Nasip Naço: “Furtuna që do tronditë drejtësinë shqiptare

526
Sigal

Ministri i Drejtësisë  përgjigjet  në Komisionin e Ligjeve  në lidhje me progres raportin e 2013-s

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, ku iu përgjigj interesit të ligjvënësve në lidhje me progres raportin e vitit 2013, ministri Naço paralajmëroi një reformë gjithëpërfshirëse në sistemin e Drejtësisë sidomos në KLD dhe Gjykatën e Lartë, duke theksuar se për këtë është kërkuar Asistenca e Komisionit të Venecias. Gjithashtu, mazhoranca në Komisionin Parlamentar të Integrimit miratoi ndryshimet ligjore për luftën kundër korrupsionit në Kodin e Procedurës Penale, duke i prpozuar Komisionit të Ligeve të përfshijë në draft dhe sugjerimet e partnerëve ndërkombëtar. Në lidhje me rekomandimin e raport progresit se: “Ka patur progres në lidhje me plotësimin e kuadrit ligjor për reformën gjyqësore. U ndoq zbatimi i strategjisë së reformës gjyqësore 2011-13 dhe plani përkatës i veprimit”, “Rishikimi i vazhdueshëm i Kodit të Procedurës Penale nuk ka përfunduar ende, veçanërisht në lidhje me miratimin e dispozitave që synojnë ndarjen e kompetencave dhe procedurave, si dhe uljen e ngarkesës së punës të Gjykatës së Lartë. Duhet ende të miratohet legjislacion i rëndësishëm mbi reformën e Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Roli i Ministrit të Drejtësisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë duhet të rishikohet”, parashtroj si vijon:

– Në lidhje me rishikimin e vazhdueshëm të Kodit të Procedurës Penale shprehemi se, Ministria e Drejtësisë ka në vijim ndryshimin e disa dispozitave të tjera të Kodit të Procedurës Penale, me qëllim harmonizimin e terminologjisë së përdorur në dispozitat e tij, në përputhje me ndryshimet e bëra kohët e fundit, racionalizimin e kompetencave të Gjykatës së Lartë dhe procedurat me qëllim zvogëlimin e ngarkesës së punës së saj.

-Kemi kërkuar asistencën e Komisionit të Venecias. Lidhur me reformimin dhe modernizimin e sistemit të drejtësisë, i është kërkuar asistence e drejtpërdrejtë Komisionit të Venecias.

Reformë në Gjykatën e Lartë

•      Gjykata e Lartë po përballet me një numër çështjesh të mbartura të papërballueshme. Arsyeja kryesore është që në praktikë palët ankimojnë çdo çështje para Gjykatës së Lartë, sepse kjo gjë lejohet në rregullat procedurale ekzistuese.

•      Mangësitë në organizimin e brendshëm të gjykatës janë gjithashtu përgjegjëse për shkak të vendeve të lira të gjyqtarëve, përbërjes së trupit gjykues për pranimin e çështjeve, mungesës së ndihmësve ligjorë etj.

•      Nga ana tjetër, ligji duhet të mbështesë shndërrimin e Gjykatës së Lartë në Gjykatë Karriere nëpërmjet përcaktimit të kritereve transparente për emërimin e gjyqtarëve me përvojë, duke i dhënë përparësi përvojës në gjyqësor dhe nëpërmjet konkretizimit të kërkesave të parashikuara në Kushtetutë.

2-    Reformë  në Gjykatën Kushtetuese

•      Emërimi i gjyqtarëve

•      Kualifikimi i gjyqtarëve

•      Procedura e përzgjedhjes

•      Imuniteti i gjyqtarëve

•      Organizimi i gjykatës kushtetuese

•      Statusi i këshilltarëve ligjorë

•      Publikimi i vendimeve

•      Pamundësia e votës së barabartë

•      Ankimime individuale

•      Afati i paraqitjes së një ankimimi

•      Procedura e pranimit

•      Përmbajtja e vendimit të gjykatës

3-    Reformë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë

 

•      Përbërja dhe statusi i anëtarëve të KLD-së

•      Roli i anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë

•      Roli i Ministrit të Drejtësisë

•      Roli i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë

•      Organizimi i KLD-së.

