Nano, Topi dhe Spahiu tronditin aleancat e 2013-s

469
Sigal

Fushata elektorale e 2013-s/ Partitë politike, në ofensivë për të konfiguruar aleatët për zgjedhjet e ardhshme

Tashmë mund të thuhet se kemi hyrë në fazën parazgjedhore të vitit 2013. Sinjali u dha ditën e heqjes së imuniteteve, ndërsa Kryeministri Berisha u hodh në ofensivë ndaj kundërshtarëve të tij politikë, tradicionalë dhe të rinj. Vetëm dialog politik, nuk mund të cilësohen akuzat e ndërsjella Berisha-Topi-Spahiu, që shkëmbyen dje kundër njëri-tjetrit në lidhje me çështjen e vrasësit Ilir Xhakja, ndaj Kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj. Thjesht vrasja e Kryekomisarit Tahiraj, u dha mundësinë Berishës, që të fillojë fushatën elektorale nga këndvështrimi që i intereson. Po të tilla mund të konsiderohen edhe akuzat e forta që ish-Presidenti Topi, tani në krye të FRD-së lëshoi dje kundër Kryeministrit. Por edhe ato të AK-së së Spahiut. Një pyetje e vetvetishme mund t’u drejtohet nga opinioni në këtë rast Berishës, Topit dhe Spahiut: Thëniet tuaja, kundër njeri-tjetrit tregojnë që ju dinit paraprakisht kusuret për njëri-tjetrin. Përse Kryeministri, derisa e di, që më parë veprimet antiligjore të ish-Presidentit dhe të ish-nënkryetarit të KLD-së, nuk ka vepruar në bazë të ligjit? Po ish-Presidenti dhe ish-Nënkryetari i KLD-së përse nuk i thanë më parë këto akuza? Kush e pengoi Presidentin e Shqipërisë që këtë diagnozë patologjike të Kryeministrit ta publikonte më parë? Apo, e thotë pasi preket drejtpërdrejtë interesi i tij sot? Kush e pengoi ish-nënkryetarin e KLD-së, që të akuzonte që para zgjedhjeve të 2011-s lirimet e vrasësve? Përgjigjet i lëmë në gjykimin e shqiptarëve, por  ndokush mund të bëjë një pyetje tjetër: Cila është arsyeja e shkëndijës politike që ndezi luftën zgjedhore Berisha-Spahiu-Topi? Duke e parë në koherencë politike, përse edhe Edi Rama, pak ditë më parë, në intervistën me Ilva Taren, kritikoi ashpër Topin e Spahiun? Këto dy pyetje që ngritëm kanë të njëjtin emërues. Qëllimin e përfshirjes të Topit e Spahiut nga Berisha dhe Rama në kahun përfitimit të interesave të tyre politike. Berisha si mjeshtër i madh politik-bërës, ka analizuar faktorët e rezultateve të zgjedhjeve të 2011-s, dhe ka fokusuar edhe faktorët që do të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve të 2013-s. Bën çfarë është e mundur, nëpërmjet aleancave qeveritare, premtimeve e privilegjeve që i jep posti i Kryeministrit me joshje e premtime qeverisëse. Por kjo nuk mjafton. Pakënaqësitë që ka ngjallur politika qeverisëse ka edhe pasojat, të cilat Berisha i njeh dhe i pranon. Pikërisht, këtu është loja e Berishës, që mundohet të bëjë, duke u futur në polemikën zgjedhore me Topin e Spahiun. Atë pjesë të elektoratit të djathtë, që Berisha e di që nuk mund ta fitojë, kërkon që me çdo kusht ta marrë partia e Topit. Berisha kurrsesi nuk mund të pranojë që votuesit e djathtë, të pakënaqur nga qeveria, t’i bashkohen socialistëve. Hyjnë këtu ish të burgosurit, demokratët e pakënaqur. Nga ana tjetër, elektorati që është i pakënaqur nga PS-ja, që është i qendrës, të majtët, që nuk u bashkohen PS-LSI, Berisha do të donte që këta t’i bashkohen AK-së, por kurrsesi PS-së. Pra Berisha i ofron elektoratit që nuk i jep kurrsesi votën atij alternativën e AK-së dhe FRD-së, por kurrsesi  PS-në. Në këtë moment hyn në lojë edhe Fatos Nano. Burime të besueshme thanë dje për “Telegraf” se, selia është pushtuar nga ankthi, pasi mësohet se brenda shtatorit ish-lideri i selisë rozë do të hyjë furishëm në politikë, duke ngritur strukturat e forcës së tij politike në të gjithë vendin. Për këtë lëvizje, Nano duket se gëzon mbështetjen e fortë të Berishës, pasi dihet që më shumë nga të gjithë, ai do t’i prishë punë Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, duke i hequr një shumë të konsiderueshme votash. Po çdo të ndodhë në aleancat paszgjedhore? AK-ja, dihet që shumica e votave të saj  do të vijnë nga qendra dhe e majta dhe sa më shumë  të marrë, kaq më pak do të jenë për PS-në. Qëllimi i Berishës është që PS-ja të mos arrijë më shumë mandate nga ato që mori në 2009-n. Më pas, si mjeshtër i aleancave, Berisha e ka më të lehtë që të ofrojë në koalicionin qeverisës AK-në dhe Topin. Do të thotë ndokush: e vështirë kjo, duke dëgjuar akuzat e tanishme. E thjeshtë përgjigja. Meta në fushatën zgjedhore 2009 akuzoi Berishën më shumë se Topi e Spahiu tani. Edi Rama, sipas burimeve të mirinformuara që kemi, bisedoi me 2-3 miq të tij, të njohur për analizën politike, para ca ditësh analizoi prirjen elektorale të sotme. Nga produkti i asaj bisede, rrodhi edhe reagimi i Ramës ndaj Topit e Spahiut, ku u bëri thirrje që të bashkohen në një aleancë kundër maxhorancës. Pikërisht, qëndrimi i AK-së dhe Topit, për të qenë kundër PD-së dhe PS-së njëkohësisht, e tremb Ramën më shumë dhe i jep Berishës shpresës. Ndaj Berisha përpiqet që të faktorizojë politikisht AK-në dhe FRD-në.