Nard Ndoka: Ky grup dikur ka kafshuar të tjerët në PD, tani duan kryetarin

566
Situata mes të përjashtuarve nga lista e kandidatëve dhe kryetarit të Partisë Demokratike, është komentuar edhe nga deputeti Nard Ndoka. I pyetur nga gazeta “Telegraf”, z. Ndoka i ka konsideruar të vjetrit, persona që gjatë gjithë kohës nuk kanë pranuar zërat ndryshe në PD, e tashmë janë vet ata që e bëjnë një gjë të tillë. Po kështu Ndoka shprehet se janë pikërisht këta persona që gjatë gjithë viteve të qëndrimit të tyre në PD kanë kafshuar të tjerët dhe tani duan të bëjnë të njëjtën gjë me kryetarin. Ai i quan këta njerëz pa moral. “Në politikë ka programe, ide dhe moral. Nëse ka vërejtje për statutin, këto ngrihen brenda strukturave. Ky grup në PD ka “kafshuar” çdo zë ndryshe në vite tek Partia demokratike. Topalli e Bode kanë qenë dy prej tyre. Të tjerët përfitues, mendjengushtë që nuk kanë gjetur momentin dhe as se çfarë po kërkojnë në këtë prag-fushate. Kanë ngrënë të tjerët dikur , tani duan të kafshojnë kryetarin e tyre”, shprehet Ndoka. Po kështu ai shprehet se zërat ndryshe brenda Partisë Demokratike në këto momente ngjasojnë me zërat në shkretëtirë. Duket se deputeti i Partisë Demokristiane, i cili garon i pesti në listën e PD-së për qarkun e Shkodrës, ka llogari të vjetra me zërat ndryshe në këtë parti. Ai përmend edhe emra konkret. Kështu flet për Boden e Topallin, për të cilët pohon se kanë qenë dy nga personat, që asnjëherë nuk kanë pranuar zërat kundër. Ndërkohë reagim të shkurtër kundër të pakënaqurve ka bërë edhe Genc Pollo. Ky i fundit është shprehur se e gjitha kjo që ndodh është “patetike, përveçse jashtë vendi dhe kohe”. Ndërkohë Aldo Bumçi ka pranuar të “injorojë” gjithë sa ndodh. Ai u shpreh se nuk ka kohë të merret me deklaratat ndryshe, pasi është në fushatë dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Sigal