•      Roli i zëvendëskryetarit të KLD-së

4. Reformë për organin e prokurorisë

Rritja e llogaridhënies organit të prokurorisë, emërimet, transferimet dhe largimet e drejtuesve sipas kritereve të parashikuara në ligj; rritja e rolit të këshillit të prokurorisë.

–  Në lidhje me rekomandimin se “Një regjistër elektronik për noterët është krijuar për regjistrimin e akteve në sistemin kombëtar të centralizuar. Dixhitalizimi i informacionit të siguruar nga Zyra për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme nuk ka përfunduar ende”. Nga Ministria e Drejtësisë do të ndërmerret çdo masë e nevojshme për rritjen e transparencës në sistemin e drejtësisë përmes garantimit të zhvillimit të seancave publike, dixhitalizimit të arkivave gjyqësore dhe të atyre të institucioneve të drejtësisë, zbatimit rigoroz nga gjykatat të ligjit për të drejtën e informimit dhe të tjerë.

– Në lidhje me rekomandimin se “Regjistrimi audio që po përdoret në 19 gjykata rrethi dhe apeli, duhet të zgjerohet më tej”, sqarojmë se:

Instalimi i sistemit të regjistrimit audio të seancave gjyqësore ka ecur me ritme të kënaqshme. Deri tani është instaluar në 21 gjykata dhe 101 salla gjyqi. Gjithashtu janë trajnuar 226 gjyqtarë dhe 362 nëpunës të administratës së gjykatave. Shtrirja e regjistrimit me mjete audio në çdo gjykatë rrethi dhe apeli do të ketë padyshim një impakt pozitiv, i cili do të konsistojë në:

    Monitorimin e zhvillimit të seancave gjyqësore për verifikimin e pjesëmarrjes së gjyqtarëve në gjykim, si dhe solemnitetin, sipas dispozitave ligjore të parashikuara në K.Pr.Penale, në K.Pr.Civile.

    Konsolidimin e praktikës së zhvillimit të seancave gjyqësore vetëm në salla gjykimi, nga zhvillimi i tyre në zyrat e gjyqtarëve, duke rritur ndjeshëm respektimin e solemnitetit gjatë zhvillimit të seancave, transparencën në gjykim.

– Në lidhje me pikën e raport progresit “mungesa e përgjegjshmërisë së Prokurorisë së Përgjithshme është një çështje shqetësuese. Procedurat për emërimin dhe shkarkimin e personelit kyç në këtë Zyrë duhet të jetë transparent dhe i paanshëm dhe roli i Këshillit të Prokurorëve duhet të forcohet”, shprehemi se:

Problematika e parashtruar nga progres raporti do të përkthehet në ndërmarrjen e nismës legjislative nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për rishikimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë edhe duke e kthyer Këshillin e Prokurorisë nga një organ konsultativ në një organ vendimmarrës i ngjashëm me Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Reforma në KLD

Në lidhje me rekomandimin e Raport Progresit se “memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së mbi inspektimet është zbatuar pa probleme. Megjithatë, për sa kohë që ligji mbi KLD-në nuk ka ndryshuar, mbetet ende rreziku i mbivendosjes”, parashtroj si më poshtë vijon: Ministria e Drejtësisë po vlerëson ndërhyrjen në një sërë nismash ligjore në kompetencë të saj, për të përforcuar pavarësinë, paanshmërinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.  Në këtë prizëm po punohet paralelisht me dy nisma, me projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar, si dhe për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”, të ndryshuar.  Këto dy nisma po punohen paralelisht me qëllim përcaktimin qartë të funksioneve inspektuese të dy inspektorateve të gjyqësorit pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.  Njëkohësit do të ndërmerren edhe nismat përkatëse për reflektimin e ndryshime të rregulloreve të brendshme të këtyre institucioneve, pas miratimeve të ndryshimeve të ligjeve të lartpërmendura.

Procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve

Në lidhje me rekomandimin e Raport Progresit se “Procedimet disiplinore kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve janë zbatuar vetëm në disa raste. Kompetenca për fillimin dhe mbylljen e një procedure disiplinore është ende kompetencë ekskluzive e Ministrisë së Drejtësisë që  është në kundërshtim me standardet e BE-së”, sqarojmë se Ministria e Drejtësisë ka nisur procedurën e fillimit të procedimit disiplinor, duke i propozuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë shkarkimin nga detyra për 7 gjyqtarë. Ndërkohë që strukturat e Ministrisë së Drejtësisë janë duke vlerësuar mundësinë e fillimit të procedimit disiplinor dhe për gjyqtarë të tjerë. Për sa i përket kompetencës ekskluzive të Ministrisë së Drejtësisë për fillimin dhe mbylljen e procedurës disiplinore, ne jemi të hapur për ndryshime të mundshme në këtë drejtim.

