Mustafa: Duam ndryshime në qeverisjen e vendit!

501
Sigal

 Intervistë me Isa Mustafën, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

 Kosova përfundimisht shkon në zgjedhje të parakohshme, të dytat pas shpalljes së Pavarësisë së vendit, ndërsa afër një milion votues do t’i drejtohen kutive të votimit me 8 Qershor. Në intervistën për të përditshmen “Telegraf”, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, partia e së cilit konsiderohet si favorite për t’i fituar këto zgjedhje, flet për këtë proces zgjedhor, për pritjet që ka ai dhe subjekti politik, si dhe për procese të tjera që lidhen me dhe për Kosovën.

 

*z. Mustafa, ka javë për të mos thënë muaj të tërë, që flitet për zgjedhje të parakohshme. A ka një datë se kur mund të mbahen këto zgjedhje?

LDK do të bëjë përpjekje, që zgjedhjet të mbahen në qershor. Për mbajtjen e zgjedhjeve në pjesën e parë të këtij viti është pajtuar edhe PDK-ja, në një takim që e kemi pasur në fillim të këtij viti. Janë pajtuar edhe shumica e liderëve të Kosovës. Do të bëjmë përpjekje këtë javë që të caktojmë ditën e zgjedhjeve.  Për neve zgjidhja më e mirë është shpërndarja e Parlamentit, por nëse i bishtërohet kësaj, do të punojmë që ta rrëzojmë qeverinë me mocion. Tani ashtu siç jeni informuar edhe ju, u arrit marrëveshja dhe u shpërnda Parlamenti duke i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve më 8 Qershor, datë kjo e caktuar nga Presidentja e Republikës në konsultime me subjekte politike të vendit.

Edhe ashtu në  Kosovë, në vjeshtën e vonë të këtij viti, do të duhej të mbahen zgjedhjet parlamentare me proces të rregullt. Pse kjo ngutje?

Arsyet janë të shumta. Koalicioni tani nuk e ka shumicën, Parlamenti është bërë jofunksional dhe ka rrezik që në mungesë të funksionimit të tij, Qeveria do të marrë vendime arbitrare. Arbitrarizmi po vërehet qartë nga premtimet “qiellore” të Kryeministrit në largim, z.Thaçi.  Është edhe koha shumë e përshtatshme për mbajtje të zgjedhjeve.

A është e gatshme tani Kosova për një proces të tillë?

Po, mundësitë janë të mbahen zgjedhje të rregullta dhe të pranueshme për të gjitha palët.

Po LDK-ja, të cilës e drejtoni ju, është e përgatitur  për këtë proces të parakohshëm zgjedhor?

Kemi punuar shumë në terren, e kemi diskutuar programin qeverisës me qytetarët dhe anëtarësinë. Jemi të gatshëm të hyjmë në zgjedhje në çdo moment.

Në të cilat shtylla zhvillimore bazohet programi qeverisës i LDK-së nëse ju vini në pushtet?

Prioriteti është zhvillimi ekonomik, rritja e punësimit dhe zvogëlimi i varfërisë, reformat thelbësore në arsim dhe shëndetësi, qeverisja e mirë, lufta kundër korrupsionit dhe integrimet evropiane.

Ku ka dështuar sipas jush qeveria “Thaçi’, apo të themi qeveria në ikje?

 Ka dështime të shumta, nevojiten shumë faqe për t’i numëruar.

Më specifikoni ju lutem disa nga këto dështime të kësaj qeverie dhe që ju do ta bënit më mirë, apo do të synoni ta ndryshonit.

Prej tyre veçohen ngecjet shumë të mëdha në zhvillimin ekonomik, rritja e papunësisë dhe varfërisë, mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe rritja e korrupsionit,  degradimi në arsim dhe në shëndetësi. Ne do të sigurojmë normë shumë më të lartë të zhvillimit, hapje të vendeve të punës dhe ulje të papunësisë, nxitje të sektorit privat dhe tërheqje të investimeve të huaja direkte, arsim cilësor dhe shërbime shëndetësore që i’ u nevojiten qytetarëve tanë. Kemi program të specifikuar me të gjitha instrumentet.

Po ndonjë gjë të mirë ka bërë gjatë kësaj kohe, apo vetëm dështime?

 Kanë ndërtuar një autostradë që na lidh me Shqipërinë që është një projekt i mirë, por tmerrësisht i shtrenjtë. Një projekt që ka lënë pa punë dhe ka falimentuar shumë firma vendore. Jemi anëtarësuar në FMN dhe në Bankën Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim, por nuk kemi vija kreditore nga këto institucione, të cilat do ta nxisnin zhvillimin tonë ekonomik.

