Naço kërkesë KiE dhe ShBA: Më jepni informacion për shqiptarët e dënuar

44
Ministria e Drejtësisë i kërkon institucioneve homologeve të vendeve të Këshillit të Europës ti vënë në dispozicion informacionin lidhur me rekordet penale të të gjithë shtetasve shqiptarë që kanë qenë objekt i shqyrtimit apo i regjistrimit në zyrën e gjendjes gjyqësore të këtyre shteteve.
Përmes një njoftimi për mediat, Ministria bën me dije se kreu i këtij institucioni Nasip Naço “i është drejtuar zyrtarisht ditën e sotme Ministrive të Drejtësisë dhe trupit diplomatik të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, me një kërkesë për vënien në dispozicion të informacionit që disponohet lidhur me rekordet penale të të gjithë shtetasve shqiptarë që kanë qenë objekt i shqyrtimit apo i regjistrimit në zyrën e gjendjes gjyqësore të këtyre shteteve”.
Ministria thekson se ky hap hidhet në mbështetje të procesit të ndërmarrë për dekriminalizimin dhe mirëfunksionimin e institucioneve shtetërore si Kuvendi, organet e qeverisjes vendore, institucionet kushtetuese, administrata publike etj.
Në këtë kuadër, asistencë i është kërkuar edhe Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ministri Naço shpreh vendosmërinë e institucionit që ai drejton për të siguruar suksesin e realizimit në praktikë të kësaj nisme të Qeverisë Shqiptare, duke vlerësuar se informacioni që do të sigurohet do t’i shërbejë përmirësimit të sistemit për mbajtjen e rekordeve penale, përditësimit dhe mbrojtjes së këtyre të dhënave, si dhe rritjes të besimit të publikut, në veprimtarinë e organeve të shtetërore, institucioneve të pavarura apo të administratës publike.
“Konkretisht marrja e këtij informacioni do të mundësojë krijimin dhe përmirësimin e një baze të dhënash të përditësuara, ku do të jenë të evidentuar të gjithë shtetasit shqiptar që janë proceduar apo janë gjykuar në shtetet respektive për çështje të ndryshme penale apo administrative” thuhet në njoftim.
Kjo iniciativë e Ministrisë së Drejtësisë bazohet në nenin 22 të “Konventës Europiane për Ndihmë të Ndërsjelltë Juridike në Çështjet Penale” dhe do t’i shërbejë implementimit në praktikë të ligjit “Për legjitimitetin e personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Gjithashtu Ministria e Drejtësisë po analizon situatën aktuale, si dhe ka ndërmarrë nismën për dixhitalizimin e Zyrës së Gjendjes Gjyqësore për të dënuarit brenda vendit, po kështu edhe për të dhënat e administruara prej vitesh, të cilat ndodhen në Arkivën e Ministrisë së Drejtësisë.