– Në lidhje me ndryshimet në Ligjin për KLD dhe MD, po vlerësohet ndërhyrja e një sërë nismash ligjore në kompetencë të saj, për të përforcuar pavarësinë, paanshmërinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.  Në këtë prizëm po punohet paralelishtme dy nisma, me projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar, si dhe për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”, të ndryshuar.

Reforma në gjyqësor

Lidhur me procesin e vlerësimit të gjyqtarëve, nëse sistemi i ri i vlerësimit të gjyqtarëve përsëri nuk do të jetë efiçent, atëherë Ministria e Drejtësisë do të kërkojë ndryshime ligjore që mundësojnë procedura më të shpejta të vlerësimit të gjyqtarëve nëpërmjet një sistemi rivlerësimi nga vetë gjyqtarët.  Në lidhje me pikën e raport progresit “Ligji i ri për administratën gjyqësore prezanton një kuadër ligjor të shumëpritur që rregullon punën e gjykatave dhe personelit gjyqësor. Ligji nuk garanton pavarësinë e kancelarëve të gjykatave, veçanërisht për arsye se nuk u siguron statusin e nëpunësit civil”, vlerësojmë se do të shihet mundësia për ndryshime të mundshme ligjore . Në lidhje me problematikën e ngarkesës të çështjeve në shqyrtim nga Gjykata e Lartë, mendojmë se, në përgjithësi, reforma e Kodit Civil dhe Kodit të Procedurës Civile duhet të ndihmojë për uljen e ngarkesës së çështjeve të mbartura dhe të përshpejtojë procedimet gjyqësore, duke përmirësuar në këtë mënyrë efiçencën.

Sanksione ndaj avokatëve, që zvarritin gjyqet

Në lidhje me pikën e progres raportit se: “Zbatimi i Ligjit të vitit 2012 për Avokaturën” jemi të mendimit për përmirësime të mëtejshme ligjore, për sanksione të mundshme, duke shtuar kompetencat e gjyqtarit dhe duke i dhënë të drejtën e aplikimit të sanksioneve në rastet e lartpërmendura.

Zgjidhja e ngërçit të kompensimit dhe kthimit të pronave

Me urdhër të Ministrit të Drejtësisë është ngritur një grup negociator i punës për zgjidhjen me marrëveshje miqësore të 17 rasteve të komunikuara nga Gjykata Europiane  e të Drejtave të Njeriut me objekt të drejtën e pronës. Ne shprehim angazhimin maksimal dhe vendosmërinë për zgjidhjen e problemit të çështjeve të trajtuara nga Gjykata e Strasburgut.

Mosekzekutimi i vendimeve të gjykatave

Në lidhje me pikën e progres raportit se “Mosekzekutimi i vendimeve të gjykatave, veçanërisht ato që përfshijnë institucione shtetërore, mbetet problem serioz”, se, do të ndërmerren masat e nevojshme për përmirësimin e ekzekutimit të titujve ekzekutivë nga të dyja shërbimet përmbarimore shtetërore dhe private. Te shërbimi përmbarimor shtetëror do të përmirësohen kapacitetet e inspektorëve që kontrollojnë veprimtarinë përmbarimore dhe të agjentëve përmbarues shtetërore,nëpërmjet vendosjes së kritereve  të nevojshme për rekrutimin e tyre. Kthimin funksional të sistemit të menaxhimit të çështjeve  përmbarimore (sistemit ALBIS), i cili do të gjenerojë automatikisht të dhënat statistikore mbi ekzekutimin e titujve ekzekutiv, duke evidentuar  shkaktarët e zvarritjeve të procedurave të ekzekutimit.

