Naço: Ndryshime! Presidenti jo kryetar i KLD, as ministri anëtar

408
TIRANE – Nga tryeza për drejtësinë ministri i Drejtësisë Nasip Naço kërkoi që të bëhen ndryshime kushtetuese, e konkretisht, që presidenti të mos jetë me kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e të gjitha kompetencat e tij t’i marrë Kreu i Gjykatës së Lartë. Po ashtu, si pjesë e këtyre ndryshimeve edhe ministri duhet të mos jetë më anëtar i KLD-së. 
​“Gjetëm KLD të zhytur në konflikt interesi”, tha Naço e duke u ndalur te puna e gjyqtarëve tha se u bë vlerësimi i punës së gjyqatarëve jashtë objektivave te kohes. Sipas tij 16 gjyqtarë të paemëruar paguheshin.
Naço përsëriti mesazhin se drejtësia duhet të ndahet njëherë e mirë nga politika.
Reformat, Nishani: Sfidë, lufta pa kompromis në radhët e gjyqtarëve
Është zhvilluar ditën e sotme tyeza për drejtësinë ku kanë marrë pjesë kreu i delegacionit të BE Clive Rumbold, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, Presidenti dhe njëherësh Kreu i KLD Bujar Nishani. Nishani ka theksuar se Shqipëria eshte në proces të rëndësishëm reformash por sipas tij, reformat kërkojnë angazhim të të gjithë aktorëve.Ai e ka cilësuar reformën në drejtësi si një proces gjithëpërfshirës.
Duke u ndalur te roli i KLD, Nishani ritheksoi funksionin si organ kushtetues në majën e piramidës së drejtësisë. Për Nishanin sfidat e gjyqësorit mbetet ende mbrojtja e integritetit të gjyqtarëve dhe lufta pa kompromis në radhët e gjyqtarëve.
Kreu i delegacionit të Be në Shqipëri Clive Rumbold kërkoi që të garantohet pavarësia e standardet e integritetit. Pavarësia e gjyqësorit, sipas tij është çelësi i reformës në drejtësi.Ministri i Drejtësisë Nasip Naço pohoi se kemi trashëguar mjaft problematika nga sistemi i drejtësisë. 

Fjala e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço në konferencën e 10 të Rrjetit Ballkanit dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësore 
Së pari, më lejoni t’i uroj suksese punimeve të Konferencës së 10-të, të Rrjetit Ballkanit dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë.
Jam i bindur se kjo konferencë do të shërbejë, si një tryezë miqësore diskutimi midis kolegësh, 
ku do të ndahen praktikat e secilit prej vendeve pjesëmarrëse, të cilat na shërbejnë për t’u njohur nga afër me eksperiencat më të mira të funksionimit të institucioneve respektive, por nga ana tjetër kjo konferencë do të zgjedhë dhe strukturat e rrjetit, të cilat janë të nevojshme për koordinimin e punës midis anëtarëve të saj, gjë e cila ndikon në zgjerimin e këtij rrjeti dhe rritjen e bashkëpunimit midis vendeve pjesëmarrëse.
Rrjeti i Këshillave Gjyqësor është një mekanizëm më shumë, i shpërndarjes së informacionit, 
një kanal komunikimi dhe ndërverpimi aktiv, midis sistemeve të së drejtës të shteteve tona dhe për këtë zgjerimi i këtij rrjeti me anëtarë të rinj dhe nxitja e zhvillimit në mënyrë permanente të këtyre konferencave, padyshim që ndikon pozitivisht në ndërgjegjësimin e pjesëmarrësve, mbi praktikat më të mira të funksionimit, por dhe përsosjen e vet Këshillave Gjyqësor, të cilat me kalimin e kohës kanë nevojë të riformatohen. 
Këshillat Gjyqësor në vendet tona, i gjejmë me emërtesa të ndryshme si; Këshilli i Lartë i Drejtësisë; Këshilli i Lartë i Magjistraturës, Këshilli i Lartë i Gjyqëtarëve, Këshilli i Lartë Gjyqësor, apo Zyra Kombëtare për Gjyqësorin, por në thelb, roli kryesor i tyre është i njëjtë, dhe objekt parësor i punës së tyre është në funksion të përmirësimit të sistemit drejtësisë në përgjithësi dhe mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor në veçanti. 
