Nasip Naço: Ata që janë korruptuar, tremben që Gjykata e Krimeve të Rënda do të hetojë korrupsionin

512
Sigal

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço prezantoi në Komisionin Parlamentar të Ligjeve propozimin e qeverisë për disa ndryshime në ligjin “Antimafia”. Ministri shpjegoi konkretisht disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin për korrupsionin. Në këtë seancë dëgjimore, ministri Naço, iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Komisionit të Ligjeve.

Spartak Braho: Ne nuk kemi arsye që pse të mos u japim atyre (OSBE-së dhe Ambasadës Amerikane) mundësinë që të kenë edhe ata një relacion. Ata kundër luftës të korrupsionit janë, le t’i thonë, ato që duan, me shkrim. Ata le të paraqiten me relacion përkatës.

O.Bylykbashi: A e keni dërguar draftin e 2 projektligjeve, “Për ndryshimin e Procedurës  Penale, qoftë edhe për p/ligjin e antimafias, edhe këtyre institucioneve, OSBE-së dhe Ambasadës Amerikane?  Jeni ju në dijeni që ekziston një  përpjekje 2- vjeçare për një ndryshim tërësor, një paketë me 160 nene, për ndryshimin tërësor të Procedurës së Kodit Penal?      

Naço: Sigurisht, kemi parashikuar të bëjmë disa ndryshime që janë afatshkurtra, të bëjmë ndryshime në ligj, që janë afatmesëm, dhe, sigurisht, edhe afatgjatë. Kemi 20 vjet që zvarritemi dhe nuk kemi mundur që ta luftojmë korrupsionin. Ndaj, ne kemi menduar, që në mënyrë të menjëhershme, të bëjmë disa ndryshime. Ne kemi menduar që të ndryshojmë vetëm 3 nene. Ajo që kemi treguar ne, është se kemi një vullnet politik, ndryshe nga maxhoranca e djeshme që i kishte munguar ky vullnet politik. Statistikat e 5 vjetëve të fundit, tregojnë qartë se çfarë (nuk) ka bërë maxhoranca e djeshme. Mund të ketë patur suksese në fusha të tjera, po në këtë fushë, ka dështuar. Ne, në ndryshimet që kërkojmë, luftën kundër korrupsionit e kemi parë në një këndvështrim tjetër, për ta luftuar realisht dhe kemi propozuar 3 nene. Në ministri nuk ka një draft të vendosur mbi tavolinën time, ka disa mendime të shpërndara, nga disa grupe pune. Ne kemi parashikuar që ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, të përfundojnë, mundësisht, në muajin prill, ose maj, që është afati i fundit, që kemi kërkuar. Kemi ndryshuar vetëm 2 nene, për kompetencat vendore dhe është gjithë ky debat që bëhet. Nëse doni ta luftojmë korrupsionin, urdhëroni dhe hajdeni, ta luftojmë të gjithë bashkë. Por, mos na vini shkopinj nën rrota. Sigurisht, ne i kemi vullnetin për ta luftuar korrupsionin. Se këtu kemi statistikat. Atë që ne e kemi bërë në dy muaj, ju nuk e keni bërë në tërë vitin e fundit.

Bylykbashi: Problemi themelor i yni, është iniciativa që ka marrë qeveria, jo puna e ministrisë së Drejtësisë. Ju si ministri dhe si qeveri keni kuptuar se cili është percepsioni i korrupsionit? Keni bërë një studim për efikasitetin e organeve të përbashkëta hetimore? A keni studiuar ju që Gjykata e Krimeve të rënda dhe Prokuroria e Përgjithshme do të përballojnë fluksin e madh të hetimit dhe gjykimit të këtyre çështjeve të korrupsionit, pa dëmtuar luftën kundër krimit të organizuar? Po a keni bërë ndonjë studim, nëse do të kemi rritje të kostos, në lidhje me zbatimin e këtyre dispozitave?

Naço: Do paraqes prapë grafikun e të dhënave statistikore, që janë të dhëna zyrtare, që i ka dhënë Prokurori i Përgjithshëm. Çështje për korrupsionin, në 2008 janë 85, në 2009 janë 86, në 2010 janë 112, në 2011 janë 64, në 2012 janë 82. Mjafton të shikosh këtë dhe e ke bërë gjithë studimin. Të dënuar për vepra penale për korrupsion: në 2008 janë 40, në 2009 janë 36, në 2010 janë 49 në 2011 janë 72 dhe në 2012 janë 39. Kjo është puna juaj, dhe e imja, kur kam qenë me ju në maxhorancë, (PD-LSI 2009-2013) dhe nuk e besoj se do merrni çmimin “Nobel” se keni luftuar korrupsionin.

Bylykbashi: A e keni marrë parasysh, që duke i bashkuar këto dy çështje, luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsioni, do të ulë efikasitetin e Gjykatës të Krimeve të Rënda?

