Nard NDOKA: Çështja “Doshi” nuk është problem politik, por problem interesash mes “miqve”

417
Nard Ndoka, kryetari i PDK-së dhe deputet i opozitës, në intervistën për “Telegraf” pohon se deputeti Doshi duhet të denonconte qysh në fillim në prokurori përcënimet ndaj jetës së tij, dhe se tashmë çështja “Doshi”, nuk është më problem politik, por problem interesash mes “miqve”. Ndërsa për marrëdhëniet Doshi-Frroku kryetari i PKD-së Nard Ndoka thotë se “Një prej partive te Unionit, partia Kristian-demokrate e krijuar de fakto nga Z.Doshi dhe e drejtuar de jure nga Z.Frroku ka problemet e veta me drejtësinë dhe disa pengesa të tjera politike dhe morale.”
– Ju vetë, zoti Ndoka, mendoni se Doshi duhe të denonconte që në fillim në prokurori kërcënimin ndaj tij?
– Duhej të denonconte që në fillim dhe t’i bënte publike kërcënimet ndaj jetës së tij. 
– A është i shtyrë politikisht Doshi, të bëjë këto denoncime?
Kjo nuk është një problem politik, por probleme midis ‘miqsh’ dhe interesash, të cilat nuk i kanë bërë publike palët.
-A duhet të bojkotojë opozita Parlamentin pa afat?
– Opozita nuk duhet në asnjë rast të bojkojtojë, përkundrazi duhet të mbështesë Prokurorinë.
– Sipas jush, përse PD-ja nuk respekton drejtësinë, që të japë ajo gjykimin për çështjen “Doshi” dhe pastaj të veprojë politikisht?
– PD-ja dhe opozita po e ndihmon drejtësinë në ketë rast, jo vetëm me dëshmitë dhe provat e veta, por po kërkon politikisht që personat e akuzuar mos të përdorin pushtetin për mbrojtje politike. Është detyrë e opozitës që ta bëjë këtë, të protestojë, të sensibilizojë, të kërkoje respektim të shtetit ligjor nga të gjithë, përfshirë edhe maxhorancen aktuale.
– A mund të jetë shkak, argument i PD-së, kur thotë, që prokuoria nuk mund të hetojë dot?
– Ekziston një trysni nga pushteti, nga mekanizmat e tij, nga presionet që po ushtrohen ndaj organit të akuzës për të deformuar të vërtetën mbi procesin. Ka dëshmitarë që mbahen nën presion, ka të tjerë që inkurajohen të flasin sipas interesave, ka të tjerë që i kanë përgeshnjështruar ato çfarë kanë deklaruar, ka politikanë që kanë dalë nga vetja nën frikën e pushtetit. Këto janë fenomene që po na shqetësojnë të gjithëve. Ndaj ka një frikë nga të gjithë, që procesi po ngec, po deformohet dhe po humb besimin. 
– A mund të kërkohet kaq lehtë dorëheqja e kryetarit të Kuvendit, vetëm e vetëm mbi akuza, qoftë edhe të një deputeti, kur tashmë është prokuroria ajo që do të dëshmojë provat?
– Kjo është akuza më e rëndë nominale që bëhet ndaj një politikani, dorëheqja është akt politik, është standard që duhet të vendoset. Dorëheqja është maturi dhe përgjegjësi për t’i hapur rruge procesit, për ta respektuar atë, por edhe për të siguruar besimin tek sistemi ynë politik dhe i drejtësisë. Meta e ka vendosur një herë këtë standard.
– Nëse ju kujtohet, në të kaluarën ka pasur ngjarje politike si 21 janari, ku kryeministri, ministri i Brendshëm, nuk dhanë dorëheqjen për 4 vrasje të qytetarëve në protesta. A nuk kemi 2 standarde politike dhe hiprokrizi nga PD-ja tani?
– Edhe nëse gjatë së shkuarës ka pasur probleme me “institucionin e dorëheqjes”, apo me pengim të drejtësisë, sot nuk mund t’i marrim si shembull për të vepruar akoma më keq. PD-ja është gjykuar me votë për gabimet e veta, ka reflektuar dhe sot ka të drejtën që të kërkojë standarde të reja, që t’i respektojë edhe vetë nesër. 
– PD-ja tashmë po ribojkoton Kuvendin dhe komisionet parlamentare. Mendoni se ka kauzë politike PD-ja?
– Kauza e sotme është shumë më e drejtë, se sa bojkoti i para disa muajve i PD-së. Sot kemi Kryetarin e Kuvendit nën akuzë për vrasje dhe opozita nuk mund dhe nuk duhet ta pranojë këtë realitet qoftë në aspektin politik apo institucional.
– Ju vetë, do të vijoni të merrni pjesë në Parlament? 
– Parlamenti nuk duhet të bojkotohet, por duhet debat, argumente dhe përpjekje nga të gjithë për ta bindur kryetarin aktual, që të dorëhiqet për ti hapur rrugë drejtësisë, për të respektuar institucionet dhe për ti garantuar ato, qoftë edhe nëpërmjet veprimeve dhe akteve demokratike. 
– Në zgjedhjet lokale, PDK-ja do të jetë subjekt i pavarur, apo në koalicion me PD-në?
– Ne jemi pjesë e koalicionit opozitar, akoma nuk kemi një vendimmarrje të përbashkët për mënyrën se si do të paraqitemi në këto zgjedhje. Nuk shikoj ndonjë problem mes palëve, përkundrazi përkushtim maksimal, që kandidatët tanë të dalin fitues në të gjitha Bashkitë e vendit duke siguruar shumicë edhe në këshillat bashkiake.
– Po Unioni demokristian, çfarë strategji politike do të zbatojë për zgjedhjet lokale?
– Një prej partive te Unionit, partia Kristian-demokrate e krijuar de fakto nga Z.Doshi dhe e drejtuar de jure nga Z.Frroku ka problemet e veta me drejtësinë dhe disa pengesa të tjera politike dhe morale. Ndërsa partitë e tjera të Unionit po orientohen drejt një bashkimi nën siglën e PDK-së.
– Faleminderit!
Sigal