Naço: Investime të rëndësishme në Kuçovë në 4 vitet e ardhshme

143
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka prezantuar në qytetin e Kuçovës emrat e këshilltarëve të LSI-së për Këshillin Bashkiak. Pas prezantimit të listës me emrat e 31 këshilltarëve të kësaj partie, Naço, duke deklaruar arritjet e qeverisë në realizimin e reformave të rëndësishme, siç ka qënë reforma territoriale është shprehur se, fitorja e kandidatit të majtë për këtë bashki, Selfo Kapllani, do të sjellë investime të rëndësishme në këtë qytet.
Sipas tij do bëhen investime në sektorin e naftës, për ta shndërruar këtë në një sektor me kapacitet të plotë, pasi në këtë mënyrë do të ketë më shumë vende të reja pune dhe më shumë mirëqënie për qytetarët e Kuçovës. Naço ka premtuar nga Kuçova se së shpejti do të fillojë ndërtimi i rrugës nacionale Urë Vajgurore-Kuçovë, do të rikonstruktohen kopshte e çerdhe si dhe do të investohet në sektorin bujqësor.
Ndërsa, Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Selfo Kapllani, ka premtuar para qytetarëve të Kuçovës më shumë investime në 4-vitet e ardhshme në të gjithë sektorët jetikë, pasi, siç u shpreh ai, do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë për realizimin e të gjitha projekteve që parashikon programi i tij për këtë qytet.