Muho Asllani: Politikanët e sotëm janë diletantë, të pabesueshëm dhe antikombëtarë!

494
Sigal

Intervista me Muho Asllanin, ish-anëtar i Byrosë Politike të KQPPSH

Muho Asllani, ish-anëtari i Byrosë Politike të KQPPSH, më aktivi në politikën e viteve të tranzicionit politik, shpreh pa asnjë rezervë pikëpamjet e tij komuniste ndaj politikanëve të sotëm, fushatave elektorale dhe liderëve të politikës aktuale.

Zoti Asllani si e konsideroni situatën politike aktuale, 1- vjeçarin e qeverisjes së socialistëve, vlerësimi juaj për fushatat elektorale para dhe pas viteve ’90?

-Mendimi im i palëkundur ka qenë dhe mbetet se, politikanët e pas viteve 1990, janë dhe mbeten diletante, interesaxhinj dhe antikombëtarë. I vetmi synim i tyre ka qenë dhe mbetet pasuria e tyre. Asnjë prej tyre nuk mund të renditet si burrë shteti, si njeriu që bëri shumë për vendin e tij Shqipërinë, politikanët e pas viteve 1990, duke nisur nga Nano, Berisha, e kompani, e duke ardhur tek ata që sot qeverisin, janë të pabesueshëm, mashtrues dhe aspak seriozë. Kurse për sa i përket fushatave elektorale, deklaroj se fushata elektorale edhe para viteve 1990 bëhej, jo se nuk bëhej, por ajo kishte koncept dhe ndërtim tjetër, aspak si sot, me harxhime të miliona lekëve, me fyerje dhe sharje nga më banalet, me premtime të shumta të cilat kalojnë çdo parashikim logjik. Sot fushata e dy partive të mëdha i ngjet një ndeshjeje gladiatorësh, ku pas tyre qëndrojnë dhe brohorasin fansat apo “skllevërit”, duke i ndjekur ata në mitingje fshat më fshat e qytet më qytet. Para viteve ‘90 fushata jonë, pra e komunistëve dhe anëtarëve të PPSH, konceptohej si detyrim moral ndaj popullit, për të premtuar jo “parajsën” piramidale të PD dhe PS, apo uljen e taksave dhe detyrimeve të tjera, as të rritjes së mirëqenies dhe çeljen e vendeve të reja të punës siç premton Rama, por fushatat tona të asaj periudhe ishin dhe mbeten fushatat e begatisë dhe ndërtimit të socializmit. Para viteve ’90, populli e ndjente detyrim të votonte, kurse sot ai lutet të votojë, sepse pushtetarët aktualë e dinë mirë se njerëzit e thjeshtë nuk i duan më t’i kenë përfaqësues të tyre në Parlament e Qeveri. Ishte orientim direkt i Enver Hoxhës që “fushatat të zhvillohen të qeta dhe pa asnjë presion, ku çdo shqiptar të shkojë dhe votojë pa imponim, por me vullnetin e tij të plotë”. Është e vërtetë që çdo njeri nga ne ngrihej herët dhe votonte, por kjo kurrë nuk bëhej me imponim, por me dëshirën e shqiptarëve. Në atë kohë familja dhe lagja ose blloku, kishte organizimin perfekt duke u bashkuar grupe-grupe me vegla muzikore dhe me këngë dhe valle shkonin tek qendrat e votimit. Kurse sot pyeti, në rrugë apo në çdo familje, askush nuk dëshiron të votojë, madje shprehen se, “kujt t’ ia jap votën, PD apo PS”. Dihet tashmë që këto dy parti e kanë zhgënjyer popullin, dhe kjo tregon se ai votimet e ardhshme do të dijë të votojë ndryshe.

Zoti Muho, mendoni se zhgënjimi nga PD dhe PS mund t’i japë vota komunistëve në zgjedhjet e tjera?

-Padyshim, pse jo, ne ishim dhe mbetemi njerëz seriozë, që mbajmë fjalën, që motivojmë popullin, që jemi kundër taksave, dhe krijimit të një klase të pasur kaq shumë sa i diktohet çdo partie politike që fiton zgjedhjet.