Nisur nga kjo, është tepër pozitiv fakti që zhvillimi i Konferencës së10-të,të Rrjetit Ballkanit dhe Euro-Mesdhetar i Këshillave Gjyqësor, mbahet Tiranë, pikërisht në një moment kur, jemi në një fazë kyçe të diskutimit përfundimtar të reformimit të sistemit të drejtësisë, iniciativë kjo e cila sa vjen dhe poqartësohet më shumë dhe akualisht jemi në prag të draftimit dhe propozimeve konkrete ligjore për realizimin e saj.
Si Ministër i Drejtësisë, por njëkohësisht si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me marrjen e detyrës kam mirëpritur çdo sugjerim në drejtim të përmirësimit të sistemit të drejtësisë në tërësi.
Kemi studiuar më vëmendje të gjitha raportet apo progres raportet e partnerëve ndërkombëtare, por njëkohësisht i jemi drejtuar për mendim të specializuar, Komisionit të Venecias dhe Misionit Euralius 4, mbi mënyrën se si ky organizëm duhet të përsoset. 
Nga gjithë opinionet e specialistëve të fushës, raporteve ndërkombëtarë por dhe gjetjet tona, kemi konstatuar një sërë problematikash të trashëguara në funksionimin e këtij institucioni, problematika këto të cilat kanë lënë shteg dhe hapësira për keqfunksionimin e sistemit gjyqësor.
Në shtator të vitit 2013 ne gjetëm një sistem ku Këshilli i Lartë i Drejtësisë kishte realizuar vlerësimin e veprimtarisë profesionale dhe etike të gjithë gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit për periudhën 2005 – 2006, dhe ndërkohë që ende nuk ka përfunduar vlerësimi për vitet 2007- 2009. 
Pra vlerësimi i punës së gjyqtarëve është tërësisht jashtë kohe, ç’ka sjell pashmangshmërisht subjektivizëm në këtë proces. 
– Në shtator të vitit 2013 ne gjetëm një KLD të zhytur në konfliktin e interesit dhe që për disa vite me radhë kishte vepruar me qëllim promovimin e anëtarëve të saj në kundërshtim me ligjin për konferencën gjyqësore. 
Për shkak të këtij konflikti të interesit, KLD nuk mundi të kryente detyrat e saj funksionale që ligji i ngarkonte. 
– Në konstatuam se rreth 16 studentët që kishin mbaruar shkollën e magjistraturës, nuk ishin emëruar edhe pse ka pasur vende të lira, ndërkohë që kjo trupë magjistratësh të pa emëruar, paguheshin nga buxheti i shtetit;
– Por edhe sot që flasim, Magjistratët e diplomuar në qershor 2014, nuk janë emëruar ende ;
– Në shtator të vitit 2013, rreth 23 kryetarë të gjykatave nga 29 gjykata të shkallës së parë, ushtronin detyrën në kundërshtim me vet vendimin e miratuar nga KLD, pasi prej 4, 5, apo dhe 6 vitesh qëndronin të komanduar në krye të tyre. 
Mos emërimi i kryetarëve të gjykatave dhe mbajtja e tyre të komanduar për vite të tëra kishte krijuar një situatë pasigurie dhe papërgjegjshmërie. 
– Nuk kanë qenë të pakta rastet kur në mungesë të një sistemi efektiv të vlerësimit të gjyqtarëve, kjo gjë ka ndikuar në promovimet e tyre në kundërshtim me ligjin;
– Vendimet për karrierën e gjyqtarëve nuk janë transparente dhe nuk merren në bazë të vlerësimeve, meritës apo kriterere të tjera objektive. 
 Këshilli ka diskrecion të gjerë në lidhje me emërimet, promovimin dhe transferimet.
 Vendimet e Këshillit nuk janë gjithmonë të arsyetuara, fakte këto të cituara edhe në Progres raportin për Shqipërinë i vitit 2013.
 Kriteret mbi të cilat Këshilli vendos për të vendosur sanksione ndaj gjyqtarëve nuk janë të qarta. 
Nisur nga gjendja aspak e mirë e konstatuar, vitin e kaluar ne realizuam disa ndërhyrje në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me qëllim frenimin e sëmundjes së vazhdueshme të keqfuksionimit dhe ndërprejes së avancimit të saj. 
