Naço në Londër, merr pjesë në takimin e përvitshëm të vitit të drejtësisë

452
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, me ftesë të homologut të tij britanik, Michael Gove, njëkohësisht Parlamentar, Zyrtar i Lartë i Kurorës dhe Srekretar i Shtetit për Drejtësisë, ka marrë pjesë dje në Ceremoninë e Hapjes së Vitit Ligjor për Anglinë dhe Wellsin. Ceremonia u zhvillua në Abacinë e Westminster Abbey, ku të pranishëm ishin trupa gjyqësore angleze, si dhe personalitetet më të larta të sistemit britanik të drejtësisë, ndër të cilët të ftuar ishin edhe disa Ministra, Qeveritarë, Gjyqtarë apo aktorë kryesorë të sistemeve të drejtësisë së vendeve të Bashkimit Europian dhe më gjerë. Në këtë kuadër, Ministri Naço zhvilloi një takim me Kryetarin e Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, Lordin Neuberger. Gjatë këtij takimi, Ministri Naço e informoi Neuberger mbi situatën aktuale të sistemit gjyqësor në Shqipëri, mbi problematikat që ajo shfaq, si dhe e njohu atë me reformat e ndërmarra nga qeveria dhe Parlamenti Shqiptar, duke filluar me ndryshimet kushtetuese që do të mundësojnë mirëfunksionimin e institucioneve të gjyqësorit. Lordi Neuberger shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij takimi dhe vlerësoi nismën e ndërmarrë ligjore, duke e inkurajuar Ministrin Naço për vijimin e këtij procesi të ndërmarrë nga shtetit shqiptar në funksion të garantimit të paanshmërisë dhe integritetit të gjyqësorit. Ministri Naço nga ana e tij theksoi domosdoshmërinë e mbështetjes së kësaj reforme nga partnerët ndërkombëtarë dhe nga ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj. Në këtë kontekst, Ministri Naço u shpreh se do të mirëpriste kontributin akademik të Gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Anglisë, për të ofruar përvojën e tyre në trajnimin vazhdues të Gjyqtarëve shqiptarë në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës. Lordi Neuberger e falenderoi Ministrin Naço për këtë vlerësim dhe i shprehu gatishmërinë për mundësimin e bashkëpunimit në këtë drejtim. Ministri Naco e ftoi Lordin Neuberger për të vizituar Shqipërinë, duke theksuar se kontributi i tij në këto momente kur reforma në drejtësi po kristalizohet, është i një rëndësie të veçantë.
Sigal