Napolitano: Italia avokate e Shqipërisë, do ta fitojmë edhe kauzën e integrimit në BE

54

Presidenti italian Napolitano takon krerët e politikës shqiptare

 Në kuadër të një vizite zyrtare, me ftesë nga Presidenti i Republikës së Shqiptare, Bujar Nishani, Presidenti Italian, Giorgio Napolitano, u takua me figurat më të larta të vendit tonë.

 Bujar Nishani: Italia një partner kyç, ftoj kompanitë të investojnë në vendin tonë

 Presidenti Bujar Nishani, mirëpriti dje paradite, me një ceremoni zyrtare, Presidentin e Republikës italiane dhe delegacionin zyrtar që e shoqëroi gjatë kësaj vizite të rëndësishme shtetërore në vendin tonë. Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të dy himneve kombëtare respektive, Presidentet Nishani dhe ai italian, Napolitano, zhvilluan në një takim kokë më kokë, për ta vazhduar më pas me kryesimin e takimit dypalësh, të delegacioneve zyrtare përkatëse. Në përfundim të këtyre takimeve, z.Nishani dhe homologu e tij, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, vlerësuan lartë marrëdhëniet dypalëshe, partneritetin strategjik dhe rolin e Shqipërisë në rajon, si faktor stabiliteti. Nishani shprehu vullnetin e Shqipërisë për të forcuar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët, si dhe për intensifikimin e dialogut politik nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë. Lidhur me bisedimet mes dy palëve, z.Nishani u shpreh se: “Italia është një partner kyç dhe mjaft i rëndësishëm në fushën ekonomike. Shpreha interesin për të avancuar bashkëpunimin ekonomik dhe rritur shkëmbimet tregtare, për të promovuar investimet italiane në Shqipëri, për të ftuar kompanitë e njohura italiane të investojnë në vendin tonë, në fusha si: infrastruktura, turizmi, energjetika, shërbimet, fasoneria, etj., duke shfrytëzuar eksperiencën e deritashme, mundësitë që ofron tregu shqiptar dhe, si një instrument efikas, samitet ekonomike”. Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, në një ceremoni të veçantë, të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti Nishani, i akordoi homologut italian “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”. Gjithashtu, Presidenti Napolitano i dorëzoi Presidentit Nishani “Urdhrin e Meritës së Republikës së Italisë, Kalorësit të Kryqit të Madh”.

 

Ilir Meta: Italia një vend mik, kemi ndihmuar njeri-tjetrin në kohë të ndryshme

 Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti në takim të veçantë Presidentin Napolitano, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet e ngushta strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe diskutuan mbi ecurinë e zhvillimeve politike në të dy vendet. Kryetari i Kuvendit shoqërohej në takim nga Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Arta Dade dhe Kryetarja e Komisionit për Integrimin Europian, njëkohësisht Kryetare e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Itali, znj. Majlinda Bregu. Z. Meta, pasi shprehu mirënjohjen për vizitën e Presidentit Napolitano në Tiranë, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke theksuar se, Shqipëria mbështetet në përkrahjen e vazhdueshme të Italisë për zhvillimin dhe perspektivën e saj europiane. Presidenti Napolitano vuri në dukje se, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara gjatë këtyre viteve dhe se mbështetja e Italisë në përmbushjen e reformave që kërkon integrimi evropian, do të jetë e pakursyer dhe me bindje të thellë. Pas takimit, z. Meta e ftoi Presidentin Napolitano të mbajë një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë. Kreu i Parlamentit shqiptar, në fjalën e tij në fillim të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit theksoi se, zoti Napolitano përfaqëson, jo vetëm një vend mik, por dhe një avokat për Shqipërinë. “Gjatë takimit me Presidentin italian theksova se, popujt tanë jo vetëm kanë afërsi gjeografike, por ata kanë ndihmuar njeri-tjetrin në kohë të ndryshme. E falënderova Presidentin Napolitano, për kontributin që ka dhënë për Shqipërinë, zhvillimin ekonomik, integrimin etj.”,-tha z.Meta.

Edi Rama-Napolitano: Është gjithnjë një kënaqësi të presë një mik të shqiptarëve

 Duke e falënderuar zotin Napolitano për vizitën, Kryeministri Rama u shpreh se, është gjithnjë një kënaqësi të presë një mik të shqiptarëve. Kryeministri Rama dhe Presidenti Napolitano nënvizuan se, miqësia mes dy popujve, që i bashkon jo vetëm afërsia gjeografike, por edhe afërsia kulturore dhe interesa të përbashkëta si dy vende fqinje, përbën një bazë të fortë për avancimin e bashkëpunimit dypalësh. z.Rama theksoi se, mbi këto themele dhe konsiderimin e Italisë një partner kyç, ndërmori disa vizita në Itali, me fokus rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe shtimin e investimeve italiane në Shqipëri. Presidenti Napolitano, vlerësoi punën e Qeverisë shqiptare, si dhe garantoi Kryeministrin Rama se Italia qëndron në krah të Shqipërisë. Në takim u vlerësua roli e kontributi i Shqipërisë në rajon, për të cilin z.Rama nënvizoi se, 100 vjet pas fillimit të Luftës I Botërore, Ballkani jeton një situatë cilësisht të ndryshme. Perspektiva e përbashkët europiane e Ballkanit, u shpreh Kryeministri, është e qartë dhe më e afërt. Ndonëse, -theksoi ai, -kjo kërkon edhe marrjen e përgjegjësive të reja përballë sfidave të reja që kanë të bëjnë me zhvillimin e prosperitetin e rajonit.

Kuvend, Napolitano: Vendi i Shqiponjave, e ka destinacionin në Europë

 Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi dje pasdite një seancë të jashtëzakonshme plenare për nder të kreut të shtetit italian, Giorgio Napolitano, i cili mbajti një fjalë përshëndetëse, ku theksoi se “vendi i Shqiponjave e ka vendin e tij në Europë. Presidenti deklaroi në fjalën e tij se, Italia do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fortë e Shqipërisë në rrugëtimin Europian, duke theksuar se, marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të ecin përpara.

“Lidhjet e thella dhe afërsia që nuk është vetëm gjeografike mes vendet tona, na japin një përgjegjësi që është përkthyer në një vazhdimësi të politikës së jashtme italiane”,-deklaroi ndërmjet të tjerave në fjalën e tij kreu i shtetit italian. Z. Napolitano, iu referua më tej përpjekjeve të vendeve tona për të rritur marrëdhëniet ekonomike, duke përmendur çështjen e gazsjellësit TAP. “Një sfidë e rëndësishme e marrëdhënieve është ndërtimi i përbashkët i TAP që do të ndihmojë ndjeshëm në integrimin ekonomik të vendeve tona”,-theksoi Napolitano. Ndërkaq, duke iu referuar integrimit në Bashkimin Europian, Presidenti i vendit fqinj, theksoi se: “Italia do të japë një mbështetje të vendosur për integrimin në BE. Anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave ishte një sukses, për të cilat duhet të jeni krenar. Vendi i Shqipërisë është në Europë, për vlerat e saj, historinë dhe kulturën e saj. Shqipëria ka treguar se ka bërë shumë për kulturën europiane duke kapërcyer sfida të rëndësishme. Në trazirat e Ballkanit, Shqipëria është shfaqur si mbështetëse e stabilitetit, dialogut, tolerancës, qëndrim që përbëjnë thelbin e Europës së sotme”.