Naço: Besoj se këto janë të dyja bashkë dhe ne nuk i ndajmë dhe nuk kemi për t’i ndarë ndonjëherë. Unë kam kërkuar nga ndërkombëtarët, trajnimin e mëtejshëm të këtyre gjyqtarëve e prokurorëve. Por e para, që ka rëndësi në luftën kundër korrupsionit, është vullneti politik. Dhe kësaj maxhorance nuk i mungon vullneti politik. Prandaj, kjo paketë ndryshimesh që ne paraqesim, është e kundërshtueshme, sepse është radikale. Është radikale, sepse duam që të kapim kohën e humbur, duam të kapim këto 20 vjet që jemi zvarritur. Prandaj, kërkoj nga të gjithë përkushtim, për ta luftuar në zemër korrupsionin, për t’i konfiskuar pasurinë. Kjo e dekurajon korrupsionin. Lufta do fillojë me ndërgjegjësim, do fillojë me parandalim do vazhdojë me dekurajim dhe në fund do përfundojë me konfiskimin e pasurisë. Ky ka qenë vullneti ynë, që kemi sjellë këtë paketë. Paketa është radikale, sigurisht, ka nevojë edhe për diskutime të tjera, për ta përmirësuar.

Muçmata: A do të dëmtohet bashkëpunimi prokurori me policinë gjyqësore në qarqe, meqë hetimi do të shpërngulet në një qendër të vetme në Tiranë?

Naço: E kemi patur parasysh dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda të ketë kompetencë vendore që të hetojë rastet e korrupsionit. Prokurorët e rretheve, e kanë të vështirë të bëjnë punën, për shkak se janë në kontakte të ngushta me të gjithë, dhe e kanë të pamundur,  për shkak të perceptimit edhe të qytetarëve,  që të denoncojnë atë korrupsion, ndaj kemi kërkuar, një arsye më shumë, që hetimet të jenë të përqendruar në Tiranë, të jetë një Taks- Forcë. Rastet e ndodhura së fundi, mendoj, se mua më japin të drejtë. Kemi rastin e një korrupsioni në një rreth, dhe ka vajtur Taks-Forca për këtë qëllim. Kemi një rast tjetër, në Jug, kur prokurorie, edhe pse është e trajnuar, ka bërë kërkesë që t;i hiqet çështja e të përcillet në një rreth tjetër, sepse nuk e heton dot një zyrtar lokal. Këto tregojnë qartë që lufta kundër korrupsionit ka nevojë për një strukturë tjetër. Ndaj ne kemi bindjen, që Gjykata e Krimeve të Rënda mund ta bëjë më së miri këtë luftë. Ne, deri tani, këto të vërteta, i themi me zë të ulet, por nuk mundemi t’i themi me zë të lartë. Ky fakt, që Gjykata e Krimeve të Rënda do të merret edhe me korrupsionin, ka trembur disa e nuk flenë rehat.  Dhe nuk kanë për të fjetur ndonjëherë rehat, përderisa shteti është në këmbë. Drejtësia vonon, por nuk harron.

Islami: A ka ndonjë vend tjetër, që ka aplikuar këto lloj zgjidhje dhe sa të suksesshëm ka qenë,  pikërisht, kjo zgjidhje dhe çfarë problematikë ka patur, në mbrojtjen e të drejtave të Njeriut?

Naço: Në vendet e Rajonit, nuk ka një praktikë të tillë, se nuk është fenomeni i korrupsionit në këtë nivel, që është në vendin tonë. Por, praktika të ngjashme, ka. SHBA-ja e luftojnë terrorizmin duke vënë sekuestron e konfiskimin e pasurisë. Në 2009, disa nga këto nene, që ne diskutojmë sot, janë diskutuar edhe në Komisionin e Ligjeve, janë miratuar, por çuditërisht, në Kuvend, për shkak të mungesës së vullnetit, këto nene, që luftojnë korrupsionin, nuk janë miratuar nga ajo maxhorancë, që iku.

Strazimiri: Ju qëndroni ta mbroni, pas kritikave të OSBE-së dhe amerikanëve, që ky draft, është gjëja e duhur, që ne të luftojmë korrupsionin?

Naço: Do të ishte më mirë, që pyetjen ta bënte nga  vetja e  vet, se është deputet me përvojë. Ne kemi marrë mendime edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilët thonë që të jenë këto nene. Qëllimi ynë është i mirë. Mund të ketë probleme në praktikë, sigurisht, ne jemi  në komisione, ndaj do të dijë që të bëjë përmirësime. Ne jemi të hapur, sepse ne kemi diskutuar disa variante, por kemi sjellë këtë që ju e keni. Filozofia është e mirë, mjetet mbase janë të ndryshme. Maxhoranca e kaluar duhet të pranojë, që, në luftën kundër korrupsionit, nuk ka patur sukses.

Ne kemi parashikuar që ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, të përfundojnë, mundësisht, në muajin prill, ose maj, që është afati i fundit, që kemi kërkuar. Kemi ndryshuar vetëm 2 nene, për kompetencat vendore dhe është gjithë ky debat që bëhet. Nëse doni ta luftojmë korrupsionin, urdhëroni dhe hajdeni, ta luftojmë të gjithë bashkë. Por, mos na vini shkopinj nën rrota. Sigurisht, ne i kemi vullnetin për ta luftuar korrupsionin. Se këtu kemi statistikat. Atë që ne e kemi bërë në dy muaj, ju nuk e keni bërë në tërë vitin e fundit.