Naço urdhër inspektimi ndaj gjyqtares së Durrësit, Dhurata Bilo

439
Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka urdhëruar ditën e sotme nisjen e një inspektimi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, ndaj gjyqtares Dhurata Bilo. Bazuar në problematikën e konstatuar dhe bërë prezente nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, Ministri Naço ka urdhëruar ngritjen e një grupi inspektimi që do të verifikojë në mënyrë të menjëhershmë procedurat gjyqësore dhe legjislacionin, të zbatuara nga gjyqtarja, lidhur me gjykimin e një çështjeje pronësie me Komunën Ishëm, në një sipërfaqe të konsiderueshme toke.
Paraprakisht, sikurse citohet edhe një shkresën drejtuar Ministrit të Drejtësisë, problematikat e konstatuara ndaj gjyqtares Dhurata Bilo, lidhen me shmangien e procedurës së shpërndarjes së çështjeve ndërmjet gjyqtarëve, nëpërmjet shortit elektronik, duke pranuar gjykimin e çështjes me paditës dhe objekt të ndryshëm nga ai i paraqitur në kërkesë padi. Shmangia e padisë nga shorti ka shkaktuar zhvillimin e gjykimeve paralele për të njëjtën çështje, gjykime paralele këto të cilat nuk mund të konstatohen nga administrata gjyqësore, përsa kohë në sistem çështja figuron e regjistruar me palë dhe objekt tërësisht të ndryshëm.
Gjithashtu, është krijuar një problematikë lidhur me vendimmarrjen brenda vetë Gjykatës mbi kompetencën lëndore mbi çështjen në gjykim, pasi për të njëjtën çështje një gjyqtare ka deklaruar moskompetencën (duke i kaluar çështja për gjykim Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës), ndërsa gjyqtarja Dhurata Bilo ka vlerësuar që çështja i takon në kompetencë lëndore gjykatës civile, duke e shqyrtuar çështjen në themel.
Një tjetër problematikë lidhet me faktin se për të njëjtën çështje ekzistojnë dy vendime të kundërta të gjykatave, e konkretisht Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës ka vendosur rrëzimin e padisë, ndërsa gjyqtarja Dhurata Bilo ka vendosur pranimin e padisë. Përsa më sipër, në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, dhe ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar, Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço ka urdhëruar nisjen e inspektimit të menjëhershem të rastit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Sigal