Mustafa Nano: Rama shpjegon reformën zgjedhore PD-PS,dhe flet për një “koalicion antiregjim”

655
Sigal

Në një klimë dyshimesh e kritikash lidhur me rezultatet e reformës zgjedhore, Rama u ka folur deputetëve të vet, dhe nëpërmjet tyre (në stilin e Berishës) publikut, lidhur me garancitë e shtuara në favor të një procesi elektoral normal. Vetëm dy objektiva tonat nuk u realizuan me anë të reformës, tha Rama. “Ato janë identifikimi elektronik i votuesve dhe numërimi elektronik. Dhe kjo ndodhi për arsye të skepticizmit të ekspertëve të ODIHR-it”, saktësoi ai. Më poshtë, u përpoq të hapte kartat e koalicionit të ardhshëm, por edhe këtë po e bën në një klimë qejfmbetjesh e nervozizmi në radhët e opozitës (në fakt, edhe në radhët e mazhorancës). “Tani është koha për të arsyetuar së bashku me aleatët tanë një proces bashkëpunimi dhe bashkërendimi të energjive për të dalë me një koalicion të plotë antiregjim”, tha ai. Është hera e parë që përdor termin “koalicion antiregjim”. Dhe vijoi me këtë ide, duke lënë të nënkuptohet se do të jetë i hapur për t’u bërë lëshime aleatëve të vegjël: “Dyert janë të hapura për aleatët e sotëm dhe aleatët potencialë dhe mundësitë e bashkëpunimit janë aty. PS-ja është e vetëdijshme për kontributin e aleatëve të saj në këtë periudhë të vështirë të presionit të pushtetit. Jemi plotësisht të hapur t’i dëgjojmë dhe të gjejmë me gjithë aleatët tanë rrugët e bashkëpunimit për t’i vendosur ata në pozita të favorshme për të bërë betejën e tyre”.

ResPublica