Dy figurat kryesore të politikës sot Rama dhe Basha premtojnë, debatojnë akuzojnë mendimi juaj?

-Padyshim atyre premtimi, akuzat dhe debatet u kanë mbetur sepse pushtetin e kanë konsumuar, kjo duket nga rritja e shkallës së varfërisë në popull, rritja e papunësisë, rritja e kriminalitetit dhe e korrupsionit, ulja e figurës së zyrtarit të shtetit, ku natyrisht vendin e parë e zënë deputetët e ministrat, të cilët sipas mendimit tim, duhet të ulen në bankën e të akuzuarve dhe të përgjigjen për çka kanë bërë dhe jo të krekosen si “gjelat majë plehut”.

Jeni i vetmi ish-anëtar i Byrosë Politike që angazhoheni akoma në politikë, madje keni kandiduar edhe për deputet?

-Po, jam i vetmi ish-anëtarë i asaj Byroje Politike por edhe sot jam me angazhimet e mia për atë ideologji e cila është vetëm për kombin dhe popullin tim. E kam për nder që kam kandiduar dhe u kam kërkuar qytetarëve durrsakë votën, pa mu dridhur syri dhe buza se dikush do të më thoshte se, “sa banesa ke, sa miliona ke, sa anije dhe tragete ke, dhe sa hektarë tokë ke?”. Sepse ata që kandidojnë në fushata sot e pakta kanë gjysmën e atyre që unë numërova më lart. Jam i vetmi ish-anëtar i Byrosë që e kam për nder të deklarohem si, ushtar besnik i PPSH dhe Enver Hoxhës. Jam i vetmi komunist që kur kam kandiduar nuk premtove rrugë dhe kanale, ujë e drita, rroga dhe pensione dyfishe sepse ato duhet t’i jepen qytetarëve nga shteti. Por premtova dhe premtoj si gjithë komunistët e ndershëm, barazi shoqërore dhe jo skllavëri ekonomike.

Si e parashikoni ngjitjen e komunistëve në rrugën drejt pushtetit, dhe një mendim juaji për 70 vjetorin e çlirimit?

-Parashikoj një rritje të të PPSH dhe rolit të komunistëve në disa zona të vendit, parashikoj gjithashtu një rritje të numrit të shqiptarëve që do të afrohen drejt kauzës tonë, parashikoi gjithashtu se ashtu siç Berisha doli në pension, shumë shpejt do të dalin pas tij edhe ata që premtuan parajsën e pas 23 Qershorit 2013, edhe ata që në sytë e shqiptarëve mbeten figura të konsumuara dhe që me sforco po vegjetojnë ende në qoshet e politikës. Koha ka treguar se komunistët ishin dhe mbeten favoritët dhe njerëzit që bënë epokë, ndërtuan vendin dhe krijuan për Shqipërinë imazhin e një shteti sovran dhe jo vasal. Kurse për sa i përket 70- vjetorit të çlirimit të vendit, nga nazifashistët dhe tradhtarët , mendoj se figura e PKSH , dhe e elitës komanduese, si dhe veçanërisht e Komandantit Enver Hoxha, duhet të dalë pa deformime, pasi ishte ajo parti dhe ai Komandant që i mobilizuan shqiptarët, bënë luftën Nacional-Çlirimtare, rreshtuan vendin në krah të SHBA, Anglisë dhe BRSS, dhe fituan pa asnjë ndërhyrje nga jashtë. Në 70 vjetorin e çlirimit, kjo qeveri duhet të bëjë ceremoni madhështore, sepse LNÇ ishte dhe do të mbetet në breza, si lufta që i dha vendit lirinë, dhe pushtetin e popullit. Nga ky 70 vjetor duhen përjashtuar bashibozukët, tradhtarët, dhe çdo njeri tjetër që bashkëpunoi me fashistët italiane dhe nazistët gjermanë.

Bisedoi: Artur Ajazi