Këto ndryshime synuan më së shumti të normojnë veprimtarinë e KLD lidhur me;
– Përcaktimin e rregullave të qarta të kohëzgjatjes së mandatit të Kryetarëve të Gjykatës, si dhe plotësimit të vëndit vakant, në rast të përfundimit të mandatit;
– Përcaktimin e rasteve të zgjidhjes së gjëndjes së konfliktit interesit, duke garantuar kështu me ligj që anëtarët e KLD përgjatë mandatit të tyre, por dhe 1-vit pas mbarimit të tij, të mos promovohen;
– Përcaktimin e rregullave që normojnë veprimtarinë e KLD-së në funksion të transparencës së këtij organi, duke garantuar jo vetëm mbajtjen, por dhe publikimin e procesverbaleve mbas çdo mbledhje të KLD-së;
– Përshtajen e ligjit të organizimit dhe funksionimin e ligjit të KLD-së, me ndryshimet Kushtetuese dhe Kodit të Procedurës Penale, lidhur me kufizimin e imunitetit të Gjyqtarëve;
– Si dhe përcaktimin e një rregulli detyrues së në rastet kur një Gjyqtar merret ne cilësinë e të pandehurit, duhet që KLD të vendosë pezullimin e ushtrimit të detyrës; 
Këto ndryshime, në thelb, ishin transpozim i dispozitave të akteve nënligjore që vetë KLD-ja kishte miratuar me vendimet e saj, por faktikisht të pazbatuara. 
Sigurisht që këto ndryshime të nevojshme dhe imediate nuk ishin reforma e kërkuar, pasi KLD si institucion kryesor i menaxhimit të funksionimit të sistemit gjyqësor 
është pjesë e axhendës së reformimit të thellë, reformë kjo e cila mund të kërkojë dhe ndryshime kushtetuese, ku mund të jetë vendi për të rivlerësuar;
• pjesëmarrjen në këtë organizëm të Presidentit të Republikës si Kryetar i KLD-së dhe duke ja kaluar këto kompetenca Kryetarit të Gjykatës së Lartë,
• Vlerësimin e mundësisë që Ministri i Drejtësisë të mos jetë anëtar i KLD;
• Rolin e Inspektoritatit të Ministrisë së Drejtësisë ,
• apo funksioneve që këto institucione duhet të kenë brenda këtij këshilli. 
Në gjendjen aktuale, reformimi i plotë dhe i thellë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është domosdoshmëri dhe ky proces synon nga njëra anë ruajtjen e pavarësisë së këtij organizmi, por nga ana tjetër evitimin e emërimit dhe të promovimit në karrierë të gjyqtarëve në bazë të sistemit koorporatist, nepotik e klientelist. 
E kam theksuar dhe e ritheksoj se Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të jetë i ndarë nga politika .Në këtë organ duhet të zgjidhen jo gjyqtarët që synojnë promovimin e tyre, por njerëz me një karrierë të realizuar dhe që u intereson më shumë gjyqësori se sa përfitimet personale.
Shqipëria si një vend i cili ka zgjedhur të orientohet drejt realizimit të një axhende Europiane, sëbashku me partnerët ndërkombëtar po punon drejt përafrimittë praktikave më të mira. 
Çdo lloj nisme për reformimin e KLD dhe më pas funksionimi i këtij institucioni të ketë si qëllim konsolidimin e pavarësisë, paanësisë, përgjegjshmërisë, profesionalizmit dhe transparencës së sistemit gjyqësor, gjë e cila për ne janë shtylla kryesore të mirëfunksionimit të shtetit të së drejtës dhe ajo që është më e rëndësishmja, të sjellë rezultatet pritshme për qytetarët,dhe të mbështetura nga partnerët tanë.
Në lidhje me partnerët tanë, gjej rastin të falenderoj për bashkëpunimin e frytshëm që kemi patur deri më tani me Komisionin e Venecias, Misionin Euralius 4, USAID etj dhe nga kjo tryezë shpreh sërish gadishmërinë time si Ministër i Drejtësisë, për bashkëpunimin me të gjithë partnerët e rëndësishëm që na asistojnë, duke i siguruar ata se çdo hap që Ministria e Drejtësisë do të hedhë drejt reformës, do të jetë në konsultim të ngushtë me ta. 
Pasoja e mosfunksionimit të plotë të parimit të përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe transparencës brenda vetë sistemit gjyqësor, por dhe mungesa e bazës ligjore për vënien në jetë të tyre, kanë sjellë shfaqjen e fenomeneve negative brenda sistemit, të cilat kohë pas kohe kanë bërë që perceptimi publik për këtë sistem të jetë negativ dhe të shfaqë mungesë të theksuar të besimit. 
