Myfit Duriçi: Bashkë me Shqipërinë, do të rilindë edhe Bulqiza!

1447
Sigal

Bulqiza lëngon nga varfëria, papunësia, mungesa e infrastrukturës, mungesa e shërbimit  shëndetësor, me një arsim  të shkatërruar  dhe mungesë të qetësisë e sigurisë publike

Kandidati për Kryetar i Bashkisë së Bulqizës, i propozuar nga PS-ja, Myfit Duriçi është një biznesmen i suksesshëm, me arsimim juridik, me master për punët sociale. Në intervistën për “Telegraf”, zoti Duriçi pohon se ndjenja e përgjegjësisë dhe obligimi që ndjen për bashkëqytetarët e vet, dashuria e vendlindjes, e shtyn që të jetë kandidat për Kryetar i Bashkisë, për të bërë gjithçka që Bulqiza të rilindë për të mirën e banorëve të saj.

 – Zoti  Duriçi, përse  kërkoni që të jeni Kryetar i Bashkisë në Bulqizë?

– Ashtu siç më njohin  qytetarët e Bulqizës, unë  personalisht vij nga bota  e biznesit, problemet e mia  familjare e personale i kam të  rregulluara, por më dhimbset seriozisht qyteti im,  vendi ku unë  kam lindur e jam rritur. Bulqiza, fatkeqësisht, edhe pas 23 vitesh,  demokraci  renditet si një ndër  qytetet  më të varfra të  Shqipërisë, këtë gjendje  unë  dua ta ndryshoj dhe kjo nuk  është e pamundur, vetëm se në këto vite ka munguar  vullneti dhe  dëshira e  atyre  që e kanë  qeverisur për ta bërë një gjë të tillë.

– Përse  duhet që  banorët e  Bashkisë  Bulqizë  t’ju  japin  votëbesimin?

– Ashtu  siç  ju përgjigja edhe  në fillim, tek  unë  ekziston vullneti,  dëshira  për t’ja ndërruar  faqen Bulqizës, këtë    dëshirë  timen  ma njohin qytetaret e mi dhe besoj se kjo do të  jetë  edhe  arsyeja  kryesore  që   qytetarët e Bulqizës   të votojnë kandidaturën time për Kryetar të Bashkisë  Bulqizë.

Çfarë  më tepër  kanë  premtimet tuaja, në krahasim me kandidatët e  tjerë?

– Përpara  disa  viteve ish Kryetari i Bashkisë,  që sot është larguar dhe  garon për deputet si përfaqësues  i Bulqizës për PD-së, pati  dalë  me sloganin se: “Unë do ta shëroj qytetin tim”, nisur kjo edhe nga profesioni i tij si mjek. Por ai,  si kryetar i kësaj  bashkie, megjithëse kane kaluar gjithë  ato vite në qeverisjen e këtij qyteti,  jo vetëm që nuk e shëroi këtë,  por  përkundrazi, qyteti është sot edhe  më i varfër se kur  ai u ngjit  në karrigen e Kryetarit të  Bashkisë. Qyteti lëngon nga  varfëria, papunësia, mungesa e infrastrukturës, mungesa e shërbimit  shëndetësor, me një arsim  të shkatërruar  dhe mungesë të qetësisë e sigurisë publike. Të  gjitha këto    janë të përfshira për t’ju dhënë  zgjidhje  në platformën time elektorale, të  cilën  ia kam  prezantuar  dhe e kam bërë të  njohur  qytetarëve të mi  dhe ku  u kërkoj sot votën, për t’i  bërë realitet ato. Përsa i përket kandidatit të krahut  tjetër politik, të  PD-së, deri tani nuk  jam njohur  me premtimet e tij, që të bëj  krahasimin, por një gjë ju them. Partia  Demokratike e ka humbur  moralin me qytetarët e Bulqizës, pasi ata kanë  20 vjet që e votojnë këtë parti dhe përfaqësuesit e saj dhe ajo ka  20 vjet që tallet me  to. Shpresoj që ky do jetë  viti i  Rilindjes edhe për ta,  duke  votuar Partinë  Socialiste dhe kandidaturën time si përfaqësues i saj.

– Si ka  mundësi që  banorët e  qytetit e të  fshatrave përreth të kenë një nivel jetese  shumë të ulët, ndërkohë  që Bulqiza, është me  pasuri të  mëdha  nëntokësore?

– Natyrisht që konstatimi juaj është shumë i drejtë  dhe këtë nuk e bëni  vetëm ju, por e bëjnë edhe  të  huajt, që vijnë shpesh  dhe  vizitojnë Bulqizën. Përgjigja është e  thjeshtë.  Kjo vjen  nga keqmenaxhimi i kësaj pasurie, abuzimi me të. Ju  e  dini mirë  se  me ligj nga qeveria shqiptare  renta minerare e kromit  duhet që t’i kalojë  pushtetit lokal për tu investuar,  por kjo edhe për  rastet kur ka ndodhur, me  këto fonde është abuzuar dhe realiteti është ky që ju konstatoni ne pyetjen tuaj.

– Si e shpjegoni ju që, ndonëse Bulqiza ka  shumë  miniera, papunësia  është e madhe?

– Bulqiza  quhet  ndryshe edhe qyteti  i minatorëve kjo është e vërtetë, pasi baza ekonomike e ndërtimit   zhvillimit  dhe   ekzistencës së tij  ka  qenë  dhe  është miniera e  kromit. Papunësia  është e madhe për arsye   se në miniere sot  duhet të punonin  tre apo katërfishi i punëtorëve që aktualisht punojnë. Kjo për faktin se në këtë minierë nuk ka patur asnjëherë një plan serioz  për hapjen  e fronteve të reja të punës (pusi i thellësisë) dhe nuk është  investuar, por vetëm është abuzuar. Madje, kështu siç  po veprohet deri më tani, nga mungesa e  këtyre investimeve,  miniera mund të mbyllet  dhe qyteti të zhytet në një varfëri  me pasoja të mëdha për  të.

– A është  ndihmuar Bulqiza me investime që duhet të  kryhen në këto vite të qeverisjes Berisha?

– Me  letra  dhe  fjalë, shumë  para  na  serviren se janë  hedhur për  Bulqizën, por  qytetarët nuk  shohin asgjë me sy, se ku kanë  shkuar këto para. Kjo do të jetë ndoshta edhe një  ndër arsyet pse  këta  qytetarë  do të më votojnë, pasi  i kam siguruar  se  që ditën e parë të qenies time, si kryetar i kësaj  Bashkie, do  bëj transparent  çdo lek  që  është hedhë kot dhe është abuzuar, duke vënë para përgjegjësisë ligjore e penale personat që kanë abuzuar në këto vite