Ulja e tarifave gjyqësore

Në lidhje me pikën e progres raportit “Për sa i përket aksesit në drejtësi, Ligji për Ndihmën Ligjore, Ministri i Drejtësisë ka përgatitur dhe ka dërguar për bashkëfirmosje një udhëzim të përbashkët me Ministrin e Financave, me qëllim uljen e tarifave gjyqësore në nivel të konsiderueshëm që do të ndikojë dukshëm në rritjen e aksesit në drejtësi nga qytetarët. Në parashikim të ndryshimeve  të fundit për Ligjin për Ndihmën Ligjore Falas janë përgatitur dhe disa akte nënligjore në zbatim të këtij ligji, të cilat janë dërguar për konsultim përfaqësuesit të Misionit Euralius.

Strategjia antikorrupsion

Në lidhje me pikën e progres raportit “për zbatimin e strategjisë antikorrupsion” shprehemi se Ministria e Drejtësisë është në procesin e përgatitjes së Strategjisë antikorrupsion në fushën e Drejtësisë në kuadër edhe të Strategjisë Kombëtare Antikorrupsion. Nëpërmjet Strategjisë Antikorrupsion në fushën e drejtësisë do të intensifikohet ndjeshëm lufta kundër korrupsionit në fushën e drejtësisë.

Amendamentet kushtetuese për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë

Në lidhje me pikën e progres raportit “Pas amendimeve kushtetuese për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve publikë të nivelit të lartë dhe gjyqtarëve, Kodi i Procedurës Penale nevojitet të amendohet për të sqaruar procedurat përkatëse hetimore” shprehemi se Ministria e Drejtësisë përgatiti paketën ligjore, pjesë e të cilit ishin dhe ndryshimet në nenet 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale, në lidhje me imunitetet, ku përcaktohen në mënyrë shteruese subjektet për ndjekjen penale të të cilëve duhet të kërkohet autorizim në organet përkatëse. Këto ndryshime janë miratuar në Këshillin e Ministrave dhe priten të votohen në Parlament.

Përmbushja e rekomandimeve të evidentuara nga Progres Raporti 2013 nga Ministria e Drejtësisë

Përmbushja e rekomandimeve të evidentuara nga Progres Raporti 2013, ishin pjesë e raportimit të Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço gjatë seancës së kësaj të hëne në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Në lidhje me rekomandimin e raport progresit se: “Rishikimi i vazhdueshëm i Kodit të Procedurës Penale nuk ka përfunduar ende, veçanërisht në lidhje me miratimin e dispozitave që synojnë ndarjen e kompetencave dhe procedurave, si dhe uljen e ngarkesës së punës të Gjykatës së Lartë”, ministri Naço parashtroi se, Ministria e Drejtësisë ka në vijim ndryshimin e disa dispozitave të tjera të Kodit të Procedurës Penale, me qëllim harmonizimin e terminologjisë së përdorur në dispozitat e tij, në përputhje me ndryshimet e bëra kohët e fundit, racionalizimin e kompetencave të Gjykatës së Lartë dhe procedurave me qëllim zvogëlimin e ngarkesës së punës së saj.  Ministri Naço theksoi se është kërkuar asistenca e drejtpërdrejtë e Komisionit të Venecias lidhur me reformimin e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese si edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ndërkohë, duke iu referuar evidentimit të Progres Raportit se Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbi inspektimet është zbatuar pa probleme, por përsa kohë që ligji mbi “Këshillin e Lartë të Drejtësisë” nuk ka ndryshuar, mbetet ende rreziku i mbivendosjes”, ministri Naço u shpreh se, institucioni që ai drejton po vlerëson ndërhyrjen në një sërë nismash ligjore në kompetencë të tij për të përforcuar pavarësinë, paanshmërinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.  Ministri Naço është ndalur edhe në problematikën e procesit të vlerësimit të gjyqtarëve duke garantuar se, nëse sistemi i ri i vlerësimit të gjyqtarëve përsëri nuk do të jetë efiçent atëherë Ministria e Drejtësisë do të kërkojë ndryshime ligjore që mundësojnë procedura më të shpejta dhe objektive vlerësimi. Gjithashtu, z.Naço bëri me dije se është nënshkruar një udhëzim i përbashkët me Ministrinë e Financave që ka për synim uljen e tarifave gjyqësore për personat në nevojë, në mënyrë që të t’u garantohet aksesi në drejtësi. Sipas z. Naço, tarifat janë rikthyer në nivelin e vitit 2009, mesatarisht me një ulje prej 37.5% deri në 50%.