Rastet e dy gjyqtarëve të dënuar për korrupsion, janë një tregues i qartë i kësaj gjendje, por sigurisht që këto raste janë shumë pak, në krahasim me perceptimin e publikut dhe konstatimet e ILDKP.
Ky institucion me punën dhe verifikimet e tij, i ka nxjerrë disa gjyqtarë lakuriq me pasuritë e tyre me mijëra, qindra dhe miliona euro, përpara opinionit public, partnerëve ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë 
Si Ministër i Drejtësisë kam marrë të gjitha veprimet e mundshme, dhe kam kërkuar mbështetjen e KLD-së, me qëllim distancimin e këtij organi nga gjendja e konfliktit të interesit, duke kërkuar njëkohësisht që jo vetëm KLD por gjithë institucionet, të rrisin bashkëpunimin e tyre, me qëllim ashpërsimin e qëndrimit përkundrejt fenomeneve negative në gjyqësor dhe intesifikimin e luftës ndaj korrupsionit.
Për këto arsye që ne i vlerësuam thelbësore, vendosëm që për realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë, pakti duhej të ishte sa më i gjerë dhe iniciativat kyçe të kësaj reforme të udhëhiqeshin nga një Komision i Posaçëm Parlamentar në Kuvend, ku pjesë në këtë proces të ishin të gjitha palët politike.
Gjej rastin që në këtë moment kyç të ecurisë së reformës, të ripërsërisë edhe një herë ftesën drejtuar opozitës që të zërë vendin që i takon si pjesë e këtij komisionit dhe të japë kontributin e saj, për të garantuar kështu përfshirjen e saj në proces, por dhe për të garantuar se kjo reform do të jetë afatgjatë.
Deri më tani pranë Komisionit të Posacëm në Kuvend janë administruar dhe vlerësuar të gjitha opinionet e vyera të përcjella nga ekspertët vendas dhe të huaj, por dhe ato të Komisionit të Venecias, misionit EURALIUS 4, PAMECA, USAID.
Nuk kanë munguar deri më tani konsultimet e shumta me aktorë të sistemit të drejtësisë, ku gjej rastin të inkurajoj komunitetit e gjyqtarëve si në angazhimin e tyre me pjesëmarrje të drejtëpërdrejtë ashtu dhe nëpërmjet unioneve dhe shoqatave, që me opinionet e tyre kanë dhënë kontribut të rëndësishëm.
Si Ministër i Drejtësisë nuk kam patur dhe nuk do të kem asnjë axhendë personale për gjyqtarë të veçantë, prandaj mbështesë dhe inkurajoj çdo bashkëpunim me trupën gjyqësore dhe KLD, duke i kërkuar atyre të mos jenë refraktar, pasi reforma nuk ka qëllim në vetvete për të anatemuar emra të gjyqtarëve të caktuar, por synon të përmirësojë shërbimin që duhet ofruar ndaj qytetarëve, si dhe të përmirësojë perceptimin e publikut dhe ndërkombëtarëve. 
Sistemit tonë nuk i mungojnë gjyqtarët apo prokurorët me integritet moral dhe profesional.
Nga viti 2000 deri më sot rreth 150 Gjyqtar dhe 150 Prokuror janë futur në sistem nëpërmjet Shkollës së Magjistraturës dhe tashmë janë integruar me pjesën tjetër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ç’ka është një histori suksesi për vëndin tonë.
Në një nga vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian disa qytetarë, të ardhur nga një prej vendeve të Europës Juglindore, i kërkonin avokatit të tyre që përveç tarifës së shërbimit të paguanin edhe ‘tarifa’ të tjera shtesë për të fituar procesin e tyre gjyqësor. 
Avokati i tyre nuk e pranoi këtë kërkesë, duke shpjeguar se në këtë vend gjyqtari, në asnjë rast nuk mund të blihej. Duke menduar për një zgjidhje tjetër, ata e pyetën avokatin se a mund të përdornin ndonjë politikan për të ndikuar në vendimarrje. Avokati qetësisht dhe i sigurt u përgjigjet:
“Asnjë politikan i këtij vendi, qoftë edhe Presidenti i Republikës, nuk guxon dhe nuk mund të ndikojë në vendimarrjen e gjyqtarit”.