Partitë që përfaqësojnë minoritete në Kuvendin e Kosovës, kanë kërkuar që t’u vazhdohen vendet e rezervuara edhe për një mandat, gjë që është kundërshtuar nga subjekti  juaj, pra LDK-ja. A vazhdoni ta keni këtë qëndrim?

Ne u kemi siguruar minoriteteve dy mandate, vendet e rezervuara dhe ata i kanë shfrytëzuar. Tani kanë 20 vende të garantuara në Kuvend, që janë tre herë më shumë në krahasim me pjesëmarrjen e tyre në numrin e popullsisë. Për LDK-në nuk ka asnjë arsye të rikthehen vendet e rezervuara, të cilat do të rrudhnin edhe më tutje numrin e shqiptarëve në Kuvend.

Keni deklaruar se në zgjedhje do të futeni vetëm si parti politike. Shikuar nga proceset e kaluara zgjedhore, asnjë nga partitë garuese nuk e kanë fituar shumicën për të qeverisur vetëm, gjë që kjo determinon edhe koalicionin e pashmangshëm. Me kë e ka menduar LDK-ja, këtë koalicion qeverisës pas zgjedhjeve?

Bëjmë koalicion me partitë politike, të cilat i pranojnë rregullat e qeverisjes për të cilat do të angazhohemi ne.

Keni deklaruar edhe më parë një “JO” me PDK-në, Pse?

Mbetet prapë jo me PDK-në, sepse duam ndryshime në qeverisje të vendit.

Edhe ata janë deklaruar të djathtë.

 Politikat, të cilat z.Thaçi po i deklaron tani, në fushatën e tij, janë krejtësisht të majta. Ato duken nga qielli.

Si i përgjigjeni ju ofertës së AAK-së, se ky subjekt politik hyn në koalicion me secilën parti, me kushtin e vetëm që Ramush Haradinaj të jetë Kryeministër, pa marrë parasysh rezultatin e vet në zgjedhje?

Kryeministri do të jetë i LDK-së. Kanë kaluar kohërat që LDK të fitojë zgjedhjet, ndërsa Qeverinë ta drejtojnë të tjerët. Kjo nuk është mungesë respekti ndaj partnerëve tanë të mundshëm, por rregull, i cili duhet të respektohet nga të gjithë.

Po me VV, shihni ndonjë afërsi , përmes së cilës këtë subjekt politik do ta shihnit si partner të koalicionit qeverisës?

VV, akoma është mjaft e pa qartë dhe e pa definuar. 

Z.Mustafa, themi se mandatin e qeverisë në ikje e ka karakterizuar në masë të madhe edhe dialogu me Beogradin. Si e shihni rrjedhjen e këtij procesi dhe çfarë fitoi në të vërtetë Kosova, nga ky dialog?

Dialogu është një proces të cilin duhet ta kultivojmë në gjetjen e zgjidhjeve me fqinjët. Në dialogun e deritanishëm, Serbia vërtetoi se nuk ka vullnet për zbatimin e marrëveshjeve. Ne duhet të bëjmë përpjekje që ta ushtrojmë sovranitetin në terë territorin tonë, pa cenuar rregullimin kushtetues.

Po ashtu këto bisedime me Beogradin do të vazhdojnë edhe këtë vit, pra pas zgjedhjeve të cilat priten të mbahen dhe pas konstatimit të institucioneve të dala nga ky proces. Cila do të jetë qasja juaj ndaj këtij procesi, nëse LDK-ja vjen në pushtet?

Do të kërkojmë që të specifikohen qartë çështjet për të cilat ka nevojë të bisedohet. Nuk do të pajtohemi, që dialogu të vazhdojë në pafundësi dhe ai të merr shumë energji. Energjinë duhet ta ruajmë për të zgjidhur shumë probleme të brendshme, në rend të parë ato ekonomike, arsimore e shëndetësore dhe të forcimit të shtetit ligjor.

Kuvendi i Kosovës ka votuar për themelimin e Tribunalit, apo të themi më mirë e më “butë” Gjykatën Speciale, e cila do ti gjykoj krimet e supozuara që janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë periudhës së luftës 1998-‘99. Pse do të duhej kjo gjykatë?

Është një pse e madhe! Por, kanë mbetur të pa sqaruara pretendimet e Dick Martit nga raporti i tij dhe angazhimi i Këshillit të Evropës për sqarimin e tyre. Uroj që ato të mbesin vetëm në nivelin e pretendimeve, sepse UÇK ka bërë luftë të drejtë.

