Nard Ndoka: “PD-ja ka nevojë për një riformatim të vetvetes”

423
Sigal

INTERVISTA/ “PS-ja është e paqartë në ndërtimin e koalicionit opozitar, për të krijuar një frymë besimi tek aleatët”

Sa më shumë afron qershori i 2013-s, do të dendësohen përpjekjet, lëvizjet dhe do të dalin në pah taktikat e partive politike për të kristalizuar aleancat që do të krijojnë një shumatore qeverisëse. Kryeministri Berisha, si një nga lojtarët më të cilësuar në politikëbërjen e aleancave, përdor edhe epërsitë që i jep qeverisja. Premton dhe jep pajë politike, poste, qeveritare aleatëve politikë. Emërimi i Nard  Ndokës në postin e zv/ministrit është bërë vetëm në këtë kontekst, sepse, mund të ndodhte që të bashkohen në një aleancë, pa qenë e domosdoshme që të jepen postet e zv/ministrit si shpërblim politik. Në të kundërt, do të kishte të drejtë zv/ministri Lesi, kur tha me rastin e emërimit të 2 zv/ministrave të PDIU-së: “U bëmë 45 zv/ministra, e nuk e dimë se ç’punë të bëjmë!”

– Zoti Ndoka, PDK-ja, tashmë aleate me PD-në, gjendet në hapësirën e duhur politike, apo janë arsyet  e divergjencave që ju keni me Ramën?

–  PDK-ja është anëtare e Unionit Kristian-Demokrat Europian, që drejtohet nga z.Kazini. PDK-ja ka qenë në opozitë dhe për këtë arsye ka qenë pjesë e koalicionit “Opozita e Bashkuar”. PS-ja dhe lidershipi i saj mbajtën një qëndrim politik, kundër interesave të partive aleate, përsa i përket përmirësimeve në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë, ne kishim një marrëveshje me ta, pikërisht për ta kthyer Kodin në parametrat kushtetues e të pranuar nga të gjithë. Së dyti, PS-ja është totalisht e paqartë në ndërtimin dhe zgjerimin e koalicionit opozitar, për të krijuar një frymë besimi tek aleatët, tek qytetarët dhe tek faktori ndërkombëtar. Në këto kushte, PDK-ja ka qenë një forcë politike, që qëndrimet, idetë, vërejtjet e pakënaqësitë e veta i ka bërë publike, edhe në lidhje marrëdhëniet politike me PS-në, ndaj pas gjithë këtyre ngjarjeve ne kemi vendosur shkëputjen nga kjo aleancë. Unë kam deklaruar publikisht, se nëse PS-ja nuk vendos veton për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, PDK-ja nuk do të jetë pjesë e koalicionit me PS-në. Ne nuk mund të pranonim që votat e djathta demokristiane, të përfaqësohen nga deputetë të majtë të PS-së në Kuvend, ne kërkuam që përmirësimet e Kodit të krijonin mundësinë e përfaqësimit të votave të alternativës Kristiane, nëpërmjet deputetëve të saj. Kur kjo nuk ndodhi, atëherë kërkuam mundësi të tjera bashkëpunimi përtej PS-së, dhe një ndër më të optimalet, ishte rikthimi i bashkëpunimit tradicional me PD-në.

– Edhe Zef Bushati, kryetari i Partisë së Aleancës Demokristiane, ju akuzoi se e bëni aleancën me Berishën,  për të përfituar poste qeveritare. Pyetja është: Demokristianët në Shqipëri janë të përçarë?

– Bushati me sa kam dijeni është nëpunës tek ministria, ku z.Lesi është zv.ministër. Çdo parti politike përpiqet që nëpërmjet përfaqësimit politik, të paraqesë ato vlera politike që mbart. PDK-ja, ka sot këshilltarë në të gjitha komunat, bashkitë dhe qarqet e vendit me rreth 50.000 vota të demokristianëve shqiptarë që i përfaqëson në këto këshilla. Procesi i bashkimit të të gjithë faktorit demokristian mbetet një proces i hapur dhe i mirëpritur nga PDK-ja. E gjykoj pozitiv faktin e bashkimit të faktorit demokristian në një logo, PDK, kjo varet nga vullneti i gjithsecilit.

– Cilat gjëra ju ndajnë akoma me partinë e zotit Lesi? Dhe sa e mundshme është bashkimi juaj, tashmë që jeni edhe në një koalicion politik?

