Nard Ndoka, kryetar PDK/ Pushteti i Rilindjes ka gjunjëzuar shtetin dhe varfëron shqiptarët. Qytetarët do zgjedhin kush do t’i qeverisë

543
Sigal

Pushteti i Edi Ramës ka gjunjëzuar shtetin dhe varfëron shqiptarët

Jakup B. GJOÇA

Nard Ndoka, ish-deputeti i opozitës në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se ndërkombëtarët në Shqipëri kërkojnë stabilitet politik, edhe pse arrihet me korrupsionin dhe inkriminimin e qeverisë së Rilindjes. Zoti Ndoka shpreh bindjen se zgjedhjet lokale do të ripërsëriten, menjëherë sa të rivendoset rendi kushtetues.

– Zoti Ndoka, Opozita sa herë organizon protestë kombëtare zotohet se kjo protestê do të rrëzojë Ramën. Por pas 3 orësh çdo Protestë përfundon si të jetë ekskursion. Pse Opozita nuk qëndron në shesh derisa të rrëzohet qeveria?

– Protestat janë një mundësi fundore demokratike, ku qytetarët të bashkuar shprehin vullnetin e tyre, por edhe këmbënguljen për kauzën e tyre; votë të lirë, standarde për vendin. Kërkesat e qytetarëve sot janë të gjithanshme; për gjendjen ekonomike, për taksat e larta, për arrogancën e shtetit, për papunësinë, varfërinë, etj, ndaj sensibilizimi për të gjitha këto shqetësime ka arritur kulmin dhe pikën fundore. Ka një sensibilizim nga të gjithë, por edhe nga faktori ndërkombëtar, se vendi është zhytur në krizë politike, ekonomike, besimi dhe kërkohet zgjidhje. Zgjidhja nuk vjen në një ditë, apo duke qëndruar disa ditë duke rrethuar kryeministrinë, por duke rezistuar fort dhe të bashkuar. Zgjidhja do jete logjike, politike dhe do vijë nga ndërgjegjësimi i të gjithëve. Unë mendoj e besoj, se jemi në limitet e fundit të logjikës politike, morale e qytetare. Është momenti për reflektim, për t’i hapur rrugë progresit, tashmë ka vetëm një pengesë, pushtetin brutal të një personi, të Edi Ramës. Kjo tashmë dihet botërisht dhe është vërtetuar, pikërisht nga protestat masive kombëtare.

– Opozita u zotua gjithashtu se nuk do të lejonte zgjedhjet e 30 qershorit. Gjykatat po u japin mandatin çdo kryebashkiaku të 30 qershorit. Dështoi Opozita në strategjinë e saj? Ju si u përgjigjeni kritikave kur thonë se Opozita ia fali qeverisë 61 bashki?

– 30 Qershori është një datë antikushtetuese, një grusht i pushtetit kundër shtetit ligjor. Kush mendon se qeveria ka fituar duke shkelur ligjin, Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve, gabohet rëndë. Zgjedhjet lokale do të realizon, sapo në vend të rivendoset autoriteti i Kushtetutës së Republikës.

Do të ndodhë që kjo mazhorancë do të plotësojë Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, SPAK me anëtarë të preferencës së saj, edhe pse Opozita nuk ka dhënë konsensusin. Paskëtaj opozita çfarë argumente politike. do të ketë për të vazhduar të bëjë opozitarizëm?

– Nëse sistemi i drejtësisë dhe organet e vettingut do ngrihen nën thundrën e pushtetit, thjesht do rrisin masën e mosbesimit tek qytetarët dhe do krijojnë një precedent të rrezikshëm për më tej. Arroganca dhe frika e pushtetit nga ligji ka bërë, që kryeministri të kalojë çdo limit kushtetues dhe përgjegjësi politike. Një drejtësi e kapur nuk i shërben vendit, përkundrazi krijon një konflikt të thellë politik dhe social.

– Pse ende Opozita nuk i bind ndërkombëtarët, se shkaku i krizës politike në Shqipëri është Edi Rama? Pse ata e mbështetin mazhorancën dhe jo Opozitën?

Ndërkombëtarët janë tashmë të bindur për krizën, pasojat dhe përgjegjësit e saj. Është detyrë e Opozitës të kërkojë dhe vendosë standarde për vendin, për të ardhmen. Kjo është betejë politike, institucionale, sociale, morale, shpresë e qytetarëve shqiptarë dhe Opozitës së Bashkuar. Dita e reflektimit dhe ndërgjegjësimit për të gjithë po vjen. Ndërkombëtarët nuk mbështesin Ramën, por stabilitetin politik, çdo ditë e më tepër të gjithë po e kuptojnë se destabiliteti politik në vend është krijuar nga babëzia, korrupsioni dhe arroganca e Edi Ramës ndaj institucioneve dhe opozitës. Gjithsesi, largimi i Edi Ramës mbetet një problem i qytetarëve dhe Opozitës, kjo është kauza e jonë.

A shikon Opozita se shqiptarët po lodhen e zhgënjehen se protestat, denoncimet për korrupsion e inkriminim ndaj Qeverisë nuk japin rezultat, përkundrazi, Mazhoranca po merr të gjitha pushtetet?

– Përkundrazi ka një ndërgjegjësim maksimal të qytetarëve për rrezikun që i kanoset vendit nga kjo bandë në pushtet. Qeveria i është turrur pronës publike, pronës private, PPP-ve, taksave, bizneseve dhe kujtdo që guxon ta kundërshtojë. Një pushtet që i ka hapur luftë frontale qytetarëve dhe interesave jetësore të tyre. Mazhoranca aktuale, pushtetin e mori me zgjedhje e vota të blera, fakte të bëra publike tashmë. Ky pushtet ka kapur dhe shembur të gjithë shtetin. Rama është mbingarkuar me pushtete të grabitura me dhunë, do jetë ky mbipushtet, që do ta fundosë politikisht e moralisht shumë shpejt.

– Sipas jush, çfarë duhet të ndryshojë Opozita në strategji dhe taktikën e saj që të bindë shqiptarët në kauzën e saj?

– Opozita duhet të kthehet në alternativë qeverisëse dhe të marrë përgjegjësi për të nxjerrë vendin nga kriza, duke bllokuar e larguar një orë e më parë Edi Ramën nga drejtimi i vendit.

– Zoti Ndoka shumë shqiptarë thonë: Të gjithë palët politike njësoj janë, ndaj nuk protestoj. Lufta politike bëhet për Pushtet dhe jo për ndryshim. Si mundet Opozita të bindë se nuk është më ajo qeverisje para 2013-s por një shpresë?

– Opozita e Bashkuar, sot ka dhënë prova të besueshme, se kauza e të gjithëve janë standardet për të ardhmen. Opozita la mandatet, duke ju bashkuar qytetarëve, opozita sakrifikoi pushtetin për standardet. Opozita nuk po kërkon pushtet, por votë të lirë, që qytetarët të zgjedhin kush do i qeverisë.