Nard Ndoka:Platforma për aleatët, demagogjike. Rama e ka paraqitur disa herë poshtë tavolinës

548
Sigal

Kryetari i PDK-së  Nard Ndoka, ish- aleati i PS-së, në intervistën për “Telegraf” pohon se, projekt-platforma e PS-së paraqitur aleatëve për bashkëpunim është një demagogji  dhe se kjo platformë është servisur poshtë tavolinës nga Rama çdo kohë, sepse, sipas Ndokës, Rama është kundër aleatëve që kur përzgjodhi këtë Sistem Zgjedhor.

– Zoti Ndoka, në konferencën “Just BE”,  ishte rastësi që munguan përfaqësuesit më të lartë të  qeverisë?

– Ishte një konferencë e organizuar për shoqërinë civile dhe mediat, kontaktet e qeverisë me BE-në dhe zyrtarët e saj janë të gjithanshme dhe konstante.

– Derisa zoti Fyle nuk kishte në axhendën e vet politike, asnjë kontakt, takim me liderët politikë këtu në Tiranë, ky a nuk është një mesazh ( jo ogurmirë) që i adresohet për reflektim politikës shqiptare?

– Politika shqiptare i ka marrë mesazhet diplomatike e politike, ky ishte një mesazh për qytetarët dhe votuesit shqiptarë. Në këtë proces politik, ka fajtorë, ka përgjegjës, ka bashkëfajtorë, por ka politikanë dhe forca politike, që janë totalisht pro procesit euro-atlantik, siç është edhe Partia Demokristiane. Maxhoranca aktuale i ka bërë detyrat e veta, pavarësisht me vonesa të pajustifikuara në ndonjë rast, por opozita është treguar bllokuese dhe e papërgjegjshme për integrimin e Shqipërisë.

– Debatit elektoral të deritanishëm, edhe pse konfliktualiteti është në kufijtë e kuq, i mungon çështja e integrimit. Ju si e shpjegoni?

Integrimi është bllokuar dhe arsyet dihen botërisht: tre projektligje të bllokuara nga opozita në Kuvend. Për integrimin janë të interesuar të gjitha partitë politike dhe qytetarët shqiptarë, përveç PS-së për momentin.

– Integrimi i Shqipërisë në BE është çështje e shqiptarëve, apo e politikës?

– Integrimi është çështje e Shqipërisë dhe detyrë e politikës për ta realizuar në kohë sa më të shpejtë.

– Mendoni se çfarëdo rezultati zgjedhor i 23 Qershorit, çështje e integrimit do të jetë më e mundshme për t’u zgjidhur? Dhe përse (cilido qoftë opsioni që ju parashtroni).

– Besoj se pas zgjedhjeve të 23 Qershorit çështja e integrimit do të zgjidhet. Së pari, sepse opozita e ka bllokuar qëllimisht për të mos i dhënë kredenciale qeverisë dhe pas zgjedhjeve nuk do të ketë arsye politike dhe as  morale për të vazhduar më tej. Pasi një bllokim pa fund nuk është kosto për qeverinë, por Shqipërinë. Së dyti, maxhoranca ka kërkuar edhe mbajtjen e referendumit, çfarë krijon një situatë mbytëse për PS-në, duke e detyruar të dorëzohet pa kushte.

– Përse duhet të besojmë, kësaj here,  se do të ekzistojë vullneti politik i palëve politike që të zhvillohen zgjedhje me standarde?

– Së pari, se duhet të zbatohet ligji dhe Kushtetuta për zgjedhjet. Së dyti, sepse një mungesë vullneti, apo tentativë për manipulime do të krijonte një kaos politik në vend. Së treti, duhet të besojmë tek pjekuria e klasës politike dhe kryesisht e PD-PS-së në raport me zgjedhjet e 2009-s.

– Nëse këto zgjedhje kontestohen, cila do të jetë fatura e kostos  politike? Do të ketë fitues?

– Varet si do të jetë kontestimi, kontestim thjesht nga humbja, apo manipulimi, si dhe çfarë do të thotë arbitri ndërkombëtar për zgjedhjet. Dihet që vëmendja e të gjithë institucioneve ndërkombëtare është e fokusuar tek realizimi i zgjedhjeve të Qershorit dhe standardet e tyre. Kam besim, se zgjedhjet do t’i përmbushin standardet dhe se do të ketë fitues dukshëm dhe me diferenca, ndryshe nga barazimi i 2009-s.

– Kjo projekt-platformë është diçka që u skicua pas divorcit tuaj me Ramën, apo ishte si ide dhe u ishte parashtruar me kohë edhe juve?

– Është një platformë që ka ekzistuar me kohë, nuk është diçka e re. PDK-ja e kuptoi me kohë, mungesën e dëshirës dhe respektit për aleatët nga ana e PS-së. Ajo platformë nuk thotë asgjë, përkundrazi, fyen partitë, çorodit elektoratin, fut në panik administratën dhe jep një mesazh negativ për procesin.

– A mundet të funksionojë normalisht një aleancë e gjerë politike, duke patur si themel kontratën bilaterale, me këto kushte të platformës?

– Platforma e PS-së nuk thotë asgjë, përveçse ngatërron çdo gjë. Marrëveshjet politike duhen të jenë transparente dhe të qarta për të gjithë. Lidershipi i PS-së, është në princip kundër aleancave dhe aleatëve, madje zgjodhi sistemin për t’i asgjësuar partitë aleate dhe goditur pluripartizmin. Nuk ja dolën në 2009-n, por nuk kanë ndryshuar mendim dhe do të tentojnë në forma të tjera edhe për 2013-n.

– Përse pakti që Berisha u afron aleatëve të vet ka përparësi nga projekt-platforma e Edi Ramës?

– Se Berisha është shumë më i qartë për rëndësinë e koalicionit, sepse Berisha është shumë më i hapur për aleatët e tij, se Berisha është më i drejtpërdrejtë dhe më i sigurt për aleatët, madje edhe për partitë e tjera jo aleate.

– Është dukuri, apo një arsyetim largimi edhe i Preç Zogajt nga koalicioni i Edi Ramës?

– Të gjithë e kanë kuptuar tashmë mendësinë që ekziston tek Rama, më vjen keq për mikun tim Zogaj, që e kuptoi me shumë vonesë.

– A nuk është një varfëri e përfaqësimit të së majtës në Kuvend, mosqënia e personaliteteve të së majtës qoftë edhe në listat e PS-së?

– Jo vetëm një varfëri politike, por një goditje për alternativat politike dhe pluralizmin. Kjo tentativë, jo vetëm zbeh rolin e individëve dhe ngushton bazën përfaqësuese, por humb shpresën tek opozita dhe misioni i saj.

– Cili është mendimi juaj për projekt-platformën e PS-së parashtruar aleatëve të saj?

– Një platformë demagogjike, që PS-ja e ka paraqitur disa herë poshtë tavolinës. Një taktike për t’i mbajtur të lidhur dhe pezull  aleatët deri në fund të afateve ligjore, për regjistrim në KQZ. Treni i PS-së do ndalet në rrugë, vagonët e tij janë të çoroditur. Lokomotiva po bën shumë zhurmë për t’i tërhequr zvarrë vagonët, por siç duken gjasat, lokomotiva e PS-së do nxjerrë sërish “tym të zi” më 23 Qershor.

– Faleminderit!