Mustafaj: Meta ndihmoi për transparencën, Bushati jep shenja padurimi

615
Besnik Mustafaj, ish-ministër i Jashtëm, ka vlerësuar rolin e Presidentit Ilir Meta në negociatat me Greqinë, duke theksuar se Kreu i Shtetit ka ndihmuar në rritjen e transparencës.
Mustafaj shprehet se procesi do të zgjasë pasi është një çështje jashtëzakonisht delikate.
“Ju po e shihni çfarë po i bëjnë ministrit të jashtëm grek dhe këtij tonit, se preket nacionaliteti. E dyta që e ndërlikon më shumë është se kjo marrëveshje bëhet për herë të dytë. E treta kemi përballë një interlokutor që ka të njëjtat probleme si ne dhe nxit ndezjen e emocioneve. E rëndësishme është që gjërat të bëhen mirë”, tha Mustafaj
Në studion e News 24, Mustafaj tha se Presidenti në negociata nuk ka rol ekzekutiv, ai jep vetëm autorizimin për një proces, por ai ndihmoi në rritjen e transparencës.
“Nga deklarimet e të dy palëve, PD apo LSI, pashë se kishte një tendencë për një interpretim të ndryshëm, dhe kjo nuk i bën mirë procesit.
Ne pamë sot që opozita pretendon se nuk i janë dhënë të gjitha shpjegimet e nevojshme Presidentit që ai të japë autorizimin në përputhje me Kushtetutën. Pamë dhe Kodhelin që tha çdo gjë është në përputhje me Kushtetutën”, tha Mustafaj, duke komentuar konsultimin e ndodhur në Presidencë mes Kreut të Shtetit dhe anëtarëve të Komisionit të Jashtëm në Parlament.
Mustafaj gjithashtu kritikoi ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati për temperamentin e tij, duke thënë se duhet të tregohet më i duruar përballë të tjerëve.
“Kritikat e mia për Bushatin janë për temperamentin e tij. Ai tregon se është më i ri se sa duhet për detyrën që mban.
Jep shpesh shenja padurimi. Jep shenja që nuk duhet t’i japë, besoj se i ka në temperament, se një ministri të Jashtëm nuk i lejohet kurrë të bëhet nervoz e të humbasë durimin.
Ministrat e jashtëm nuk duhet të bien në kurthin e padurimit përballë të tjerëve. Është e vetmja kritikë apo sugjerim që kam për të, pasi më duket një ministër i mirë i jashtëm”, tha Mustafaj.
Sigal