 4 është hyrja në fuqi. Dhe besoj që nuk jeni në direktivat e përcaktuara në lidhje me sektorin e energjisë elektrike.Në shumë vende të BE, ka një ligj bazë për bursat që zhvillojnë dhe përcaktojnë veprimtarinë e tyre dhe besoj që ju nuk e keni bërë. Në këto ligje të përafruara dhe me BE, jepet që nuk e gjejmë këtu, kush është përcaktimi dhe përkufizimi i bursës. Organin shtetëror të mbikëqyrjes sipas direktivës së BE, të vitit 2015, organet e bursës, lejet dhe garancitë e bursës, mallrat ekonomikë dhe të drejtat e lejuara për tu tegtuar në bursë. 

Të nderuar kolegë deputetë,
Sigurisht që në projektligj me 3 nene nuk e gjejmë po as në relacion nuk e gjejmë që të kuptojmë se çfarë të mirash do sjellë ky ligj. Sepse në relacionin e bashkëlidhur unë besoj që ministri do ti përgjigjet dhe disa pyetjeve që dalin vetëvetiu, në atë që nuk dalin në relacion. Kur mendohet se do të vihet në operim bursa energjitike? Pse janë shkelur afatet e përcaktuara vetë nga qeveria dhe detyrimet ligjore? A do të ketë bashkim tregjesh me vendet e rajonit? Dhe ajo çka është më kryesorja, çfarë po bëhet me Kosovën ku kryeministri mori përsipër vetë se do ta zgjidhte personalisht. Flasim për treg rajoni dhe nuk e kemi zgjidhur linjën me interkoneksionin me Kosovën. Dhe sigurisht që pyetje të tjera, duke qenë se enti rregullator i energjisë përcakton çmimin sipas modelit të tregut sa do ndikojë në bursë ky çmim?

Në tregun e brendshëm sa do ndikojë te konsumatori fundor, te konsumatorët e tjerë? Pra në këtë projektligj me 3 nene e gjysmë nuk gjejmë zgjidhje dhe e kemi të pamundur që të kuptojmë përveç dëshirës së mirë dhe listimit që keni bërë për të krijuar një bursë. 

Të nderuar kolegë deputetë,
Direktivat e sekretariatit të komunitetit të energjisë, të shtatorit 2015, sugjeronin krijimin e një tregu të rregulluar të energjisë. Dhe sigurisht që në përcaktimin e këtyre direktivave kërkohej që nëse do ishte ky treg privat apo do ishte shtetëror, ti lihej vendit i cili do të operonte në në këtë drejtim. Por direktiva kërkonte rregullimin e plotë ligjor, të hyrjes në treg ku duhej të plotësoheshin dhe disa kushte të tjera ligjore që mungojnë në këto 3 nene e gjysmë që keni sjellë për të krijuar bursën shqiptare të energjisë. Pra rregullimi tregtar, zhvillimin e tregut, mbikëqyrjen e tregut, lidhjen e tregjeve rajonale me njëra-tjetrën. 

Të nderuar kolegë deputetë,
Të gjitha këto kritere duhet të ishin të parashikuar në ligj dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave, pr të marrim një nuse me duvak, atë që do sillni ju kur nuk plotësoni direktivën e përcaktuar më sipër. Nëse kjo direktivë do ishte transpozuar në ligjin përkatës jo vetëm në parim por do e votoja nen për nen këtë ligj sepse është një risi në sektorin energjetik shqiptar. 

Të nderuar kolegë deputetë,
Sigurisht që në këto 3 nene e gjysmë ka dhe një përcaktim të operatorit të tregut, që do jetë bursa energjetike shqiptare. Por nuk kemi të përcaktuar mekanizma të tjerë, me të cilat do pajisen këto operatorë të tregut. Ku i lihet dëshirës së qeverisë dhe ministrit duke theksuar dhe në ligj që operatori që do plotësojë këto kërkesa duhet të ketë reputacion të mirë. Pra hajde ti japim një fletë nderi, ta bëjmë qytetar nderi, por për reputacion të mirë ta fusim në treg në sektorin e energjisë në bursë unë besoj që këto janë çudira që vetëm ju mund ti bëni. Dhe sigurisht që në përfundim të fjalës sime do doja të theksoja dhe njëherë nëse përcaktimet ligjore do ishin bërë sipas direktivës jo me 3 nene e gjysmë por të ishin përcaktuar qartë, jo vetëm në parim por do e votoja nen për nen dhe do i kërkoja dhe grupit tim parlamentar që ta votonte këtë nismë. Duke qenë se ju keni sjellë vetëm një list dëshirash e kam të pamundur. Do votoj në parim vetëm për dëshirat tuaja, për dëshirat e gjithë shqiptarëve për të patur një bursë të energjisë. Për të patur një sektor që të rregullohet dhe përcaktohet nga tregu.
Sigal