Naço takon Blair: Konsolidimi i gjyqësorit, rrit investimet e huaja

490
Sigal

TIRANE – Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka pritur në një takim Cherie Blair, Drejtuese e Studios së Konsulencës Ligjore “Omnia Strategy LLP”, e cila në bashkëpunim më qeverinë shqiptare ka ndërmarrë një sërë projektesh me Shqipërinë.

Gjatë bisedës me Ministrin e Drejtësisë, zonja Blair është shprehur e impresionuar lidhur me efiçencën që po tregojnë institucionet shqiptare dhe ecurinë e tyre pozitive në përpjekje të forcimit të shtetit ligjor.

Bashkëbiseduesit ndanë mendimin e përbashkët se rritjes dhe përmirësimit të klimës së biznesit në Shqipëri, do t’i shërbente konsolidimi i pushtetit gjyqësor dhe se duhet një përpjekje e të gjithë aktorëve, që të përmbushen aspiratat e vendit tonë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Në vijim të diskutimit, Blair ka sugjeruar aplikimin e teknologjive të avancuara të informacionit në gjykata, si një masë paraprake që do të ndikonte në uljen e fenomenit të korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë nga ana e tij Ministri Naço tha se është shumë e rëndësishme që të rikthehet besimi i qytetarëve tek sistemi i gjyqësorit.

“Pavarësia në gjyqësor, nuk duhet të nënkuptojë dosmodoshmërisht pandëshkueshmërinë dhe mungesën e llogaridhënies. Gjyqtarët duhet të jenë një komunitet që meriton respekt dhe është shumë e trishtueshme kur dëgjoj në lidhje me perceptimin e publikut dhe mungesën e besimit të tij në sistemin gjyqësor”, tha Naço

Ndërkaq Naço e ka njohur Cherie Blair lidhur me nismat ligjore të realizuara në kuadër të reformës në drejtësi, e cila ka shprehur vlerësimin e saj lidhur me ndryshimet në paketën ligjore “Antimafia”, duke e konsideruar një qasje të ndjeshme dhe pragmatiste nismësn për sekuestrimin e pasurive të vendosura si pasojë e aktivitetit kriminal.

Ministri ka vlerësuar kontributin e gjithanshëm të Blair, duke veçuar ndër të tjera opinionet dhe ekspertizën e saj mbi proceset reformuese të sistemit të drejtësië në Shqipëri.

Blair në vazhdimësi ka shprehur mjaft interes në lidhje me zhvillimet në rajon dhe në vendin tonë dhe së fundmi ka qenë e pranishme gjatë Samitit të Adriatikut për Gazin dhe Naftën, të mbajtur në Mal të Zi, ku janë shpalosur mundësitë për investime në Shqipëri dhe rajon.