Edhe pse nuk paguan dhe nuk përdorën ndërhyrjen e politikës në procesin e tyre gjyqësor, duke mos e besuar, ata e fituan gjyqin, pasi në vendin e tyre ndodhte ndryshe.
Citova këtë shembull nga praktika më e mirë Europiane, për të sjellë në vëmendje edhe një herë se maxhoranca ka pikërisht këtë qasje, për ta kthyer sistemin gjyqësor në shërbëtor të së drejtës dhe për këtë bashkarisht na duhet të gjejmë rrugët dhe mënyrat që pjesa më e shëndoshë e gjyqëtarëve dhe prokurorëve të evidentohet ashtu siç e meritojnë, me qëllim promovimin e këtyre elementëve të sistemit. 
Kjo kërkon që sistemi i karrierës dhe i promovimit të ngrihet mbi bazë kriteresh objektive.
Që në ditët e para si Ministër i Drejtësisë, kam evidentuar nevojën për një sistem krejtësisht të ndryshëm të sistemit të vlerësimit të gjyqtarëve, duke u bazuar në vetëvlerësim, por të konfirmuar nga drejtuesit e gjykatave ku ata ushtrojnë detyrën. 
Ashtu sikurse citova më sipër, sistemi aktual i vlerësimit të gjyqtarëve, ka dështuar. 
Për këto arsye Ministria e Drejtësisë sëbashku me kontributin e Misionit Euralius 4,KLD dhe Inspektoratit të tij,si dhe të disa gjyqtarëve hartuan dhe morën mendimet e grupeve të interesit për projektligjin “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtareve”, projektligj ky i cili është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe pret futjen në kalendarin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë.
Nëpërmjet këtij projektligji synohet që gjyqtarët të kenë rol aktiv në proces bazuar në vetvlerësim, dhe më pas verifikim nga ana e organizmit të duhur. 
Organizimi i një sistemi të qartë dhe të matshëm periodik të vlerësimit profesional të gjyqtarëve, dhe sanksionimi i kritereve objektive për rekrutimin, avancimin në karrierë dhe transferimin e gjyqtarëve, forcimin e sistemit të inspektimit dhe ndëshkimit disiplinor si dhe bërja transparente e funksionimit e KLD-së; duke vënë theksin tek ; profesionalizmi, integriteti, ndershmëria dhe përvoja në detyrë, do ta nxjerrë Këshillin e Lartë të Drejtësisë nga rrethi vicioz i konfliktit të interesit dhe i subjektivizmit.
Ky sistem i ri vlerësimi që tashmë është në fazën e diskutimit përfundimtar dhe miratimit në Kuvend,i shoqëruar me ndërhyjet ligjore që po përgatiten për reformimin e thellë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dhe institucioneve të tjera të së drejtës, do të fusë në shinat e duhura funksionimin e këtij institucioni me qëllim që roli kryesor i tij të jetë: “Garantimi i Pavarësisë dhe i Përgjegjshmërisë së Sistemit Gjyqësor”, shtylla kryesore këto të funksionimit të tij.
Jam i bindur se për këtë qëllim do të kemi mbështetjen e aktorëve të sistemit të drejtësisë, opozitës, shoqërinë civile, partnerët tanë ndërkombëtarë si: Komisioni Evropian, OSBE, Komisioni i Venecias, EURALIUS, OPDAT, USAID, PAMEKA, dhe gjithë projektet e tjera, që mbështetin reformën në sistemin e drejtësisë.
Si Ministër i Drejtësisë, shpreh gadishmërinë për të mos përjashtuar askënd nga bashkëpunimi, në mënyrë që kjo reformë me rëndësi kombëtare që ka nisur, të formalizohet, të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në funksion të së mirës publike me qëllim realizimin e synimit të përbashkët për një shtet të së drejtës, që vepron në interes të qytetarëve të tij.
Qëllimi ynë nëpërmjet kësaj reforme është ndryshimi i zakoneve të këqija të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, dhe jo zëvendësimi i zemrave të tyre.
Jam mëse i sigurtë që nëpërmjet kësaj konference dhe eksperiencat që secili nga shtetet do të evidentojë nga praktika e vendit të tij, do të na shërbejnë për reformimin e nisur të sistemit të drejtesisë dhe të KLD-së në vecanti, si hallka bazë për një gjyqësor të pavarur dhe të përgjegjshëm.
Duke i uruar edhe një herë punime të mbara kësaj konference jam i sigurtë se nga ky takim përfituesit do të jemi ne! 
Sigal