– Tashmë jemi në një koalicion politik me z.Lesi, pasi zyrtarisht edhe PDK-ja është pjesë e qeverisë, ku z.Lesi bën pjesë. Kemi biseduar dhe rënë dakord me z.Lesi në parim, për t’u bashkuar në një parti të vetme, PDK. Është një proces që ka nisur dhe do vazhdojë në ditët dhe javët në vijim.

– Tashmë është një taktikë e politikës Berisha. Që këdo që fton për aleancë, u jep “pajë” 1-2 poste zv/ministrave, ndaj edhe juve disa u kritikojnë se ofruat aleancën me Berishën për postet qeveritare. Cili është kundërargumenti juaj?

– Postet janë përgjegjësi për çdo parti politike, për drejtimin, performancën, alternativat dhe çdo gjë tjetër, që ne marrim si detyrë politike në një koalicion.

– Tashmë, cilat raporte kanë ndryshuar: Berisha është përmirësuar në çfarë ju e keni kritikuar kaq shumë, apo ato kritikat tuaja, dikur ishin vetëm politike?

– PDK-ja, që unë drejtoj ka qenë një parti me zë ndryshe në politikën shqiptare, në opozitë me z.Berisha deri më sot dhe një zë oponent edhe në të ardhmen, si me z.Berisha ashtu edhe me z.Rama, ky është pluralizmi politik dhe ky duhet të jetë realiteti. PDK-ja ka patur kurajën politike, që ta kritikoje z.Berisha edhe kur unë kam qenë ministër i kabinetit të tij, kemi patur kurajën të votojmë edhe ndryshe në Kuvend për projektligje që ne i kemi konsideruar të padrejtë.

– Një nga pikat më të nxehta të axhendës politike është raportet e marrëdhënieve Berisha-Meta. Ju mendoni, se maxhoranca e sotme, ka mundësi të fitojë në 2013-n pa LSI-në, sikurse u shpreh edhe zonja Topalli, pardje?

– Nuk kam dijeni mbi marrëdhëniet personale të z.Berisha me z.Meta, por shikoj një maxhorance që funksionon dhe një qeveri që qeveris vendin. PD-ja ka të gjitha mundësitë që të hapet akoma më shumë në koalicionin e djathtë dhe në një riformatim te vetvetes. Kjo është rruga e duhur për të patur një qeverisje të djathtë në mandatin e ardhshëm qeveritar. Askush nuk mund të bëjë parashikime për të ardhmen, por gjithsecili do përpiqet që të jetë sa më i vlershëm politikisht.

– Nga cilët faktorë politikë do të kushtëzohen marrëdhëniet Berisha- Meta?

– Nga interesa pragmatiste elektorale dhe nga vizioni i tyre për të ardhmen. Kodi Zgjedhor aktual nuk të jep shumë mundësi dhe shanse për të zgjedhur.

– Sipas jush, kanë barë të realitetit politik, ato që thuhen, se Meta më shumë është pranë Edi Ramës, apo ju i shikoni këto thashetheme politike, si pjesë e lojës politike të Metës, që të peshojë raportet e tij me Berishën dhe Ramën, për të vendosur se me kë kah do të aleatojë?

– Është e rëndësishme që në politikën shqiptare të ketë dialog politik, marrëveshje, mirëkuptim mes palëve dhe individëve.

– Ato që do të përcaktojnë kahun e aleancës së Metës,  me Ramën apo Berishën do të jenë arsye politike?

– Këto janë vendime që i përkasin LSI-së dhe z.Meta, megjithë miqësinë që kam me z.Meta nuk mund t’i jap një këshillë, apo gjykim publik.

– Sipas jush, cila është shkalla e besueshmërisë që kanë ndërkombëtarët për Berishën dhe Ramën, dhe sa rol përcaktues do të luajë ky mirëbesim i ndërkombëtarëve për Ramën e Berishën, në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve të 2013-?

– Ndërkombëtarët ndjekin me vëmendje të madhe çdo zhvillim dhe ngjarje në politikën shqiptare, ato kërkojnë partnerë të besueshëm dhe vizionarë në politikën shqiptare. Deri më sot ka një zhgënjim mund të them, tek të dy kampet. Monitorimi i klasës politike do të jetë i rreptë dhe përcaktues, në qëndrimet e liderëve politikë, të partive, koalicioneve dhe të axhendës politike që vendi ynë ka përpara. Zgjedhjet dhe standardet e tyre mbeten vlerësimi përfundimtar, ndërkombëtarët në fund bashkëpunojnë me atë që qytetarët shqiptare zgjedhin me shumicë me votat e tyre.

– Faleminderit!