Disa zyrtarë të lartë të partisë tuaj, kanë kërkuar që kjo gjykatë të merret edhe me vrasjet e pas luftës të personaliteteve të larta të LDK-së, vrasje këto të cilësuara si politike. A mendoni se kjo gjykatë do të merret edhe më këto raste?

Ne nuk e caktojmë fushëveprimin e kësaj gjykate, por zbardhja e vrasjeve të veprimtarëve tanë është e domosdoshme. Drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet, qoftë jashtë apo brenda.

Me këto raste ishte kërkuar dhe menduar se do të merret edhe EULEX-i, por ja,  5 vite mandat të EULEX-it, nuk kemi asnjë rezultat në këtë drejtim. Sipas jush, pse ky mision nuk ka bërë ndonjë punë në këtë drejtim të zbardhjes së këtyre rasteve?

Janë bërë gati 15 vite të pasluftës, në të cilat as UNMIK-u, as EULEX-i dhe as drejtësia vendore nuk ka sqaruar dhe zbardhur rastet e këtyre vrasjeve. Do të ishte mirë që pyetja t’ u shtrohet atyre. Unë mendoj se ato duhet të zbardhen dhe se do të zbardhen.

z.Mustafa, në kohën e fundit janë bërë disa sondazhe të cilat partinë tuaj dhe juve ju nxjerrin si favorit në këto zgjedhje. A besoni se do të jeni Kryeministri i ardhshëm i qeverisë së Republikës së Kosovës?

Besoj shumë se LDK, do t’i fitoj zgjedhjet e përgjithshme. Kjo është me rëndësi themelore. Unë do ta marrë përgjegjësinë e Kryeministrit të vendit, ashtu siç e kam marrë besimin e LDK-së për t’u nominuar.

Pra me këtë, më garantoni edhe mua intervistën e parë  me ju si Kryeministër?

Në Shqipëri thonë, shohim dhe bëjmë. Thënie e mirë, apo jo! Themi se po…

1)Gjykata Speciale, është një Pse e madhe

 Kuvendi i Kosovës ka votuar për themelimin e Tribunalit,  apo të themi më mirë e më “butë” Gjykatën Speciale, e cila do t’i gjykojë krimet e supozuara që janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë periudhës së luftës 1998-‘99. Pse do të duhej kjo gjykatë?

 Është një pse e madhe! Por, kanë mbetur të pasqaruara pretendimet e Dick Martit nga raporti i tij dhe angazhimi i Këshillit të Europës për sqarimin e tyre. Uroj që ato të mbesin vetëm në nivelin e pretendimeve, sepse UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë.

 2) Zbardhja e vrasjeve të personaliteteve të LDK-së, është e rëndësishme

 Disa zyrtarë të lartë të partisë tuaj, kanë kërkuar që kjo gjykatë të merret edhe me vrasjet e pas luftës të personaliteteve të larta të LDK-së, vrasje këto të cilësuara si politike. A mendoni se kjo gjykatë do të merret edhe më këto raste?

Ne nuk e caktojmë fushëveprimin e kësaj gjykate, por zbardhja e vrasjeve të veprimtarëve tanë është e domosdoshme. Drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet, qoftë jashtë apo brenda.

 EULEX-i dhe UNMIK-u, nuk zgjidhën asgjë

 3) Me këto raste ishte kërkuar dhe menduar se do të merret edhe EULEX-i, por ja,  5 vite mandat të EULEX-it, nuk kemi asnjë rezultat në këtë drejtim. Sipas jush, pse ky mision nuk ka bërë ndonjë punë në këtë drejtim të zbardhjes së këtyre rasteve?

Janë bërë gati 15 vite të pasluftës, në të cilat as UNMIK-u, as EULEX-i dhe as drejtësia vendore nuk ka sqaruar dhe zbardhur rastet e këtyre vrasjeve. Do të ishte mirë që pyetja t’ u shtrohet atyre. Unë mendoj se ato duhet të zbardhen dhe se do të zbardhen.

 4) Kam besim në këtë fitore!

 z.Mustafa, në kohën e fundit janë bërë disa sondazhe të cilat partinë tuaj dhe juve ju nxjerrin si favorit në këto zgjedhje. A besoni se do të jeni Kryeministri i ardhshëm i qeverisë së Republikës së Kosovës? 

Besoj shumë se LDK, do t’i fitoj zgjedhjet e përgjithshme. Kjo është me rëndësi themelore. Unë do ta marrë përgjegjësinë e Kryeministrit të vendit, ashtu siç e kam marrë besimin e LDK-së për t’u nominuar.