‘Na duket sikur zgjedhjet ishin në Danimarkë’/ Meta: S’e prisja që Vetëvendosje të dilte forcë e parë në Kosovë

428
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë një takimi me studentët e ekselencës në UET, deklaroi se lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka potencial intelektual.

Meta tha se s’ka besuar se Vetëvendosje do të arrinte të dilte forcë e parë dhe aq më tepër kur kësaj partie iu shkëput edhe një pjesë e deputetëve, por edhe kryetari i bashkisë së Prishtinës.

Presidenti deklaroi se fakti që i mbijetoi edhe kësaj goditjeje ka qenë rezultat i personalitetit të tij politik.

Sipas kreut të shtetit, e ardhmja nuk do të jetë e thjeshtë, pasi të qeverisësh dhe të bësh opozitë është diçka krejt tjetër.  Nuk duhet harruar, tha ai, se kur je në qeverisje presionet nga faktorë të ndryshëm janë të shumëanëshme.

“Na duket sikur zgjedhjet në Kosovë ishin zgjedhje në Danimarkë. Jo se Shqipëria nuk numëron dot votat kaq shpejt, por lidershipi politik këtu ua ka bërë të vështirë mundësinë për të numëruar shpejt. Ka disa veçanti atje, por i mirë është edhe sistemi elektoral. E kanë me lista të hapura. Voton për partinë, por edhe për kandidatin. Ka meritë sistemi sepse qytetari jep mendim për deputetin dhe i vendos partitë nën presion për të vendosur njerëz sa më të mirë. Drama jonë fillon më 2008. Këtu te ne gjithë sistemi është i mbyllur. Këtu deputetët janë thjesht vartës të eprorit. Kjo ka goditur në thelb dhe në zemër demokracinë parlamentare të Shqipërisë. Këtu dhe strukturat ligj-zbatuese nuk kanë funksionuar, sepse në Kosovë kishte arrestime, ndërhyri Prokuroria”, u shpreh ndër të tjera Meta.