Naço, apel Kryeministrit: Bëjeni prioritet aksin kombëtar Berat-Lushnjë!

484
Sigal

Nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço, me interpelancën që kërkon, i drejton apel Kyeministrit, duke e kushtëzuar votën për buxhetin e 2013-s.

Gazeta “Telegraf” në numrin e pardjeshëm, bëri fjalë për katandinë e aksit kombëtar Berat-Lushnjë, e cila është lënë në harresë nga qeveria, deri në atë shkallë, sa rruga është bërë e pakalueshme, aq sa, para disa kohësh, turistët gjermanë, që donin të vizitonin qytetin muze të Beratit, u kthyen mbrapsh, ngaqë  rruga  është e tëra,e mbushur  nga gropat e thella në gjithë gjatësinë  e saj, thua se  është  e bombarduar me murtaja. Deputeti i Qarkut të Beratit, Nasip Naço, po pardje, i ngacmuar edhe nga shkrimi i “Telegraf”, i kërkoi interpelancë  në Kuvend, ministrit të Transporteve, zotit Olldashi për aksin kombëtar Berat- Lushnjë. Zoti Naço, në intervistën për “Telegraf”, pohon, se nëpërmjet interpelancës që i kërkoi ministrit të Transporteve në Kuvend, i drejton apel vetë Kryeministrit Berisha, duke i kërkuar që t’i jepet përparësi kryesore ndërtimit të aksit kombëtar Berat- Lushnjë, meqë është kohëhartimi i buxhetit 2013-të dhe të sigurohet fondi i nevojshëm që aksi kombëtar Berat-Lushnjë të përfundojë brenda 2013-s.

– Zoti Naço, ju kërkuan një interpelancë me ministrin e Transporteve, zotin Olldashi në Kuvend për aksin kombëtar Berat- Lushnjë. Mund të na pohoni më shumë?

– Është vërtetë shqetësuese gjendja e rrugëve Berat -Lushnjë, Berat- Fier, Berat- Skrapar, Skrapar-Përmet, të cilat lidhin midis tyre shumë rrethe. E vërteta është se janë bërë shumë investime në ndërtimin e infrastrukturës së rrugëve, por këto investime janë bërë në rrugët e dyta, në ato që lidhin qytetin me komunat dhe nuk janë bërë investime në aksin kombëtar.

– Mund të na pohoni, konkretisht, në cilat rrugë të dyta janë bërë investimet që ju pohoni?

– Janë ndërtuar e asfaltuar rrugët Kuçovë-Kozanë, Berat- Reshnij, Velabisht- Veterik, Lisi i Buzuqit- Çorovodë, Çorovodë-Ambull, Lisi i Buziqit- Verndreshë, Çorovodë- Verdreshë. Pra, në këto tre vitet e fundit janë bërë investime të mëdha në infrastrukturën e rrugëve,  me kontributin e FSHZH-së, por këto investime kanë qenë në rrugët e dyta, që lidhin qytetet me komunat dhe jo në aksin kryesor. Kjo është mangësia, e cila më detyroi që të kërkojë edhe interpelancën në Kuvend me vetë ministrin e Transporteve.

– Zoti Naço, keni tre vjet që jeni në maxhorancë. Përse, pikërisht, tani kërkoni interpelancë? Mos vallë, ngaqë në sfond janë edhe zgjedhjet parlamentare të 2013-s?

–  Unë jam i drejtpërdrejtë. Interpelanca ime nuk ka të bëjë me fushatën elektorale, sepse siç ju përmenda, investime në infrastrukturën e rrugëve janë bërë, por ato janë bërë në periferi. Ndaj unë i kërkoj ministrit të Transporteve që t’i japë prioritet aksit kombëtar Berat-Lushnjë, Berat-Fier, Berat-Skrapar,  Skrapar- Përmet. Bashkë me deputetët Pollo, Maliqi, Xheka i kemi kërkuar me forcë ministrit të Transporteve që t’u japë përparësi që këto akse kombëtare të jenë prioritare. Është premtuar disa herë nga vetë ministri i Transporteve dhe Kryeministri që aksi Berat- Lushnjë të përfundojë brenda 2013-s.

– Përse jeni kaq optimistë?

– Ne kemi akoma kohë, jemi në prag të kohëhartimit të buxhetit të 2013-s, që këto rrugë kryesore të jenë kryefjala e investimeve për qarkun e Beratit. Premtimet tona nuk janë boshe në Twitter e Facebook. Kërkesa jonë është publike, drejtuar ministrit të Transporteve në Kuvend, pasi e kemi konsumuar kërkesën edhe në ministri, edhe në Kryeministri.

– Katandia e akseve kombëtare që lidhin qytetin e Beratit, Skraparit, e Jugun në përgjithësi, janë lidhur  edhe me kritikën, që qeveria me qëllim i lë  rrugët e Jugut në këtë gjendje, si një dënim politik ndaj elektoratit të majtë.

– Unë nuk hyj në ata politikanë dashakeqës që investojnë në ndasitë e Jugut me Veriun, por mund të them me shifra, që qarku i Beratit ka marrë investime më shumë sesa Shkodra, edhe pse qarku i Shkodrës ka popullsi më të madhe. Por, nga ana tjetër, kritika është e drejtë në atë që duhet të ishte bërë më shumë se kaq, sa është bërë. Sidomos, në infrastrukturën e akseve kombëtare, pasi kjo zonë ka shumë nevojë, e veç të tjerash, edhe për shkak se Berati është një qytet muze dhe vizitohet nga më shumë se 100.000 turistë çdo vit. Ju përmenda që në akset kombëtare që lidhin qytetin e Beratit, do të hapen tenderat, do të investohet e rrugët do të asfaltohen.

– Duke qenë se një pjesë e aksit kombëtar, nga Patosi në Kutallë, nga Lushnja në Fier-Shegan, është asfaltuar rruga, por ka ngecë. Dikush e lidh këtë me përkujdesin e deputetit të zonës.

– Absolutisht, nuk është e vërtetë, kjo që ju thoni. Unë, si deputeti i qarkut, së bashku me të tjerët, kemi kërkuar që të përmirësohet infrastruktura. E rëndësishme është që janë bërë kilometrat e para, por më e rëndësishmja është që të bëhen edhe kilometrat e tjera, deri në përfundimin e plotë.

– Duke qenë se ju jeni pjesë e maxhorancës, sa e sinqertë është interpelanca juaj?

– Unë kam dalë deputet në Qarkun e Beratit me LSI-në dhe sigurisht kemi detyrime ndaj votuesve. Ne jemi pjesë e qeverisjes, por jo qeverisja.Paradisa ditësh kemi kërkuar ndjesë elektoratit, që nuk kemi bërë kaq sa duhet, edhe pse kemi investuar, por këto investime nuk janë bërë në akset kryesore kombëtare të rrugëve. Ndaj, kërkoj, që, meqë jemi në kohëhartimin e buxhetit të 2013-s, të planifikohen investimet për infrastrukturën e akseve kombëtare të rrugëve që lidhin Beratin. Nëpërmjet kësaj interpelance kërkoj të sensibilizoj opinionin publik, maxhorancën, ministrin e Transporteve dhe i bëj apel Kryeministrit që t’i japë prioritet akseve kombëtare të rrugëve që lidhin qytetin muze të Beratit me gjithë Shqipërinë.

– Faleminderit!