Nano qeverisi me zv/ministra, Rama me zyrtarë të përkohshëm

922
Nano qeverisi me zv/ministra, Rama me zyrtarë të komanduar
Situatë kaotike në drejtimin e shtetit. Në të gjithë zinxhirin e institucioneve të luftës ndaj krimit, drejtuesit janë të komanduar, ndërsa organet e reja të drejtësisë mungojnë tërësisht
Qeverisja e ish-liderit socialist, Fatos Nano, me zëvendësministra sigurisht që do të mbahet mend gjatë. Ishte hera e parë që shteti qeverisej jo me ministra, por me zëvendësit e tyre. Pamundësia për të miratuar ministrat e rinj në Kuvend e detyroi kryeministrin Nano të vazhdonte drejtimin e ekzekutivit me numrat dy. Fati i socialistëve në mandatin e dytë 2001-2005 duket se po përsëritet. Kryeministri Rama, ndonëse me një mazhorancë të plotë në Kuvend, nuk po arrin të emërojë asnjë nga titullarët e institucioneve kyçe. Në të gjithë zinxhirin e luftës ndaj krimit, titullarët tashmë janë të komanduar. Prej fundit të dhjetorit 2017, Shqipëria nuk ka një Prokuror të Përgjithshëm me mandat, por një drejtuese të organit të akuzës të përkohshme. Arta Marku do të jetë në krye të prokurorisë deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe rinisjen e procedurave për zgjedhjen e kryeprokurorit me mandat 7-vjeçar. Ndërkohë, Shërbimi Informativ i Shtetit prej fillimit të nëntorit ndodhet pa një drejtor të dekretuar. Me largimin e Visho Ajazi Likës, SHISH-in e drejton Helidon Bendo, i komanduar në detyrë dhe në pritje të dekretit të Presidentit të Republikës. E njëjta situatë është krijuar nga dita e djeshme edhe në Policinë e Shtetit. Qeveria ka vendosur të largojë Haki Çakon, por nuk ka emëruar një zëvendësues. Zv/drejtori i përgjithshëm, Rebani Jaupaj, është komanduar në detyrën që mbahej më parë nga Çako. 

Si të mos mjaftonte zinxhiri i institucioneve antikrim, që funksionojnë me drejtues të përkohshëm, Shqipëria nuk ka arritur të ngrejë asnjë nga institucionet e reja të sistemit të drejtësisë. Ndonëse ndryshimet kushtetuese janë miratuar në korrik 2016, janë katër institucione që mungojnë. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk janë ndërtuar ende. E vetmja strukturë që ka marrë jetë prej pak muajsh është sistemi i rivlerësimit kalimtar të prokurorëve e gjyqtarëve. Strukturat e vetingut kanë nisur nga puna, por ende nuk kanë dhënë rezultatet e para, ndërsa në sitën e tyre janë përfshirë fillimisht 57 gjyqtarë e prokurorë, mes të cilëve anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërkohë, edhe vetë dy gjykatat më të rëndësishme në vend, ajo Kushtetuese dhe e Lartë, kanë mungesa të shumta të anëtarëve. Mungesa e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e bënë të pamundur nisjen e procesit të plotësimit të këtyre vendeve. 

Nano dhe zv/ministrat
Qeveria e dytë e kryesuar nga Fatos Nano nisi punë në korrik 2002, pasi një vit më parë socialistët kishin siguruar mandatin e dytë. Nano erdhi sërish në krye të qeverisë, bazuar edhe në hapësirën e lejuar nga statusi i PS-së, sipas të cilit kryetari i partisë duhet të jetë edhe kryeministër. Kështu, qeverisja e shkurtër e Majkos (për herë të dytë) nisi në shkurt dhe mori fund më 25 korrik 2002. Ilir Meta në qeverinë e re të Nanos mbante postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm. Kjo zgjidhje u duk se i dha fund konfliktit të brendshëm në PS, por nuk ndodhi kështu. Një vit më pas, në verën 2003-shit, Ilir Meta vendos të japë dorëheqjen nga qeveria “Nano”. Hapi i tij u ndoq edhe nga Sokol Nako, atëherë ministër i Integrimit. Kryeministri Nano propozoi Marko Bellon në postin e ministrit të Jashtëm dhe Ermelinda Meksin në postin e zv/kryeministres e ministres së Integrimit. Lëvizja e Nanos nuk pati sukses plotësisht, pasi dekreti i presidentit Moisiu për emërimin e Bellos si ministër i Jashtëm ngeci në Kuvend. Me këtë dekret në duar, Bello ishte përfshirë edhe në një delegacion qeveritar, që udhëtoi në Romë, por u detyrua të “dorëzohet”. Ministria e Jashtme mbeti në dorë të zv/ministrit. Ndërkohë, largimi i Luan Ramës nga detyra e ministrit të Rendit Publik krijoi edhe një tjetër boshllëk. Dy ndër ministritë më të rëndësishme të qeverisë mbetën me zv/ministra. Propozimet e Nanos për Namik Doklen si ministër i Jashtëm e Fatmir Xhafën në krye të Rendit dështuan sërish. Vetëm pasi Nano u rikonfirmua në Kongresin e PS-së si kryetar në fund të vitit 2003, situata u normalizua. 

Institucionet
Prokurori i Përgjithshëm, emërim i përkohshëm
Drejtor i SHISH-it, i komanduar
Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, i komanduar
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i paformuar
Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, i paformuar
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i paformuar
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i paformuar
Gjykata Kushtetuese, mungesë anëtarësh
Gjykata e Lartë, mungesë anëtarësh
Sigal