Myslim Pashaj: “Imuniteti është një lojë e politikës së kënetës politike”

455
Sigal

INTERVISTA/ Myslim Pashaj: “Dosjet penale  ndaj politikanëve të korruptuar, sfidë historike për  e ardhmërinë e Shqipërisë”

Zoti Myslim Pashaj, në intervistën për “Telegraf”, shpjegon nismën e re të AK-së për dosjen penale ndaj politikanëve të korruptuar. Si nismëtari i denoncimit në Gjykatën Kushtetuese të marrëveshjes detare Shqipëri-Greqi, zoti Pashaj, pohon se, ajo marrëveshje është “nul”, për qeverinë shqiptare, por pala greke nuk e pranon, ndaj qeveria jonë i fshihet një të ardhmeje të një Pakti të ri Detar.

– Zoti Pashaj, qeveria shqiptare do të rinegociojë me qeverinë greke për kufijtë detarë. Çfarë përmbajtje mund të kenë këto negociata dhe a mund të rishikohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në këto negociata?

– Kështu është thënë, por ne nuk mund të besojmë, pasi, qeveria i fshihet edhe së ardhmes së një Pakti të ri Detar, prej brerjes së ndërgjegjes së veprës së parë, e cila është tanimë e rrëzuar dhe prej vasalitetit, tashmë të njohur. Kush tha se do të rinegociohet, kur ende nuk janë caktuar grupet e punës dhe nuk është adresuar problemi (sipas Ministrit Panariti)? E kuptoni se nuk kanë se çfarë të adresojnë, por vijnë vërdallë në një situatë shumë të rëndë diplomatike, midis të dy vendeve që është shkaktuar nga vet qeveria jonë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bën “nul’ Marrëveshjen e parë, por vetën në krahun tonë. Pala tjetër nuk mund ta pranojë këtë version.

– Mundet që një kompani private, sikurse “ALBPETROL” të ketë  të drejta sovrane të pasurisë kombëtare të naftës?

– Privatizimet që vijojnë, kanë të bëjnë me pasuritë themelorë, burimet natyrore   të këtij kombi, mbi të cilat është ndërtuar jeta e shqiptarëve. Ky privatizim është një tragjedi, të cilën qeveria shqiptare po e thur me mendjen diabolike dhe me veprën e saj antikombëtare. Nuk mund të shitet ky shtrat i jetës së Dheut Kontinental të Kombit. Ai për një kohë mund të çohet me koncesion, por jo të shitet. Kjo është qeveria e republikës së shitur. Përmasa e kësaj që po ndodh, me shtresat naftëmbajtëse  të Shqipërisë, nuk është gjë tjetër, veçse humbja e integritetit dhe e mëvetësisë së Shqipërisë. Shqipëria po përfshihet në një projekt të humbjes së madhe.

 – Ministri i Jashtëm, zoti Panariti, nga Brukseli, na “zbuloi” se reforma e imunitetit nuk është kusht i12 prioritetet të BE.

–  Ju e vini re, se nuk ka përkim të mendimeve dhe opinioneve të vet qeverisë, nuk ka një emërues të përbashkët ndaj opinionit, sepse asnjëherë nuk ka dhe nuk ka pasur transparencë, çka është një fyerje dhe poshtërim i rëndë për shqiptarët. Statusi “kandidat” që është kthyer në një legjendë të sotme, është synim dhe ardhmëri, por imuniteti për të cilin flitet aq shumë s’është një formalizëm, ai ka lidhje me një sërë bazamentesh që po hidhen në reformat shqiptare dhe korrupsioni me të vërtetë është ai që ka hedhur metastazat në gjithë qelizat e jetës së sotme. Imuniteti nuk e zbulon barin shërues të korrupsionit , ai nuk ka qenë pengesë askurrë, se dihet që disa ministra, ndër ta dhe Mediu e Meta, e kanë dorëzuar atë dhe më vonë kanë të dalë të “larë” . “Të larë prej drejtësisë së kapur dhe më pas, të larë me flori që është një metaforë e dëshpërimit të madh. Imuniteti është një lojë e politikës së kënetës politike.

 – Apo PD-PS, tensionojnë ngërçin politik të imunitetit, për diçka tjetër?

– E vërtetë. Të dy krahët polarë e tensionojnë situatën dhe krijojnë ngërçin, jo për të sjellë qartësim dhe orientim të ri, por përkundër, për të vijuar greminën e midis të dy palëve, që e kanë prurë shoqërinë e krijojnë shfaqje dhe spektakle, aq sa erdhi puna që Rama i PS-së më së  fundi tha se do të votojë  Imunitetin në Kuvend pa asnjë kusht(!)

 – Nisma e AK-së, për hapjen e dosjeve penale ndaj politikanëve është një risi politike në Shqipëri. Cilat do të jenë hapat e mëtejshme, të kësaj nisme?

– Ne do t’i përgatisim dosjet ashtu sikundër kemi deklaruar. E dimë se është e vështirë. Risia politike e jona nuk është një deklaratë mashtruese, por një vepër kundër padrejtësive të mëdha, shkatërrimit të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare, krijimit të një mendësia të regjimit dhe shtypjes, dhe futjes së kthetrave të oligarkisë ekonomike. Ne e dimë se Drejtësia është e kapur, se politika hesht, bën sikur s’dëgjon, mbasi modeli qeverisës dhe filozofia e ndërtimit të shtetit demokratik nuk është gjë tjetër, veçse autokratizëm. Dosjet penale janë sfidë historike, që Shqipëria do të shohë në përpjekjet e saj për ardhmërinë. Ato do të jenë dëshmi të kohës dhe të mospajtimit tonë me krimin dhe padrejtësinë e pa ndëshkuar. Si mund të harrohet Viti i mbrapshtë ’97, Gërdeci, 21 janari, shitja e pasurive natyrore të Shqipërisë, Pakti detar cenimit të Mëvetësisë…

– Ju si e shpjegoni politikën e PS-së, e cila fillimisht mban një qëndrim, e më pas, tërhiqet tërësisht, për reformat e 12 prioriteteve, ku kërkohet konsensusi?

– Ne nuk shohim qartësi dhe orientim thelbor dhe argumentues opozitar. Ne shohim një mungesë të theksuar ndaj qëndrimit objektiv, sepse “çorba” është gatuar nga të dy palët.  Parlamenti është vendi i lojës së shëmtuar antikombëtare, ku përkimi i mendimeve dhe veprimeve nuk ka gravitet aspiratën e popullit, ku konsensusi është vetëm një term teorik, kur konflikti është real, i cili nuk të lejon që të kryesh reforma. Konsensusi duhet të jetë i natyrshëm, por ai asnjë herë nuk është i tillë këtu në politikën shqiptare. Sali Berisha që thërret dhe ulërin aq shumë dhe që është personazhi tipik i kundërshtive, mospërkimeve politike mbasi kahja e tij nuk është progresi i ardhmërisë së zhvillimit të vendit, por uzurpimi njëvetor tanimë i projektuar prej tij. Ndërkohë, opozita vijimisht çorientohet nga loja e tij diabolike, nuk është në gjendje të mbajë fillin e konsekuencës dhe kësisoj futet edhe ajo në atë lojë që e kërkon vet Berisha. Opozita e kupton se, në kurthin e rënë, janë ata vet fajtorë, ata nuk janë të sigurt në të ardhmen e tyre politike (mbasi “imuniteti” mund të shfrytëzohet keqas nga pala tjetër). Kështu që nuk kemi prioritete europiane, por prapësi shqiptare.

– Ju faleminderit!