Myslim Pashaj: ” Të çmontojmë kapjen e shtetit nga interesat korruptive të qarqeve anti-shqiptare”

462
Sigal

Aleanca KuqeZi denoncon sjelljen agresive të shtetit dhe qeverisë së Greqisë ndaj qytetarëve të Shqipërisë. Kjo sjellje e përsëritur meriton një përgjigje të fortë të shtetit shqiptar në mbrojtje të dinjitetit të shtetasve të tij. Për fatin e keq të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kjo qeveri dhe kryeministri   i Republikës së Kapur dhe të korruptuar  mban gojën e mbyllur dhe tërhiqet zvarrë, bën  gara dhe not me vetveten dhe të harron  diskriminimin që shqiptarëve u bëhet në kufirin grek, ndaj integritetit mëvetësor  dhe krenarisë sonë kombëtare. Greqia gjithherë ka dashur që të diktojë dhe të ndërhyjë në punët e Shqipërisë, me synimet e saj, ashtu si ka bëre me mbajtjen ende si një relikt tragjik të konfliktit:  Ligjin e Luftës ndaj Shqipërisë, ashtu sikundër ka lënë të gjallojë ideja e Vorio Epirit, të financimit të dyshimtë ekonomik në fushatën e para CENSUSI-t, ndërtimeve të kultit si dhe shkollave greke, në vendosjen e varrezave të ushtarëve të rënë etj.. Ndërkaq, Çamëria shqiptare, është zemërimi dhe trazimi më antishqiptar i Greqisë fqinje, e cila nuk e ka ndalur persekutimin e dikurshëm dhe gjenocidin, gjer më sot, ndaj tmerrohen nga çdo emër çam që hyn në kufi. Iu mohohen  të drejtat e popullsisë  çame pasi e dinë  se këtë gjë, më së pari e ka bërë vetë qeveria shqiptare,  që nuk guxon ta ngrejë këtë çështje në nivel prioritetesh diskutimi ndërshtetëror ndaj çdo studiuesi e çdo gazetari që kërkon të hulumtojë e të thotë këto të vërteta tragjike. Ato segmente të qeverisë dhe shtetit grek që poshtërojnë shqiptarët e bëjnë këtë pasi e dinë se kanë një vasal të tyre në krye të qeverisë së Shqipërisë. Kjo nuk është një sjellje e komunikimit të ndërsjellët midis dy vendeve të Evropës. Çamëria është një problem i pazgjidhur, njohja dhe kthimi i pronave të tyre përbën një kusht themelor human  të të drejtave të njeriut dhe ajo nuk ka pse të kërcënojë Sigurinë Kombëtare të Greqisë. Po kësisoj edhe pakti  i Ndarjes së Detit në Otranto e Korfuz, i  rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, është sot një armë  tjetër që iua dha në dorë Greqisë, Sali Berisha, ndaj ata siç u deklarua,  në jo më shumë se dy muaj më parë nga Ministri i Jashtëm Avramopullos, se Greqia e ka tanimë një marrëveshje të vitit 2009 dhe ajo do të zbatohet. Deputetët grekë hyjnë në territorin shqiptar dhe kërcënojnë me ndarje territoresh pasi e dinë se këllqet e qeverisë shqiptare janë të leqendisura nga interesat korruptive. Jemi përballë njëri-tjetrit dy kombe të lashtë, iliro-shqiptar dhe helen, të cilët kanë mbijetuar në historitë e tyre ndër shekuj dhe ne sot duhet të integrohemi në Europë, të barabartë në bazë të standardit ndërkombëtar të reciprocitetit. Aleanca Kuq e Zi beson tek miqësia midis fqinjëve, por kurrë me këtë kosto të nëpërkëmbjes së shqiptarëve dhe interesave të tyre. Por jo për shumë kohë. Edhe për pak muaj dhe populli shqiptar do vendosë dinjitetin e tij në vend, duke larguar së pari këtë Kryeministër dhe qeverinë e tij të ndotur nga korrupsioni. Edhe pak muaj për të çmontuar kapjen e shtetit nga interesat korruptive të qarqeve anti-shqiptare. Aleanca Kuq e Zi është e bindur se janë orët e dunit të keqqeverisjes Berisha.